“Tirana Economic Forum” mblodhi përfaqësuesit më të rëndësishëm të politikës dhe biznesit nga i gjithë rajoni. Me dëshirën për t’u kthyer në një traditë, gjatë forumit u diskutuan mbi sfidat që ka rritja e qëndrueshme ekonomike…
Shqipëria po përpiqet që të kapë ritmet e zhvillimit të rajonit nëpërmjet tërheqjes së investitorëve drejt zonave të lira ekonomike dhe orientimit të bizneseve drejt teknologjisë dhe inovacionit. Orientimi i ekonomisë drejt rritjes së qëndrueshme ishte kryefjala në “Tirana Economic Forum”, zhvilluar së fundmi në Tiranë.
Pjesë e këtij forumi ishin përfaqësues të politikëbërjes nga vendet e rajonit dhe jo vetëm, të cilët do të sjellin përvojat e tyre nga vendet që vijnë.
Forumi synoi që të sigurojë mundësi për të identifikuar dhe për të vlerësuar sfidat kyçe të rritjes ekonomike, të mbështetë adoptimin e sektorit privat me praktikat inovative sociale dhe të identifikonte masat që duhet të merren për një ekonomi më konkurruese në Shqipëri dhe Europën Juglindore.
Organizatorët kërkojnë që ta kthejnë forumin në një traditë të përvitshme, ku do të mblidhen politikanët më me ndikim në Shqipëri dhe rajon, kompanitë dhe intelektualët për të adresuar sfidat që po përballet tani Shqipëria dhe bota.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, pasi përshëndeti çeljen e rrjeteve të reja të hoteleve në vend, si Mariott dhe Hyatt, e vuri theksin te numri në rritje i turistëve në Tiranë. Veliaj shtoi se Ballkani Perëndimor është pjesa që i mungon Bashkimit Europian.
Kryebashkiaku njoftoi se Bashkia e Tiranës është në përfundim të krijimit të një zone të re të lirë ekonomike, 80 hektarë për të krijuar një zonë ekonomike në zonën e Kasharit. Kjo zonë nuk do të jetë për fabrikat e prodhimit të këpucëve dhe tekstilit, por për kompanitë e teknologjisë. “Ekonomia e Tiranës duhet të shkojë drejt teknologjisë.”- theksoi ai.
Bashkëpunimi rajonal i rëndësishëm, krijohen 80 mijë vende pune
Shqipëria është një ndër vendet më pro europiane. I pranishëm në panel ishte edhe ambasadori i BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca, i cili e vuri theksin te bashkimi dhe bashkëpunimi për t’i bërë ballë sfidave.
“Po diskutojmë si Shqipëria dhe rajoni mund të luajnë rolin e tyre në këtë moment kaosi dhe konfuzioni. BE e gjen veten të rrethuar nga konfliktet. Kriza në Ukrainë rrezikon të përshkallëzohet. Çështjet e sigurisë vijojnë të jenë të brishta”, tha ambasadori në fjalën e tij.
Ai shtoi se Bashkimi Europian ka promovuar një rend global më bashkëpunues dhe se BE-ja po promovon Marrëveshjen e Parisit për ndryshimet e klimatike. Ambasadori nënvizoi se bashkëpunimi rajonal është shumë i rëndësishëm për Ballkanin Perëndimor. Bashkëpunimi rajonal nuk zëvendëson integrimin në BE, por do të përshpejtojë integrimin e rajonit në BE. Falë bashkëpunimit rajonal dhe ekonomik mund të krijohen mbi 80 mijë vende pune në të gjithë rajonin nëpërmjet integrimit rajonal.
“Bashkimi Europian po investon gjithnjë e më tepër në rajon. 60% e tregtisë në Shqipëri bëhet me BE-në. Komisioni Europian ka siguruar 1 miliard euro për projektet e ndërlidhjes në BE. Si projekti i ndërlidhjes nëpërmjet hekurudhës edhe projekti i autostradës Adriatiko-Joniane”, tha Luigi Soreca, në fjalën e tij.
Jaka: Të rishikohen taksat, nuk jemi konkurrues në rajon
Nikolin Jaka, kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë tha se duhet të rishikohet sistemi i taksave, pasi ne konkurrohemi nga Maqedonia dhe Serbia. Jaka shtroi si problematikë të vazhdueshme informalitetin, ndërsa ia adresoi këtë problem qeverisë, e cila sipas tij duhet të ketë një plan të qartë veprimi. Ende s’po gjejmë zgjidhjen dhe mënyrën e duhur për të luftuar informalitetin. Sfida ekonomike e vendit, sipas tij, është krijimi i një ekonomie prodhuese me fuqi eksportuese dhe zëvendësimi i importeve me prodhim vendas.
Shqetësues për të është dhe largimi i trurit. “Duhet të kemi politika të qarta për largimin e të rinjve. Largimi po shqetëson biznesin, krijon plagë, e bën të pamundur që sipërmarrjet të operojnë si duhet. Kemi zvogëlim të ndjeshëm të konsumit prej largimit të pjesës vitale të shoqërisë”, u shpreh Jaka.
Për sa i përket bashkëpunimit rajonal, Jaka tha se kanë nënshkruar shumë marrëveshje të tregtisë së lirë, mirëpo bizneset shqiptare kanë skepticizmin e tyre që CEFTA s’po funksionon dhe po krijohen barriera tregtare.
“Shqipëria dhe Kosova janë në dizavantazh për sa i përket zonës CEFTA-s. Të respektojmë tregun e lirë dhe konkurrencën. Një pjesë e produkteve që vijnë janë të subvencionuar”, tha kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë.
Ballkani Perëndimor ka hyrë në Procesin e Berlinit, por Shqipëria duhet të jetë e kujdesshme se si t’i qaset këtij integrimi rajonal. “Duhet të dimë se cilat janë avantazhet tona në rajon dhe potenciali ynë. Mungesa e konkurrueshmërisë dhe e kushteve të barabarta duhet ta bëjë politikën të zgjuar për hartimin e çdo politike. Ne duhet të shohim komunikimin nëpërmjet korridoreve. Ne s’kemi parë ende një projekt konkret për korridorin e tetë. Për Shqipërinë është domosdoshmëri”,- përfundoi Jaka.
Të orientuar drejt rritjes së qëndrueshme
Mund të duket e çuditshme që përfaqësues të industrisë së duhanit të flasin për rritje të qëndrueshme. Radmilo Vlacic, menaxher i përgjithshëm i Philip Morris në Shqipëri, tha gjatë sesionit se për shumë vite, Philip Morris është angazhuar në mënyrë të vazhdueshme për të pakësuar ndikimin negativ në mjedis të të gjithë procesit të biznesit.
Drejtori ekzekutiv i kompanisë ka deklaruar se po planifikojnë një të ardhme pa tymosje duhani, për të bindur të gjithë duhanpirësit që të lënë duhanin dhe të kalojnë në produktet pa tym. Ndryshe nga çka mendojnë shumë njerëz, pjesa më e madhe e sëmundjeve që lidhen me duhanpirje nuk janë të shkaktuara nga nikotina, por tymosja.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.