Intervistë me administratoren e “Evita”, Elona Saraçi
Gjatë pandemisë ka pasur një kërkesë të lartë për barnat antivirale, antibiotikët, kortizonikët, vitaminat, si dhe antikoagulantët.
Elona Saraçi, administratore e “Evita”, sipërmarrje e cila vepron në tregun e produkteve farmaceutike e pajisjeve të laboratorëve, thotë se edhe kërkesa për shërbimet e laboratorit ka qenë përtej së zakonshmes, veçanërisht për teste diagnostikuese për SARS‑CoV‑2, si dhe kite laboratorike për testet rutinë në ndjekjen e pacientëve të infektuar me COVID-19.
Ajo shton se viti 2020 solli sfida për sektorin shëndetësor, pasi u përball me shtimin e papritur të kërkesës së produkteve specifike në diagnostikimin dhe trajtimin e COVID-19.
Si ka qenë ecuria e kompanisë në vitin 2020?
Viti 2020 ka qenë një sfidë për të gjithë industritë, përfshirë dhe sektorin mjekësor ku kompania jonë operon. Ndër sfidat kryesore mund të përmendim shtimin e papritur të kërkesës së produkteve specifike në diagnostikimin dhe trajtimin e COVID-19, për të cilat si prodhuesit, por edhe ne si distributor, nuk ishim të përgatitur për kërkesën ekstreme si në sasi, ashtu edhe në kohën për t’i përmbushur këto kërkesa. Gjithsesi, sot ndihemi të lumtur që, nëpërmjet punës së ekipit tonë dhe mbështetjes së jashtëzakonshme nga partnerët tanë, arritëm t’i përmbushnim detyrat në kohë.
Një tjetër sfidë ishte mbarëvajtja ditore operacionale në punë, pasi gjatë këtij viti na është dashur të punojmë në kushte emergjence, me staf të reduktuar, për shkak të infektimeve të vetë stafit, ose familjarëve të tyre, me masa sigurie të shtuara për personelin, qoftë në ambientet e punës në kompani, por edhe në ambientet ku ofrojmë shërbim, si në ambientet spitalore, apo në farmaci.
Gjithashtu, angazhimi total i aparatit shtetëror në shërbimin mjekësor, si dhe vëmendja e gjithë opinionit publik mbi sektorin ku ne operojmë na ngarkon me një peshë më të rëndë, për të tejkaluar mundësitë, për të siguruar burimet e nevojshme, organizimin e zinxhirit të furnizimit me partnerët dhe menaxhimin e punës përtej rutinës.
2020 ishte një vit i vështirë për shkak të pandemisë me të cilën u përball vendi. Sektori farmaceutik mori një rol të veçantë në këtë situatë. Si e ndryshoi pandemia aktivitetin e “Evita”?
Të punosh në sektorin shëndetësor, është sfidë, pasi ndodhesh gjithë kohën nën presionin që je duke operuar në një fushë e cila nuk të lejon gabime, për vetë sensitivitetin që mbart sektori. Mbi këtë, të jesh në qendër të vëmendjes, si në këto kohë të vështira, të shton alertin në operativitetin tënd ditor.
Në “Evita” nuk e kemi konsideruar kurrë veten si një operator i zakonshëm ekonomik, një biznes i mirëfilltë, pasi produkti apo shërbimi që ne ofrojmë është përtej të qenët një shkëmbim numrash apo vlerash. Ne jemi gjithmonë të ndërgjegjshëm se përballë nesh, ose në fund të zinxhirit të “biznesit”, nuk është një klient, por një pacient, dikush që po lufton për jetën. Dhe ne besojmë se çelësi i suksesit nuk janë numrat në fund të vitit financiar, por është sa pranë kemi qëndruar në këtë betejë të tyre dhe sa vendimtar ka qenë roli ynë.
Shëndeti, qoftë në kohë të zakonshme, qoftë në periudha ekstreme, siç është pandemia, nuk bën dallime apo ndarje se kë prek… Dhe kur kërkojmë për të siguruar sasitë e nevojshme të një antikoagulanti, një nga barnat kryesore të “Evita”, nuk jemi duke kërkuar diferencën e vlerave në tabelat financiare, por mundësinë që i japim kujtdo, një familjari, një prindi, një të riu, një të moshuari, që në betejën për jetën të ketë një armë më shumë. Dhe ne shpresojmë t’ia kemi dalë…
Nëse mund të bëni një vlerësim, cilat ishin barnat me përdorimin më të gjerë nga popullata gjatë pandemisë?
Për trajtimin e COVID-19, përshkrimin më të lartë nga mjekët e kanë pasur barnat antivirale, antibiotikët, kortizonikët, vitaminat, si dhe antikoagulantët. Në “Evita” përfaqësojmë disa nga kompanitë më prestigjioze inovatore të prodhimit të antikoagulantëve si Sanofidhe Leo Pharmaceuticals.
Përveç medikamenteve, ju jeni të pranishëm dhe në aparaturat mjekësore dhe laboratorët. Si ka qenë ecuria e këtij segmenti?
“Evita” është distributor ekskluziv i “Roche Diagnostics”, kompani inovative dhe lider në botë në fushën e laboratorëve. Kërkesa për shërbimet e laboratorit ka qenë përtej së zakonshmes, veçanërisht për teste diagnostikuese për SARS‑CoV‑2, si dhe kite laboratorike për testet rutinë në ndjekjen e pacientëve të infektuar me COVID-19. Gjithashtu kemi vënë re që, përveç kërkesës së rritur nga klinikat, apo qendrat laboratorike ekzistuese, ka pasur edhe një numër të madh laboratorësh të rinj të ngritur në vitin 2020.
Mendojmë se të gjithë operatorët në tregun e laboratorëve janë përpjekur të jenë në lartësinë e duhur për të përmbushur këtë kërkesë të shtuar. Situata vazhdon të mbetet e njëjtë dhe në vitin 2021 dhe është një sfidë më vete plotësimi i kërkesave për instrumente, teste dhe kite laboratorike. Vlen të përmendim se me gjithë vështirësitë e vitit, stafi ynë ia doli të instalonte sistemin robotik CobasPro për herë të parë, jo vetëm në vendin tonë, por dhe në rajon.
Cilat janë planet tuaja për të ardhmen?
Sfida jonë kryesore është mirëmbajtja e standardit të kompanisë në nivelin më të lartë bashkëkohor. Për këtë, ne kujdesemi që stafi ynë të marrë trajnime të vazhdueshme nga partnerët tanë ndërkombëtarë dhe institucionet e cilësisë, si dhe të përdorim teknologji avangarde për dixhitalizimin e të gjitha procedurave operative.
Ndjekim dinamikën e zhvillimit të situatës dhe punojmë që në çdo moment të jemi të përgatitur për t’ju përgjigjur nevojave të pacientëve si me shërbime, ashtu dhe me produkte.
Një fokus i veçantë do të jetë në fushën e shërbimit të laboratorëve, në bashkëpunim me partnerin tonë “Roche Diagnostics”, për të kontribuar në ngritjen e një qendre të specializuar, e cila synon të kthehet në një qendër referente në rajon për analizat e imunohistokimise, ngarkesave virale RT PCR, si dhe ato genetike.
Ne çdo ditë punojmë dhe mendojmë se si me punën, njohuritë dhe idetë tona të kontribuojmë në zhvillimin e shërbimit mjekësor në vend dhe të jemi sa më pranë pacientëve shqiptarë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.