Shansi i turizmit shëndetësor

04/06/2019 2:09 PM 0 komente

hqipëria, në një kontekst global, nuk është e njohur si një destinacion i turizmit shëndetësor, por ka pasur përpjekje të ndjeshme ndër vite, sidomos në kontekst rajonal, për tërheqjen e të huajve në shërbime dentare dhe kirurgji plastike. Shifrat e INSTAT raportojnë për një rënie prej 56% të numrit të hyrjeve të të huajve me qëllim trajtimin shëndetësor në 2018, ndërsa aktorët e tregut pohojnë se nevojitet një strategji e mirëfilltë për tërheqjen e të huajve në këtë fushë…

 

Nga Deada Hyka

 

Në sallën e pritjes të një klinike private të kirurgjisë plastike në Tiranë po presin 4 pacientë, njëri prej të cilëve është i huaj. Të katërt kanë lënë takime me kirurgë të ndryshëm, por i bashkon kërkesa që kanë: rimodelimi i hundës apo rhinoplastika. “Gjithçka është e mundur, hajde ta shikojmë”, – i thotë kirurgu shqiptar, italianit që po priste, në gjuhën e tij.

Në atë moment, të vjen ndër mend që në vitin 2016, fjalia më e kërkuar në Google nga shqiptarët ishte “Sa kushton një operacion i hundës”, gjetje e cila e bëri të njohur vendin e vogël ballkanik në studimin e autorëve amerikanë. Më pas, të kujtohen edhe emigrantët shqiptarë, sidomos ata në Itali, të cilët prisnin gushtin për të marrë shërbimet dentare në Shqipëri, minimalisht me gjysmën e çmimit të vendit ku jetonin. E që më pas, ua bënë ‘atraktive’ edhe italianëve (apo edhe të tjerëve) se sa të voliste të kryeje shërbime dentare në Shqipëri.

Ndërsa sot, në vitin 2019, klinika të ndryshme kirurgjie plastike në kryeqytet pohojnë se, ndërhyrjet plastike janë aseti kryesor që Shqipëria ka pasur vitet e fundit për të tërhequr të huaj. Dhe kjo, thotë dr. Skerdilajd Faria, drejtues i klinikës “Keit”, ka ndodhur kryesisht për shkak të mjekëve italianë, turq apo grekë, që kanë punuar në Shqipëri në 10 -vjeçarin e fundit dhe që ua kanë bërë të ditur këtë “leverdinë në çmime” bashkëkombësve të tyre.

Aktualisht, në klinikën “Keit”, departamenti i statistikës tregon për kryerjen e mbi 8,000 ndërhyrjeve në muaj. Shifra tregon rritjen e tregut të ndërhyrjeve plastike. Në mesin e kërkesave, ka edhe shumë të huaj që kërkojnë shërbime të tilla në vendin tonë. Arsyeja është e thjeshtë, thotë dr. Skerdi, çmimi më i lirë.

“Në vendin tonë po strukturohet dhe po bëhet gjithnjë e më i organizuar, turizmi shëndetësor. Klinikat kanë nisur të bëjnë tërheqjen e klientëve të huaj, në formën e paketës gjithëpërfshirëse: ndërhyrja, post-operacioni, hoteli, ushqimi etj. Ndonëse jemi ende në hapat e parë sa i përket strukturimit, për të cilin nevojiten ende punë, ndërhyrjet kirurgjikale janë të kërkuara nga të huajt, duke qenë se kirurgët janë profesionistë, cilësia është e lartë dhe çmimet janë 50% më të lira se në Itali konkretisht. Disa miq të mitë, kur ishin të dyzuar për të ardhur apo jo në Shqipëri, u bindën duke pasur parasysh se i njëjti kirurg që do t’i ofronte shërbimin që kërkonin edhe në Romë, i njëjti do të ishte edhe në klinikën tonë”, – thotë dr. Skerdi.

Si njohës i fushës, ai shton se, duhet pasur parasysh se shndërrimin e një vendi si pikë e rëndësishme e turizmit shëndetësor nuk e bën vetëm çmimi, por edhe afërsia kulturore, gjuha, të qenët një vend i sigurt për të udhëtuar dhe stafi mjekësor profesional dhe i besueshëm. Pikërisht për këtë arsye, shton dr. Skerdi, italianët kanë qenë më të tërhequr për të marrë shërbime të tilla, duke qenë se kanë gjetur një ‘mini Itali’ këtu, si në staf, ashtu edhe për gjuhën.

Megjithatë, duke u përpjekur të mos jetë përjashtues, dr. Skerdi tregon rastin e një çifti amerikan që erdhën vitin e shkuar për të kryer ndërhyrjen e rimodelimit të hundës, të cilët e shfrytëzuan javën e parë për të bërë pushime në Jug të Shqipërisë, më pas për ndërhyrjen. Kostoja totale e udhëtimit të tyre, bashkë me pushimet, ishte sërish 20% më e lirë se sa kushton vetëm ndërhyrja në Amerikë.

