Të gjitha vendet në zhvillim të Europës Qendrore, Lindore e Juglindore janë përballur me recesion, apo ngadalësim të ndjeshëm të rënies ekonomike, pas krizës financiare të vitit 2008. Deri atëherë, vendet po u gëzoheshin normave të larta të rritjes ekonomike dhe pritshmërive të një konvergjence të shpejtë (zgjerim më i shpejtë në raport me vendet e zhvilluara, me synim arritjen e niveleve të këtyre të fundit).
Pas pesë vitesh, me Eurozonën që më së fundi po del nga recesioni, shpresat janë rizgjuar se, edhe Europa Qendrore, Lindore dhe Juglindore (EQLJ) mund t’i rikthehet rritjes. Por, shumë faktorë kanë ndryshuar në raport me periudhën e para 2008-s. Rajoni i goditur nga kriza mund të përballet me një periudhë më të ngadaltë rritjeje, nivel më të ulët konvergjence, humbje të ritmit të reformave në raport me dekadën e fundit.
Por çfarë duhet bërë që të mbështetet rimëkëmbja? Zotërinjtë Norbert Funke dhe Burkhard Drees, drejtor dhe zëvendësdrejtor i “Joint Vienna Institute” ishin në Shqipëri javën e kaluar, ku zhvilluan seminarin “Makroekonomiksi pas krizës: Çfarë ka ndryshuar për vendet e EQLJ”.
“Shumë nga politikat makroekonomike dhe strukturore, të identifikuara në botën para krizës si nxitëse të rritjes, ende kanë rëndësi”, tha z. Funke. Por, zhvillimet e pas krizës e vënë theksin në një rol më të fortë të karakteristikave specifike të vendeve dhe rëndësinë e integrimit të politikave të reja në kornizat ekzistuese.
“Politikat duhet të përqendrohen në adresimin e problemeve të trashëguara nga kriza, përmirësimin e klimës së biznesit, nxitjen e sektorit të tregtueshëm dhe sigurimin e një mirëfunksionimi të tregjeve të punës”, thotë z. Funke.
Por, ajo që është bërë më e rëndësishme pas krizës, është politika makroprudenciale, paralajmëruan lektorët.
Shqipëria, i rezistoi mirë krizës, po rritja e mëtejshme nuk vjen pa reforma
Shqipëria dhe Polonia përmenden nga drejtori i “Joint Vienna Institute” si dy shtetet që e përballuan mirë krizën që nisi në 2008-n. Për Shqipërinë, z. Funke përmend si arsye kryesore nivelin relativisht të ulët të integrimit të vendit, politikat e shëndetshme të ndjekura para krizës, dhe pas krizës lehtësimi i politikave monetare dhe fiskale për të zbutur efektet e saj.
Por tashmë, vendi nuk ka më hapësirë për zgjerim fiskal, ndërkohë që niveli i kredive me probleme është rritur. Z. Funke pranon se vendet që janë më të varfra, tentojnë që të rriten më shpejt.
Megjithatë, “duhet të përgatitemi se rritja në rajon nuk do të jetë si në periudhën e para-krizës, vetëm në rast se do të zbatohen reformat e tjera për të mbështetur zhvillimin”. Ndonëse shtetet e rajonit kanë qenë të suksesshme në procesin e kapjes së ritmeve (konvergjencës) në dekadën e kaluar, në rast se nuk do të kryhen reforma, nuk mund të pritet rritje e lartë.
Por, çfarë mund të bëhet ndryshe nga periudha e para 2008-s?
Z. Funke pohon se indeksi i tranzicionit tregon se ka pasur një ngadalësim të momentit të reformave në rajon gjatë dekadës së fundit. Në vitet e para të ‘90-s u bënë shumë reforma, si privatizime apo integrim tregtar. Por, që para krizës, ritmi i tyre filloi të ngadalësohej. Tashmë është koha që ato të përshpejtohen sërish, në mënyrë që të nxitet rritja.
Fuqizimi i sektorit financiar; rritja e kapitalizimit të sistemit bankar; reduktimi i huave me probleme; nxitja e rritjes së kredisë për sektorin privat; fuqizimi i pozicioneve fiskale në mënyrë që borxhi të japë disa drejtime ku duhet të punohet.
Është e domosdoshme që të vazhdohet me reformat strukturore, tha z. Funke, ku ndër më kryesoret përmenden: Përmirësimi i mjedisit të biznesit; thjeshtimi i rregulloreve dhe mbrojtja më e mirë e investimeve; forcimi i qeverisjes dhe transparencës; përmirësimi i integrimit rajonal, pasi ekonomitë e hapura tentojnë që të rriten më shpejt.
