Goditja e COVID-19 ishte një surprizë e madhe, duke ekspozuar brishtësinë në sistemet e ekonomisë dhe të biznesit. Në vitin 2020, ishte e qartë se pandemia COVID-19 pengoi përparimin e zhvillimit dhe gjithashtu ka intensifikuar, në mënyrë drastike, shqetësimet ekzistuese si varfëria, pabarazitë sociale, ndërsa shkaktoi dhe problematika të shumta në pothuajse të gjitha hallkat e funksionimit të bizneseve.
Fillimisht, bizneset në mbarë globin nuk ishin të përgatitur për të papriturat që solli pandemia, por reagimi nuk vonoi. Nga inovacioni, puna online, rritja e investimeve në teknologji, përmirësimi i sistemeve të menaxhimit të rrezikut te rikualifikimi i forcës së punës e deri te zhvendosja e prodhimit, sipërmarrjet u detyruan të përshtateshin me shpejtësi, në mënyrë që të mbijetonin në atë që gradualisht u kthye në normalitetin e ri.
Ku ka krizë, ka edhe mundësi dhe kjo po vërtetohet edhe për tregun shqiptar. Nëse ka një industri që mund të përfitojë është ajo e regjimit të përpunimit aktiv, kryesisht për prodhuesit e veshjeve e këpucëve. Ky sektor është ndër më kryesorët në ekonomi, teksa zë vendin e parë për eksportet, me rreth 30% të totalit, sipas INSTAT. Ai është ndër punëdhënësit më të mëdhenj në vend, me rreth 70 mijë të punësuar, kryesisht nga shtresat e brishta.
Pse po ndodh kjo rritje e interesit për Shqipërinë? Ndërprerjet e zinxhirit të furnizimit kanë krijuar “sfida të pabesueshme” për shumë ndërmarrje të mëdha globale, duke shkaktuar mungesa furnizimi, vonesa dhe kosto më të larta të transportit, e duke nxitur zhvendosje të prodhimit nga vendet më të largëta, tek ato më të afërta. Për industrinë e tekstileve dhe këpucëve, zhvendosja është më e thjeshtë në raport me sipërmarrje të sofistikuara të teknologjisë, që kanë investime më të mëdha në pajisje dhe kërkojnë forcë pune të kualifikuar.
Kërkesa është tashmë e lartë dhe për tregun shqiptar. Operatorët raportojnë se po përballen me rritje deri në 200% të porosive nga emra të njohur të industrisë së modës si “Polo”, “Clarks”, “Geox”, “Dolce Gabana” (shiko shkrimin në faqet e brendshme të revistës). Kërkesat janë aq të larta, sa fabrikat e kanë të pamundur t’i përballojnë dhe po i kthejnë mbrapsht.
Nuk është hera e parë që po na paraqitet kjo mundësi. Prej vitesh, Shqipëria ofron avantazhin e kostos së lirë të krahut të punës dhe afërsisë gjeografike, e cila mundëson punët me porosi të vogla, duke konkurruar vendet që prodhojnë masivisht si Kina, apo Lindja e Mesme. Disa vjet më parë, pikërisht nga kriza në Lindjen e Mesme, shumë sipërmarrës të mëdhenj kërkuan të zhvendosnin aktivitetin në shtetet që kishin më pranë.
Historia tregoi sa pak u shfrytëzua ky shans. Sektori vijon ende që, në pjesën më të madhe, të realizojë vetëm disa procese, sidomos për tekstilet (prerje – qepje), duke mos e mbyllur ciklin e prodhimit. Mosmbyllja e ciklit e ka lënë industrinë përkatëse të varur vetëm nga tregu italian, drejt të cilit, edhe në vitin 2021, shkuan gati 80% e totalit të eksporteve të tekstileve e këpucëve.
A do të arrijmë të përfitojmë këtë herë nga rritja e fortë e kërkesës dhe të shfrytëzojmë avantazhet e tjera konkurruese, përveç atij të përhershmit, që është krahu i lirë i punës? Ky i fundit mund të humbasë gradualisht, për shkak të “refuzimit” të brezave të rinj për të punuar me paga të ulëta dhe ritmeve të larta të emigracionit. Përvoja ka treguar se industria, e vetme, nuk ka arritur të përshtatet. Unioni i Fasonëve kërkon këtë vit një paketë mbështetëse prej 50 milionë eurosh për manifakturën, për të përballuar kostot e ndërrimit dhe kalimit në linja prodhimi të reja.
Në garën e ethshme të Ballkanit, për të tërhequr sa më shumë investitorë, ku fqinjët janë treguar gjithnjë më të shkathët, tashmë është koha që të veprohet me shpejtësi dhe në bashkëpunim me të gjithë aktorët.
Qeveria shqiptare, ndryshe nga sa ka vepruar deri tani, duhet të marrë seriozisht kërkesat e biznesit për paketë mbështetëse dhe të ketë një përqasje proaktive në ndihmën që mund t’i japë industrisë për të rritur vlerën e shtuar, sa nuk është vonë (sinjalet e para pozitive u dhanë, kur Ministria e Financave njoftoi se ka nisur konsultimet me bizneset për këtë qëllim).
Shfrytëzimi i kësaj mundësie, jo vetëm do të ndikonte në rritjen e vlerës së shtuar të industrisë, që sjell si rrjedhojë paga më të larta, por dhe në nxitjen e industrive të tjera mbështetëse dhe hapjen e vendeve të reja të punës.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.