Sfidat për tërheqjen e investimeve të huaja

23/01/2019 2:50 PM 0 komente
Matteo Colangeli, kreu i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në Shqipëri

Flet Matteo Colangeli, kreu i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në Shqipëri

Sfidat për tërheqjen e Investimeve të Huaja Direkte veçanërisht në prodhim, turizëm dhe agrobiznes do të vazhdojnë të jenë faktorë për gjenerimin e një rritje të qëndrueshme, punësimin dhe për zvogëlimin e hendekut të njohurive dhe aftësive në ekonomi. Hapja e negociatave për hyrjen në BE do të ishte një stimul i rëndësishëm për reformat aq të nevojshme, që do të përmirësojnë perspektivën e rritjes në një periudhë afatmesme.

“Diversifikimi i ekonomisë dhe hyrja në tregjet globale të prodhimit dhe agrobiznesit janë thelbësore për një rritje ekonomike të qëndrueshme”, pohon Matteo Colangeli, kreu i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në Shqipëri, në intervistën e tij për parashikimin e ekonomisë shqiptare në 2019-n.

Teksa projektet e mëdha po mbarojnë, kjo përqasje do t’i mundësonte vendit të bëhej më tërheqës për një gamë të gjerë investitorësh më të vegjël, me një profil shumë të ndryshëm nga ai i grupeve të mëdha të energjisë, të cilat kanë dominuar Investimet e Huaja Direkte në vitet e fundit. Z. Colangeli është skeptik edhe për projektet e Partneritetit Publik-Privat (PBB), dhe rekomandon që për financimin e infrastrukturës të përdoren kryesisht huatë nga Institucionet Financiare Ndërkombëtare.

BERZH është pak më optimist se Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore, teksa parashikon që ekonomia të rritet 3.9% këtë vit.

Si e vlerësoni ecurinë e ekonomisë shqiptare gjatë vitit 2018?

Ekonomia ka pasur një performancë relativisht të mirë në 2018. Ne presim që rritja vjetore të jetë 4%, e ndikuar kryesisht nga konsumi i të mirave të shportës dhe investimet. Rritja e ndjeshme e numrit të turistëve ishte një nga zhvillimet kryesore të 2018, por vendi duhet të fokusohet në rritjen e cilësisë së ofertës, që do të ndikonte edhe në rritjen e shpenzimeve mesatare për turist.

Norma e rritjes vazhdon të jetë shumë e ekspozuar ndaj faktorëve të pakontrollueshëm, si çmimet e mallrave të konsumit të gjerë apo gjenerimi i energjisë hidrike. Duhet të bëhen përpjekje për diversifikimin e ekonomisë. Kushtet monetare mbeten të favorshme dhe stimuluese për kërkesën vendase. Por, pavarësisht trendit pozitiv, kreditë e këqija janë ende të larta sipas standardeve rajonale dhe vazhdojnë të mbajnë peng huadhënien veçanërisht ndaj bizneseve.

Cili është parashikimi juaj për ekonominë shqiptare në 2019-n? Cilët janë faktorët (të brendshëm dhe të jashtëm) që mund të ndikojnë pozitivisht dhe negativisht ecurinë e ekonomisë shqiptare?

Ne presim që ekonomia shqiptare të rritet me 3.9% në 2019, e ndikuar nga faktorët e një viti më parë. Sfidat për tërheqjen e Investimeve të Huaja Direkte veçanërisht në prodhim, turizëm dhe agrobiznes do të vazhdojnë të jenë faktorë për gjenerimin e një rritjeje të qëndrueshme, punësimin dhe për zvogëlimin e hendekut të njohurive dhe aftësive në ekonomi. Hapja e negociatave për hyrjen në BE do të ishte një stimul i rëndësishëm për reformat aq të nevojshme që do të përmirësojnë perspektivën e rritjes në një periudhë afatmesme.

Dy investime të mëdha, TAP dhe Devolly Hydropower janë drejt fundit. Çfarë duhet të bëjë qeveria për të tërhequr investime të tjera dhe në cilët sektorë?

Padyshim që Shqipëria ka përfituar shumë nga këto dy investime të mëdha në sektorin e energjisë, por diversifikimi i ekonomisë dhe hyrja në tregjet globale të prodhimit dhe agrobiznesit janë thelbësore për një rritje ekonomike të qëndrueshme. Si rrjedhojë, vendi do të bëhej më tërheqës për një gamë të gjerë investitorësh më të vegjël me një profil shumë të ndryshëm nga ai i grupeve të mëdha të energjisë, të cilat kanë dominuar Investimet e Huaja Direkte në vitet e fundit.

Forca e ligjit dhe qëndrueshmëria e marrëdhënieve në raport me administratën publike janë prioritete kyçe për t’u fokusuar. Mbyllja e hendekut infrastrukturor është një tjetër aspekt kryesor për të cilin duhet punuar në mënyrë që të rritet konkurrueshmëria e vendit si destinacion investimesh. Infrastruktura e transportit është sigurisht parakusht për rritjen e bashkëpunimit me tregjet globale.

Investimet mjedisore në menaxhimin e ujërave të ndotura dhe mbetjet e ngurta janë gjithashtu thelbësore në këndvështrimin tim për tërheqjen e investitorëve cilësorë në sektorët e turizmit dhe bujqësisë. Diversifikimi duhet të ndiqet edhe në sektorin e energjisë, ku mendoj se investimet në energjinë diellore dhe në të ardhmen, energjia e erës, kanë një potencial të mirë.