Reformat e tregut të punës janë një tjetër element i rëndësishëm, ku duhet të synohet fleksibilitet i pagave; përputhje e aftësive me vendin e punës; përmirësim i edukimit; prezantimi i programeve të trajnimit për të papunët.
Të rindërtohen amortizatorët fiskalë dhe të forcohet menaxhimi i borxhit
Z. Burkhard Drees, zëvendësdrejtor i “Joint Vienna Institute” i kushtoi rëndësi në prezantimin e tij politikave fiskale që janë ndjekur në rajon. “Nivelet e borxheve qeveritare u rritën në mënyrë domethënëse në valën e krizës në shumë vende në rajon”, tha ai.
Shumë shtete i janë afruar apo e kanë kaluar zonën e rrezikut, që konsiderohet kufiri i vendosur prej traktatit të Mastrihtit prej 60% të PBB-së (shiko grafikun borxhi publik, në % ndaj PBB-së).
Një nivel i lartë borxhi do të bënte që investitorët, të shqetësuar nga rreziku i mospagimit, të kërkojnë prim më të lartë rreziku, duke rritur interesat dhe duke krijuar në këtë mënyrë rrezikun e paaftësisë paguese. Më kritike është situata në rastin kur afatet e maturimit të borxhit janë të shkurtra dhe nevojat për financim të mëdha.
Por, çfarë mund të bëjnë vendet që të shmangin që të hyjnë në “zonën e rrezikut”?
Z. Drees thotë se besueshmëria e politikave fiskale mund të duhet të rritet në një sërë vendesh. “Nëse një qeveri thjesht thotë, pa ndërmarrë politika të tjera veprimi, se këtë vit do të shpenzojë më shumë dhe vitin tjetër më pak, kjo mund të mos jetë e besueshme,për shkak të paqëndrueshmërisë së mundshme në kohë”. Politika fiskale ka nevojë që të ketë një qëndrueshmëri ndër kohore. “Politika fiskale, veçanërisht për shkak të aspekteve shqetësuese, shpesh tenton që të jetë politikisht më kontroverse se ajo monetare”, thotë z. Drees.
Referuesit rekomanduan që për të vënë borxhin në një rrugë të qëndrueshme ka nevojë për institucione të shëndetshme fiskale, rregulla të qarta fiskale (kufi për borxhin, rregulla për balancimin e buxhetit), një këshill fiskal (që do të kryente analiza dhe do të jepte rekomandime) dhe autoritete të pavarura fiskale (që do të vendosnin objektiva afatgjatë dhe limite të qëndrueshme për deficitet fiskale).
FMN: Si të nxitet rritja pas krizës
“Ashtu si në rajone të tjera të ekonomive në zhvillim, tregjet financiare në vendet e Europës Qendrore, Lindore dhe Juglindore (EQLJ) kanë qenë nën presion që nga pranvera. Vendet me parametrat makroekonomikë më të dobët dhe ato që kanë pasur më parë flukse hyrëse kapitali të larta janë prekur më shumë. Përgatitja për tronditje të reja, që mund të përktheheshin në presione të konsiderueshme për financime për disa vende, është thelbësore”, thuhet në raportin e fundit të tetorit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, i titulluar: MË SHPEJT, MË LART, MË FORT — TË NGRIHET POTENCIALI I RRITJES I VENDEVE TË EUROPËS QENDRORE, LINDORE DHE JUGLINDORE
Tronditjet gjithashtu mund të përbëjnë rrezik për ringritjen.
EQLJ-ja po fillon të dalë nga rënia e dytë në katër vjet, duke përfituar nga rritja në Eurozonë. Rritja ekonomike zhgënjyese mund të zgjerojë hendekun e vogël të prodhimit që është krijuar vitet e fundit. Por hapësira për të ndërmarrë politika kundërciklike është e kufizuar në mjaft vende, pasi deficitet fiskale janë ende të larta, borxhi publik është në një trend rritës dhe presionet në kursin e këmbimit mund të kufizojnë hapësirat e politikës monetare.
Rritja e dobët nuk është një problem i kohëve të fundit. Në pesë vitet e shkuara, rritja në vendet e EQLJ-së ka qenë më e ulët sesa pritshmëritë. PBB-ja u rrit mesatarisht vetëm me ½% në vit, shumë më poshtë sesa parashikimi prej 5% i bërë në pranverë të vitit 2008. Performanca e dobët erdhi më së shumti prej një rritje potenciale më të ulur, kryesisht për shkak të investimeve më të pakta nga firmat, për shkak të rënies së kërkesës për mallrat e tyre, më pak disponibilitet për financime dhe nevojës për të rregulluar bilancet në periudhën pasuese të bumit të paqëndrueshëm të investimeve të parakrizës.
