Fotografi Shan Pici lindi në Shkodër në fillimin e shekullit XX. Pasi kryen shkollën fillore, për arsye ekonomike i jati Kol Pici, një artizan (terzi) i njohur e fut djalin e madh Shanin si shegert në studion fotografike MARUBI. Aty Shani, përveç punëve ndihmëse pranë familjes së Kel Marubit, mësoi dhe zanatin e fotografit, që në ato vite si kudo në Europë ishte në hapat e tij fillestare qoftë në mjete teknike, qoftë në aparaturat e zhvillimit të filmave (pllakave të xhamit bardhe zi). Në vitin 1925 Shani i ri provon të punojë i pavarur dhe ishte fotografi i familjeve shkodrane. Pas një viti disa miq e ndihmuan të çelë studion e tij fotografike të quajtur Fotografia Pici. Ajo përbëhej nga një dhomë që ndriçohej nga dy pika: lart nga një baxhë e hapur në çati dhe anash nga faqe me vetratë xhami. Në këto vite fotografët shfrytëzonin dritën e diellit dhe fotot e tyre ishin vetëm bardh e zi. Shani si fotograf radhitet në Shkodër krahas emrave të mëdhenj e të njohur të fotografisë si: Marubët, Jakovët e Raboshët. Përveç punës së përditshme si fotograf profesionist i qytetit të tij, që fiksonte e dokumentonte kryesisht në studion e tij portrete të qytetarëve të moshave të ndryshme, malësorëve, nuseve dhe dasmorëve; Shan Pici me pasion e për natyrën, ka lënë një koleksion interesant të fotografisë së peizazhit verior shqiptar. Ai udhëton shumë dhe fikson pamje të natyrës piktoreske malore të zonës së Malësisë së Madhe, të Tropojës, Kukësit, Pukës, Mirditës etj. Ai sigurisht ka vlerën e artistit – fotograf që ka fiksuar bukurinë e natyrës deri atëherë të panjohur shqiptare, magjinë e dritës dhe lojën e saj, transparencën dhe delikatesën e një kompozimi të natyrshëm, por të kërkuar me mjaft durim e dashuri. Në këto vepra fotografike arti që janë realizuar me mjetet e thjeshta të kohës edhe sot ndjehet i njëjti emocion e kënaqësi në komunikim me imazhin e fiksuar 70 vjet më parë. Drita, magjia e saj, momenti fotografik janë elementet me të cilët mjeshtri Pici kalonte ditë të tëra në pritje të gjetjes. Në veprat e tij fotografike tashmë me vlera edhe si monumente historike, trasmeton një lirizëm poetik të padukshëm. Aty spektatori ndjen një qetësi magjepëse e tërheqëse. Ndoshta në historinë e fotografisë shqiptare të shekullit XX, realizimet e mjeshtrit Shan Pici do të kenë edhe sharmin e fotografisë turistike, që e rrjeshton autorin në grupin unikal të fotografit të parë shqiptar të fotografisë turistike. Veç kësaj Shan Pici mund të quhet edhe fotografi i popullit. Janë me qindra foto të mjeshtrit që pasqyrojnë kronikën e jetës reale popullore të kohës, varfërisë dhe të pabarazisë burrë-grua. Një pasion për Shan Picin ishte dhe realizimi i portreteve me pamje jo të zakonshme, kryesisht të malësorve me portrete të ashpër e me mustaqe të gjatë apo malsoreve. Kemi të bëjmë ndoshta me portretet e parë psikologjikë të trevës së Veriut në fotografinë shqiptare. Cikli i portreteve ndoshta ka interes në zbulimin e jetës reale e pa mite. Me aparatin e tij fotografi Pici me një krijimtari gjysëm shekullore (1924-1976) ka lënë në arkivin e tij me rreth 80,000 pllaka filmi dhe negative të madhësive të ndryshme. Përveç fotografive të përditshme që kryen fotografi në studion e tij e që janë të regjistruara në rregjistra me mjaft rregull, Shan Pici ka realizuar mjaft fotografi zyrtare historike si p.sh.: festimi në Tiranë i 25 vjetorit të Pavarësisë nga ana e Mbretit Zog i I, foto të familjes mbretërore, fotografi mbi rrethin e parë çiklistik kombëtar, fotot e pajisjes me pasaportë të qytetarëve të zonës së Mirditës etj. Djali i fotografit Shan Pici (Nikolin Pici) ka ofruar për lexuesit e Monitor fotografi të viteve 1937 “ ˜38. Çmimi i fotografive të fotografit Shan Pici është 500 euro për secilën foto.
Ylli Drishti
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.