Sfidat e tregut të telekomunikacioneve

26/12/2017 4:10 PM 0 komente

Flet Drejtori Ekzekutiv i ALBtelecom, Tahsin Yılmaz

 

Konkurrenca e lartë në segmentin e telefonisë së lëvizshme dhe ndryshimi i sjelljes konsumatore në drejtim të përdorimit të telefonave fiks e kanë bërë mjaft sfidues tregun e telekomunikacioneve në vend. ALBtelecom, që vepron në të dy fushat, është përpjekur që këto sfida t’i kthejë në mundësi.

Drejtori ekzekutiv i ALBtelecom që prej nëntorit 2016, Tahsin Yılmaz, i cili ka një karrierë të gjatë në fushën e telekomunikacioneve, pohon se për shkak të rritjes së lartë të përdorimit të të dhënave, infrastruktura e linjës fikse merr një vlerë të pakrahasueshme përballë kërkesës në rritje për sasi dhe cilësi të të dhënave përmes celularit apo pajisjeve të tjera elektronike.

Ai thotë se kompania ka arritur të zgjerojë bazën e pajtimtarëve të telekomunikacioneve fikse në sajë të internetit me brez të gjerë (broadband) dhe të ofertave në IPTV. Në segmentin e telefonisë së lëvizshme, kompania do të sjellë risi në aspektin e produkteve, që janë tendenca kryesore edhe në vendet e tjera, Catch up TV (mundësia për të riparë programe të cilat janë shfaqur ditë më parë), Video on demand (programe me kërkesë), Regjistrim programesh televizive etj

Si e vlerësoni ecurinë e ALBtelecom gjatë vitit 2016 dhe pjesës së deritanishme të 2017-s?

Viti 2016 ishte një vit mjaft pozitiv për ALBtelecom dhe unë jam mjaft i kënaqur të them se ky trend pozitiv dhe rritja jonë vazhduan edhe në 2017-n. Nëse u referohemi të ardhurave të telefonisë celulare, rritja jonë vjetore në krahasim me vitin 2016 është mbi 10%. Kjo është një rritje e ndjeshme, sidomos në një mjedis kaq konkurrues. Çdo vit investojmë miliona euro për infrastrukturën tonë dhe teknologjitë më të reja.

Siç e përmenda më herët, ne kemi një mjedis shumë konkurrues në Shqipëri dhe niveli i ARPU-së (të ardhurave mesatare për përdorues) është më i ulët në krahasim me pjesën tjetër të Europës. Pavarësisht kësaj, ne po ndjekim praktikat më të mira në industri dhe kemi qenë në gjendje të përmirësojmë në mënyrë të konsiderueshme kufijtë e EBITDA (Fitimi Përpara Interesave, Taksave, Zhvlerësimit dhe Amortizimit) në dy vitet e fundit.

Tregu i telefonisë fikse është në një fazë maturimi prej vitesh për shkak të zhvillimit të teknologjisë. Si po përshtateni ndaj këtyre zhvillimeve?

Ne jetojmë tashmë në një epokë dinamike, me një ndërveprim të lartë në komunikim, ku rritja e përdorimit të të dhënave dhe kontenti që qarkullon po rriten me ritme të paimagjinueshme. Për rrjedhojë, infrastruktura e linjës fikse merr një vlerë të pakrahasueshme përballë kërkesës në rritje për sasi dhe cilësi të të dhënave përmes celularit apo pajisjeve të tjera elektronike. Këto zhvillime i japin ALBtelecom avantazh konkurrues në treg për t’iu përgjigjur këtyre sfidave.

ALBtelecom ka në zotërim rrjetin themelor të fibrave optike në të gjithë vendin. Aktualisht janë në shfrytëzim mbi 2,000 km fibra optike që shtrihen në të gjitha qytetet e vendit, duke i lidhur ato në të paktën dy rrugë/alternativa të ndryshme, që mundësojnë ofrimin e shërbimeve tek abonenti me disponueshmëri në nivelin 99.9%.
Nëpërmjet këtij rrjeti bëhet e mundur edhe lidhja tokësore ndërkombëtare me të gjitha vendet fqinje si Greqia, Maqedonia, Kosova e Mali i Zi, si dhe me Italinë, me anë të sistemit me fibra optike nëndetare, e cila është dhe e vetmja lidhje nëndetare e Shqipërisë me Italinë. Ky sistem fibrash optike siguron cilësinë më të lartë të transmetimit, si dhe kapacitetet e nevojshme për zhvillimin e mëtejshëm, duke ofruar shërbim bashkëkohor dhe të pandërprerë në çdo kohë.