Qeveria shqiptare është angazhuar së fundmi në disa projekte të mëdha PPP. Si do ta vlerësonit ndikimin (pozitiv dhe negativ) të këtyre projekteve në ekonominë shqiptare dhe borxhin publik? Cilat janë këshillat tuaja për qeverinë shqiptare në këtë drejtim?

PPP-të mund të jenë një instrument i nevojshëm për financime në infrastrukturë, veçanërisht në projekte që gjenerojnë të ardhura si aeroportet ose autostradat. Kur PPP-të konsiderohen si mjeti i duhur për financim, kërkesa duhet të përgatitet nga sektori publik dhe t’u ofrohet investitorëve nëpërmjet një procesi tenderimi kompetitiv.

Kjo do të siguronte më shumë transparencë dhe do të gjeneronte më shumë të ardhura për qeverinë sesa përdorimi alternativ i ofertave të pakërkuara, të iniciuara nga vetë  investitorët. Kur PPP-të konsistojnë thjesht në  një detyrim ndaj investitorit privat që do të duhet të shlyhet nga qeveria për disa vite me radhë, atëherë nuk kemi një ndarje të vërtetë të riskut të projektit me investitorin privat dhe si rrjedhim, detyrimet do të zvogëlojnë hapësirën fiskale në mënyrë të ngjashme me borxhin publik.

Huatë nga Institucionet Financiare Ndërkombëtare, të kombinuara me grante të donatorëve, veçanërisht nën Platformën për Investime të Ballkanit Perëndimor (WBIF)  të mbështetur nga BE, mbeten mënyra me kosto efektive për financimin e infrastrukturës në Shqipëri.

Në afatin e gjatë, çfarë reformash duhet të ndërmarrë qeveria shqiptare, në mënyrë që të përshpejtojë procesin e konvergjencës me vendet e BE-së?

Shqipëria ka nevojë për një administratë publike më eficiente, meritokratike dhe të reduktojë varësinë e ndryshimeve në personel nga ndryshimet në qeveri. Kjo, së bashku me një zbatim të plotë të reformës në drejtësi do të kontribuonin në përmirësimin e  ndjeshëm të mjedisit të biznesit dhe çlirimin e potencialit ekonomik të vendit. Lufta ndaj informalitetit dhe pasiguritë mbi titujt e pronësisë janë specifikisht dy probleme të hershme, që duhen adresuar, për të përshpejtuar afrimin me BE-në. Krahas kësaj, më shumë investime në arsim dhe trajnime teknike janë thelbësore për të ngushtuar hendekun e aftësive dhe për të rritur vlerën e shtuar në ekonomi.

Si do ta vlerësonit ecurinë e portofolit të huave të BERZH në Shqipëri? Cilat janë planet për projekte të reja?

Ne kemi disbursuar mbi  300 milionë euro këtë vit dhe kemi nënshkruar 10 projekte të reja, një performancë rekord për BERZH në Shqipëri. Padyshim që financimi për TAP është ngjarja më e rëndësishme e vitit dhe një nga financimet më të mëdha nënshkruar ndonjëherë nga BERZH. Një projekt financimi prej 1 miliard eurosh,  prej të cilave 500 milionë euro nga llogaritë e vetë bankës dhe 500 milionë të sindikuara për bankat tregtare.

Disbursimi prej 118 milionë eurosh i huasë për KESH ka qenë një nga ngjarjet kryesore në sektorin e energjisë, ndërsa huaja prej 15 milionë eurosh për UKT ishte e para hua e marrë nga pushteti vendor që nuk mbështetej në garanci sovrane.

Ne kemi plane shumë ambicioze për 2019-n. Bashkë me BE-në, po punojmë mbi një paketë investimesh dhe asistencë teknike për rritjen e konkurrueshmërisë në sektorin e turizmit në Shqipëri, me vlerë mbi 100 milionë euro. Ne do të ofrojmë edhe një hua prej 50 milionë dollarësh për rehabilitimin e dy rrugëve të rëndësishme bregdetare, Vlorë – Orikum dhe Shëngjin – Velipojë.

Në sektorin e energjisë, presim të disbursojmë edhe 100 milionë euro të huasë së KESH dhe të mbajmë një rol kryesor në financimin e zhvillimit të energjisë diellore në Shqipëri. Mbështetja e bizneseve të vogla dhe të mesme do të vazhdojë të jetë në qendër të punës sonë vitin e ardhshëm, me një vëmendje të veçantë në turizëm dhe agrobiznes. Ne do ta realizojmë këtë, duke ofruar konsulencë dhe financime direkte ose përmes instrumenteve të ndarjes së riskut me bankat vendase. Ne do të vazhdojmë të jemi katalizatorë të investimeve të huaja strategjike dhe do të ofrojmë hua të mbështetura me grante për bizneset e drejtuara nga femrat dhe investime në eficencën e energjisë.

 

Fokusi

Forca e ligjit dhe qëndrueshmëria e marrëdhënieve në raport me administratën publike janë prioritete kyçe për t’u fokusuar. Mbyllja e hendekut infrastrukturor është një tjetër aspekt kryesor për të cilin duhet punuar në mënyrë që të rritet konkurrueshmëria e vendit si destinacion investimesh. Infrastruktura e transportit është sigurisht parakusht për rritjen e bashkëpunimit me tregjet globale.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of