Duke parë përpara, rreziqet ndaj rritjes së prodhimit janë domethënëse, çka do ta bëjë më të vështirë reduktimin e papunësisë dhe uljen e borxhit publik në nivele më të qëndrueshme. Flukset e kapitalit, sidomos nga bankat mëmë të Europës Veriore, kanë gjasa të mbeten të ulëta, rritja ekonomike në partnerët tregtarë të vendeve të EQLJ-së parashikohet të mbetet modeste dhe rënia e popullsisë në moshë pune është duke u përshpejtuar.
Ndaj arritja e një rritje ekonomike “më të shpejtë, më të lartë, më të fortë” është thelbësore dhe do të kërkojë hapa vendimtarë:
• Zgjidhja e problemeve të lëna nga kriza. Një sektor financiar i shëndetshëm është kritik për të siguruar kreditim dhe për të nxitur rritjen. Heqja e barrierave ligjore, gjyqësore, tatimore dhe rregullatore në fushat e zgjidhjes së huave nën standard do të lehtësojë ristrukturimin industrial dhe pastrimin e bilanceve të bankave. Rindërtimi i hapësirave fiskale do të reduktojë primet e rrezikut dhe kostot e huamarrjes, çka do të ketë një efekt të shëndetshëm edhe për sektorin privat.
• Forcimi i sektorit të tregtueshëm. Një rritje e mirëbalancuar do të rriste perspektivat për rritje ekonomike. Të dhënat empirike tregojnë se ekonomitë më të hapura janë rritur më shpejt. Integrimi më i ngushtë në zinxhirët globalë të ofertës do të sjellë transferim më të shpejtë të teknologjisë dhe përshpejtim të konvergjencës në të ardhura.
• Përmirësimi i klimës së investimeve. Thjeshtimi i ambientit rregullator dhe forcimi i konkurrencës, mbrojtja e investitorëve dhe zbatimi i kontratave mbeten prioritete për shumë vende. Në disa vende, ristrukturimi dhe/ose privatizimi i ndërmarrjeve shtetërore të mëdha që janë me humbje, si dhe përmirësimi i qeverisjes dhe rritja e transparencës janë gjithashtu kritike.
• Sigurimi i një tregu pune mirëfunksional. Papunësia e lartë ka një komponent strukturor, i cili ka qenë problem që nga fillimi i periudhës së tranzicionit. Forcimi i politikave aktive të tregut të punës do të përmirësojë ritrajnimin dhe rishpërndarjen e punonjësve. Reformat në arsimin profesional dhe atë dytësor mund të jenë gjithashtu të nevojshme, ashtu sikurse edhe pagesa papunësie dhe programe sociale të shënjestruara më mirë, për të përmirësuar rezultatet në tregun e punës.
Parashikimet e FMN-së: Borxhi në Shqipëri në 2018 do të arrijë mbi 80% të PBB-së
Vendi sot renditet i katërti me borxhin publik më të lartë në të gjithë Europën Qendrore e Lindore, pas Hungarisë, Sllovenisë dhe Serbisë…
Borxhi publik në Shqipëri, deri në vitin 2018, mund të arrijë në rreth 83% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke u bërë shteti i dytë me borxhin më të madh në rajon pas Serbisë.
Parashikimet janë bërë në raportin e radhës të Çështjeve Rajonale Ekonomike të tetorit, të publikuar nga FMN për Europën Qendrore, Lindore dhe Juglindore (CESEE), me titull “Më shpejt, më lart dhe më fuqishëm – Zgjerimi i potencialit të rritjes për CESSE”.
Siç shihet dhe nga grafiku i publikuar nga FMN, Shqipëria aktualisht renditet në vendin e katërt në të gjithë rajonin, me rreth 67% të PBB-së, pas Hungarisë, Sllovenisë dhe Serbisë.
Për Shqipërinë dhe Serbinë, pritshmëritë janë që borxhi do të rritet me shpejtësi, duke i kaluar 80% të PBB-së deri në 2018-n.
Sipas raportit, mbi gjysma e vendeve të CESEE tashmë e kalon nivelin e borxhit prej 40% të PBB-së. Raporti thekson se nivelet e borxhit janë veçanërisht të larta në Hungari, Slloveni, Serbi dhe Shqipëri.
Raportet e mëparshme, përfshirë ato të FMN-së, kanë gjetur se nivelet e qëndrueshme të borxhit për shtetet në zhvillim tentojnë të jenë më të ulëta se ato të vendeve të zhvilluara, dhe pjesa më e madhe e studimeve propozojnë një kufi prej 25–50% të PBB-së, përtej të cilit brishtësitë e borxhit publik do të ndikonin në mënyrë domethënëse në perspektivën e rritjes dhe/ose janë të lidhur me një rrezik më të lartë krize.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.