ALBtelecom, bazuar në këtë sistem fibrash, realizon lidhjen e rreth 80% të të gjithë përdoruesve të internetit në Shqipëri me rrjetin ndërkombëtar, në mënyrë të drejtpërdrejtë për abonentët tanë, si dhe për operatorë të tjerë, që na drejtohen ne për të blerë qasje në internet me shumicë. Përdorimi i internetit është dyfishuar krahasuar me një vit më parë, kështu që ne kemi parashikuar rritjen e kapacitetit të lidhjeve ndërkombëtare për të përmbushur kërkesat e qytetarëve shqiptarë.

ALBtelecom gjithashtu ka një rrjet të gjerë lokal të shpërndarë në 74 qendrat kryesore (qytete) të Shqipërisë. Kapaciteti i linjave fizike mbështetet në mënyrë mjaft eficiente në nyjet aktive të lidhura me rrjetin e fibrave optike. Që do të thotë se me rrjetin ALBtelecom arrijmë pothuajse në të gjithë familjet në vend, një investim ky i realizuar me qëllim ofrimin e shërbimeve inovative për çdo shtëpi. Në këtë mënyrë, ALBtelecom është i aftë t’u përgjigjet jo vetëm kërkesave të së tashmes, por edhe sfidave dhe ambicieve të së nesërmes. Aktualisht, mund të përmendim se 67% e klientëve tanë të shërbimit fiks janë përdorues të internetit me brez të gjerë (broadband) dhe tendenca është në rritje të vazhdueshme.

Një avantazh tjetër i ALBtelecom, i mundësuar nga posedimi i rrjetit të fibrave optike, është edhe lidhja e stacioneve të telefonisë së lëvizshme (mobile) 3G&4G me fibrat optike (mbi 200 km fibër optike e destinuar për lidhjen e stacioneve të telefonisë së lëvizshme (mobile). Një lidhje e tillë garanton kapacitet më të lartë, që përkthehet direkt në shërbim më cilësor për abonentët tanë.

Këtë vit kemi arritur të zgjerojmë bazën tonë të pajtimtarëve të telekomunikacioneve fikse në sajë të internetit me brez të gjerë (broadband) dhe të ofertave në IPTV. Për sa i përket të ardhurave, ne e mbajmë rritjen tonë të qëndrueshme në shërbimet e internetit me brez të gjerë (broadband) broadband, e fuqizuar kjo edhe më shumë nga produktet tona në IPTV, sektor ku jemi duke kryer zhvillime mjaft inovatore dhe interesante për konsumatorët.

Cilat janë planet tuaja për të ardhmen në drejtim të telefonisë fikse, mobile, internetit dhe shërbimeve të tjera?

ALBtelecom po kryen disa studime për teknologjitë e reja, të cilat edhe operatorë të mëdhenj në Europë, nuk kanë filluar t’i zhvillojnë në masë, bazuar tek avantazhi që krijon kapaciteti i rrjetit tonë fiks.

Duke konsideruar kërkesat në rritje të klientëve, si dhe shërbimet e reja, të cilat së shpejti do të jenë më të shumta në numër dhe kërkojnë kapacitete/shpejtësi më të lartë transmetimi apo interneti, ALBtelecom po punon që brenda gjashtëmujorit të parë të vitit 2018, në rrjetin fiks të lançohet faza e parë e projektit FTTH (fibër optike në shtëpi) i mbështetur nga teknologjia GPON (rrjet pasiv me fibra optike të nivelit Gbps).

Nëpërmjet këtij projekti do të ofrohet shërbim i internetit me shpejtësi shumë të lartë deri në 1Gbps (1024Mbit/s), jo vetëm për abonentët biznes, por edhe për ata familjarë. Ky projekt do të zbatohet pothuajse në të gjitha qytetet e Shqipërisë dhe në fazën e tij finale do të zëvendësojë rrjetin ekzistues NGN (rrjet i gjeneratës tjetër bazuar kryesisht mbi kabllot e bakrit), si dhe do të mundësojë lidhjen në të ardhmen e shumicës së stacioneve të antenave celulare 5G.
Pra me këtë projekt, ALBtelecom pas disa vjetësh do të ketë një rrjet fiks që mbështetet i gjithi te fibrat optike, deri tek abonenti fundor, por njëkohësisht edhe një rrjet të telefonisë së lëvizshme (mobile) që gjithashtu do të mbështetet më së shumti mbi kapacitetin e fibrave optike, duke ofruar shërbime të internetit me brez të gjerë (broadband) për çdokënd në çdo cep të vendit.

