“Sfidat që e presin sezonin 2019, nga infrastruktura te plotësimi i standardeve”

26/03/2019 4:40 PM 0 komente

Flet Zak Topuzi, Shoqata e Hotelerisë dhe Turizmit

 

Në një vit elektoral dhe me një situatë aspak të qetë politike, Shqipërisë i mbetet të shpresojë që të ruajë të njëjtin numër turistësh të një viti më parë. Çdo shtesë do të jetë një bonus.

Për Zak Topuzin, nga Shoqata e Hotelerisë dhe Turizmit, ky vit nis me një super lajm për vendin tonë, pasi lideri botëror i shitjes online Booking.com, në “Top trending destinations for 2019” e rendit Ksamilin në vendin e 9-të.

Por, nga ana tjetër, janë një sërë zhvillimesh të tjera që përbëjnë lajmin e keq. Ka një rënie të rezervimeve nga tregu polak, ndërkohë që, nëse Kosova merr liberalizimin e vizave, Shqipëria mund të “ndryshohet” për Greqinë, duke humbur një pjesë të konsiderueshme të të ardhurave.

Topuzi thekson se mosmiratimi i një strategjie afatgjatë dhe mungesa e zgjidhjes për disa problematika që vijojnë prej vitesh nuk e ndihmojnë zhvillimin e sektorit dhe se ka ardhur koha që të ketë më shumë punë sesa fjalë.

Si e shihni situatën e sektorit të turizmit në kushtet aktuale, duke e lidhur këtë me pjesën e ngërçit politik dhe faktin që ky vit është një vit elektoral?

Ky vit nis me një super lajm për Shqipërinë. Lideri botëror i shitjes online Booking.com, në “Top trending destinations for 2019”, e rendit Ksamilin në vendin e 9-të. Por, ndërkohë, lajm i keq është tkurrja e tregut polak e skandinav, duke raportuar uljen e rezervimeve të planifikuara për sezonin 2019. Ka disa arsye, një pjesë dhe objektive. Ato lidhen me falimentin e tre kompanive të fluturimit, konkurrenca rajonale solli për ta paketa më cilësore, por kryesorja, mosplotësimi i kushteve sipas marrëveshjeve nga pala shqiptare. Vazhdojmë të vuajmë mosplotësimin e standardeve, shërbimin jocilësor, mungesën e përvojës në shërbimet “all inclusive”, probleme të infrastrukturës. Duke pasur parasysh situatën zgjedhore në kulmin e sezonit, shpresojmë që të kemi të njëjtin numër turistësh me vitin e kaluar.

Ende nuk kemi një strategji finale të miratuar për sektorin, ndërkohë që është zvarrë çështja e kategorizimit të strukturave. Si ndikojnë këto te sektori?

Është një nga pikat që penalizon më shumë vendin. E përsëris, pa një strategji afatgjatë, nuk do të kemi investime potenciale në fushën e hotelerisë, duke pasur parasysh, investime në resorte apo komplekse hotelesh të kategorisë me 4-5 yje ku të përfshihen partnerë “brand name” botërorë. Jemi në fazën e firmosjes së kontratave, ndërkohë që në rajon, janë të pranishme dhjetë kompanitë më të fuqishme botërore të shërbimeve hoteliere.

Sa të përgatitur i shihni bizneset e sektorit nga njëra anë dhe institucionet, në kushtet kur na ndajnë shumë pak kohë nga nisja e sezonit?

Në takimin që Ministria e Turizmit dhe Mjedisit organizoi në fund të tetorit 2018 me operatorët potencialë vendas dhe të huaj, ishin pjesëmarrëse dhe strukturat shtetërore e lokale. Aty u analizuan arritjet e sezonit 2018 dhe masat për sezonin e ardhshëm. Nga përfaqësuesit kryesorë të huaj u fol qartë: “mbetemi në pritje të plotësimit të detyrimeve, kryesisht standardet që vazhdojnë të paraqesin probleme dhe përmirësim jo të dukshëm”. Është një sinjal alarmi për vazhdimësinë në një treg të brishtë në Ballkan. Shqipëria është vendosur gjeografikisht shumë mirë afër Azisë, Rusisë dhe për njerëzit që kërkojnë alternativa të tjera, është një mundësi e mirë. Duhet ta shfrytëzojmë këtë mundësi.

Cilat janë problematikat që ju shihni dhe që duhet të mbahen parasysh?

Jemi në të njëjtat situata ku vendi, në sezonin turistik, kthehet në kantier ndërtimi Problemet janë të shumta. Janë po ato që përsëriten çdo vit. Probleme të infrastrukturës, sinjalistikës, ndotjes së mjedisit, transportit publik cilësor, mbetjeve, mungesës së aeroporteve alternativë “low cost”, furnizimit me ujë dhe energji, mosangazhim të pushtetit vendor, etj.
Më emergjentja: duhet t’u japim një alternativë zhvilluesve dhe investitorëve. Koha e shitjes së apartamenteve e vilave në bregdet duhet të mbyllet për të kaluar në një fazë të re të zhvillimit të brand name liderë botërorë, aq të pranishëm në të gjithë rajonin. Ka mbaruar koha e fjalimeve, duhen hapa konkretë.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of