Shangai, metropol gjigant, është një ndërthurje e pallateve të larta dhe dritave gjithnjë të ndezura. Një skenar mbresëlënës dhe magjik në 365 ditë të vitit. Ndër vendet më të bukura që duhet të vizitoni, nuk mund të mungojë 1000 Trees (1000 Pemët), një pallat magjik, një vepër arti nën kujdesin e studios Heatherwick.
Në qendrën financiare të Kinës ajo që mungonte ishte natyra. Pallate, beton, drita neon dhe smog – një metropol i vërtetë, kaotik dhe i egër. Për këtë arsye lindi ideja për t’i dhënë një fytyrë më të gjelbër dhe të shndritshme një prej ndërtesave të shumta në vend, ‘e veshur’ me mijëra pemë të llojeve të ndryshme, e cila ndodhet pranë zonës artistike M50 të qytetit.
Forma e këtij krijimi të sjell ndër mend dy maja të ngjashme malesh që përfshijnë dyqane, zyra, restorante, qendra për shfaqje dhe galeri. Shpirti i metropolit mbetet, por me një imazh unik që emocionon të gjithë ata që kanë fatin ta shohin me sytë e tyre 1000 Trees.
Pallate me forma moderne dhe avangardë, me pemë dhe drita që krijojnë një atmosferë magjepsëse, si një film vizatimor i Disney. Muzgu më i bukur në Shangai mund të shijohet duke soditur reflektimin e ndërtesës së ndriçuar në pasqyrën e ujit. Pemët janë të vendosura në vazo gjigante që qëndrojnë në majë, mbi kolona betoni. Ato janë konceptuar si një zgjatim natyror i ndërtesës, ashtu si një bimë me sythat e saj. Mos imagjinoni vazo betoni industriale, këto janë produkte të punuara me dorë të cilat po t’i shihni nga afër, janë objekte të vërteta dizajni.
Vazot përmbajnë rreth 25,000 bimë të vetme dhe 46 specie të ndryshme, duke përfshirë shkurre, bimë shumëvjeçare etj.. Të gjitha vijnë nga Shangai, për t’i bërë jehonë bukurisë vendase, duke përfshirë edhe natyrën.
Bëhet fjalë për një tërësi bimësh që zbukurojnë në mënyrë të vazhdueshme një ndërtesë të madhe, duke e bërë të veçantë dhe të mrekullueshme. Kjo është një ndalesë e detyrueshme për gjithë ata që pëlqejnë atmosferat përrallore, por moderne. Duke soditur format e ngjyrat duket sikur po sheh një strukturë magjike, e cila ka dalë nga ndonjë libër me fantazi.
Kjo ndërtesë ngërthen 100% thelbin e Shangait: moderne, qendra e ekonomisë dhe e jetës, por e bukur, e ndritshme dhe plot surpriza.
/ Si Viaggia.it