Shërbimet e integruara janë një tjetër fjalë kyçe në tregun e sotëm të telekomunikacionit. Ne synojmë të lehtësojmë sa më shumë që të jetë e mundur përvojën konsumatore, duke ofruar mundësinë që konsumatorët të kenë të gjitha produktet që iu nevojiten nga telefoni celular, komunikimi fiks, interneti, IPTV, të gjithë nën të njëjtin ofrues shërbimi. Shërbimet e integruara na lejojnë gjithashtu që të jemi konkurrues dhe të sigurojmë ofertën më cilësore, por njëkohësisht edhe më ekonomike.

Në shërbimet e telefonisë së lëvizshme (mobile) kemi investuar në infrastrukturë, me synimin të që ofrojmë gjithmonë cilësi më të mirë, me theks të veçantë tek shërbimet data. Në aspektin e internetit me brez të gjerë (broadband), ne do të vazhdojmë të jemi operatori kryesor për të sjellë lidhjen më të mirë dhe shpejtësi dhe risi në aspektin e produkteve, që janë tendenca kryesore edhe në vendet e tjera, Catch up TV (mundësia për të riparë programe të cilat janë shfaqur ditë më parë), Video on demand (programe me kërkesë), Regjistrim programesh televizive etj. Gjithë këto risi të produkteve si dhe të përmbajtjes (kontentit) do të vijnë gjithmonë me një qasje “pa barrierë” me paketa shërbimesh, one stop shop, fleksibilitet dhe liri në zgjedhje.

Si e prisni ecurinë e tregut të telekomunikacioneve në përgjithësi në Shqipëri?

Me ritmin e shpejtë të zhvillimeve të teknologjisë në botë, duke filluar nga konsumimi gjithnjë e në rritje i kontentit, videove dhe aplikacioneve deri te sfidat që sjell Internet of Things (IoT – Interneti i Sendeve), fjala kyç në fushën e telekomunikacionit mbetet shërbimi i transmetimit të të dhënave ose thënë ndryshe “shërbimet data”.
Në rastin e Shqipërisë, ka ende një rrugë të gjatë përpara lidhur me përdorimin e shërbimit data apo edhe depërtimin e telefonave apo pajisjeve të tjera smart.

Ne presim në një të ardhme të afërt, që përdorimi i shërbimeve data të vazhdojë të rritet, si në rrjetin fiks dhe në atë celular. Për shërbimet e telekomunikacioneve të lëvizshme (përfshi edhe atë televiziv), do të maksimizojmë mbështetjen në infrastrukturën fikse të fibrës optike dhe në zgjerimin e saj. Për fat të mirë, ne jemi teknikisht dhe komercialisht të gatshëm për këtë të ardhme. Qëllimi ynë është që të sjellim teknologji dhe inovacion në çdo shtëpi, te çdo shqiptar.

Në mënyrë më specifike, ALBtelecom i ka fokusuar burimet dhe resurset e tij kryesore për zhvillimin dhe nxitjen e prezencës me rrjetin e internetit me brez të gjerë (broadband) në Shqipëri, pasi siç tregojnë shifrat, penetrimi në shërbimin e internetit me brez të gjerë (broadband) broadband fiks për popullsi është vetëm 9.3%, shifër kjo që dëshmon për tregues tepër të ulët në lidhje me zhvillimin e internetit me brez të gjerë (broadband) në vend, përkundrejt 32.5% të penetrimit në shërbimin broadband fiks në nivelin e vendeve të Bashkimit Europian (BE). Ndërkohë që, nga të gjitha vendet e BE, shteti që ka normën më të ulët të penetrimit në shërbimin e internetit me brez të gjerë (broadband) fiks është Italia me 25.7%, një shifër kjo që gjithsesi qëndron shumë më lart nga shifra e penetrimit në Shqipëri prej vetëm 9.3%.

Rritja e nivelit të penetrimit do të thotë më shumë hapësirë dhe mundësi për zgjerim të mëtejshëm dhe për zhvillim më të madh ekonomik të vendit. Studiuesit thonë se ekziston një lidhje e drejtpërdrejtë midis bandës së gjerë (kapacitet broadband të përdorur) dhe rritjes ekonomike të matur si GDP për banor.

Indikatorët e tregut dëshmojnë qartësisht se në nivel kombëtar jemi ende larg arritjes së këtyre objektivave, gjë që dëshmon se iniciativat shumë të vlerësueshme dhe rishtare për shërbimet online për qytetarët (“e-governance”, “e-health” apo “e-education”) nuk po mjaftojnë për të nxitur zhvillimin e shërbimeve me brez të gjerë (broadband) në një nivel të tillë që të ndikojë apo të shërbejë si stimulues në zhvillimin e ekonomisë kombëtare.

Prandaj, është shumë e rëndësishme të kemi mbështetjen e qeverisë shqiptare dhe përqendrimin e saj në forma të ndryshme partneriteti me sipërmarrjen private, ku interesi për zhvillimin e internetit me brez të gjerë (broadband) është i përbashkët dhe përfitimi në fund të ditës përkthehet në përfitime konkrete për të gjithë aktorët në treg, si për qeverinë ashtu edhe për biznesin privat, por mbi të gjitha për përdoruesit fundorë.

Cila do të ishte sfida më e rëndësishme në përpjekjet për të dixhitalizuar Shqipërinë?

Nga ana e tij, ALBtelecom si një sipërmarrje private dhe ambicioze në objektivat e veta, në mënyrë që të përmbushë angazhimet që burojnë nga misioni dhe vizioni i kompanisë, ka si objektiv kryesor të strategjisë së saj, investimin për zhvillimin, si dhe rritjen e depërtimit të shërbimit të internetit me brez të gjerë (broadband) në Shqipëri. Por ndërkohë, ALBtelecom e ka shumë të vështirë t’i materializojë këto aspirata, pa mbështetjen konkrete të qeverisë shqiptare, e cila mund të jepet në forma të ndryshme siç janë mekanizmat lehtësues nga rregullimi i tregut, forma të ndryshme partneriteti, mbrojtja e biznesit nga informaliteti në treg etj.

Kështu, në kuadër të mbështetjes që kërkohet nga qeveria shqiptare, lufta kundër informalitetit në tregun e komunikimeve elektronike është e një rëndësie thelbësore për ALBtelecom, i cili nga ana e tij detyrohet të përballet çdo ditë me pasojat apo fenomenet negative të tregtimit të shërbimeve të komunikimeve elektronike në rrugë informale nga subjekte të cilët, ose ofrojnë shërbime të palicencuar nga Autoriteti Rregullator (AKEP) ose në rastin më të mirë, janë sipërmarrës që megjithëse janë autorizuar nga AKEP, përpiqen maksimalisht të shmangin kërkesat dhe detyrimet e kuadrit rregullator.

Të njëjtën gjë mund të theksojmë në drejtim të zbatimit të standardeve të ndërtimit të infrastrukturës nga të gjithë operatorët e pranishëm. Nuk duhet lejuar që të ketë ndërtime jashtë standardit. Një gjë e tillë jo vetëm çon në një konkurrencë të padrejtë, por njëkohësisht dëmton imazhin e qyteteve të Shqipërisë.

Megjithëse ALBtelecom është një kompani e madhe, me një shtrirje rrjeti në mbarë vendin dhe që synon në vazhdimësi zhvillimin teknologjik dhe shërbimet inovative, konkurrenca e pandershme nga një numër i madh subjektesh që operojnë në rrugë informale në këtë treg, dëmton dalëngadalë dhe në mënyrë të vazhdueshme dhe sistematike, jo vetëm ALBtelecom në zhvillimin e biznesit të tij, por me një ndikim të drejtpërdrejtë edhe në buxhetin e shtetit nga të ardhurat e munguara që do të derdhnin këto subjekte nëse do të operonin në përputhje me përcaktimet e legjislacionit fiskal dhe përcaktimet e kuadrit rregullator.

Cili është komenti juaj lidhur me daljen nga tregu të operatorit celular PLUS?

Parë kjo nga njëra anë, industria ku ne operojmë është mjaft dinamike me risqe dhe sfidat janë të panumërta si në çdo biznes tjetër. Por nga ana tjetër, historia e PLUS na dëshmon gjithashtu që mjedisi rregullator ka rëndësi të madhe për një veprimtari të shëndetshme në treg.
Sfidat vazhdojnë të jenë të pranishme dhe ne shpresojmë që problematikat të zbuten dhe tregu të fitojë pjekurinë e duhur me qëllim që zhvillimi i kësaj industrie të vazhdojë të ngrihet në baza sa më të shëndetshme.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of