E megjithatë, shërbimet dentare janë bërë gjithnjë e më tepër tërheqëse për italianët, mit të cilin e njohim vite më herët. Antonio Cirillo i jep dorën mjekut stomatolog që për një javë u përkujdes për dhëmbët e tij, në një klinikë në rrugën “21 Dhjetori” në Tiranë, “Të sjellshëm, të buzëqeshur, mbi të gjitha profesionistë. Ju konsideroj artistë se sa specialistë të fushës, jeni të pakapërcyeshëm në proteza dentare. Shërbim të tillë nuk kam hasur në Itali. Më modeluan dhëmbët si një stilist i njohur të krijon një veshje. I kam këshilluar te miqtë e mi në Itali, sepse çmimet janë shumë të mira”, -thotë Antonio, i cili shton se në Tiranë erdhi për arsye biznesi.

 

 

Pse Shqipëria?

Me gjithë profilin e saj të ulët në kujdesin shëndetësor ndërkombëtar, Shqipëria ka nisur të jetë tërheqëse për turistët. Fluturimet ndërkombëtare lidhin Aeroportin e Tiranës me shumicën e destinacioneve në botë. Mediat e huaja, që e cilësojnë Shqipërinë si një vend pa rreziqe dhe me bukuri natyrore të jashtëzakonshme, janë shtuar shumë vitet e fundit. Tirana është bërë një qytet modern, ku flitet gjerësisht anglishtja, infrastruktura e turizmit është e mirë dhe vizitorët e huaj do të kenë një qëndrim të qetë dhe të sigurt.

Klinikat private po punojnë pikërisht në këtë drejtim, duke qenë se lokacioni i tyre është kryesisht në kryeqytet, për të tërhequr klientë potenciale të huaj. Kirurgjia plastike po sheh një zhvillim më të lartë, se sa ndërhyrjet e tjera, sepse sipas aktorëve të tregut, emergjenca e një ndërhyrje të tillë nuk është e lartë (kryesisht bëhet për qejf dhe jo nevojë shëndetësore, ndryshe nga ndërhyrje të tjera), gjë që u jep mundësi atyre edhe që të argëtohen si turistë.

Administratori i klinikës “DaVinci”, Arbër Faria, thotë se, mundësia për të parë një person, qoftë femër apo mashkull, me një hundë të fashuar duke pirë një kafe në Bllok, është e lartë dhe kjo ndodh sepse, në ndërhyrje të tilla estetike, pacienti mund të vijojë jetesën normalisht, me kujdese minimaliste. Sipas Arbrit, për këtë arsye Shqipëria me kirurgët profesionistë të huaj që ka, është atraktive për rajonin, duke ofruar çmime më të lira se Kroacia, Serbia dhe Bullgaria, të cilat e kanë zhvilluar më shumë turizmin shëndetësor se sa ne.

Megjithëse nuk ka hapa të rëndësishëm të mbështetjes së qeverisë qendrore për të nxitur udhëtimin mjekësor në Shqipëri (vetëm një plan i mbetur në letër nga Agjencia Kombëtare e Turizmit e nisur në 2016), sektori privat i kujdesit shëndetësor duket se po merr ‘masa’. Para pak muajve është ndërtuar një agjenci, e cila merret në mënyrë direkte me nxitjen e turizmit shëndetësor në Shqipëri. “Health Tourism Albania” funksionon si një lehtësues i udhëtimit mjekësor me bazë në Shqipëri, për pacientët ndërkombëtarë që dëshirojnë të vizitojnë Shqipërinë për nevojat e tyre shëndetësore.

Duke punuar në partneritet me ofruesit e kujdesit shëndetësor privat, Health Tourism Albania vepron si një lidhje, mes pacientëve dhe ofruesve të shërbimeve mjekësore shqiptare, për t’u dhënë mundësi të përballueshme dhe të shpejta për një gamë të gjerë shërbimesh, të personalizuara dhe të sigurta mjekësore. Erjona Shahini, menaxhere e HTA, thotë për “Monitor” se, Shqipëria mund të jetë një destinacion tërheqës mjekësor për pacientët, veçanërisht për ata që kërkojnë zgjidhje me kosto të ulët.

“Shqipëria tashmë shfaqet si një nga destinacionet europiane për turizmin mjekësor. Kjo për shkak të çmimeve konkurruese, aksesit të shpejtë në trajtime të ndryshme të personalizuara dhe të sigurta, si dhe shërbimeve dhe ekipit mjekësor ekselent. Ajo që ne ofrojmë, mbi të gjitha, është organizimi i udhëtimit të klientit 360gradë. Duke filluar nga marrja në aeroport, prenotimi i hotelit, kontaktet me strukturën spitalore, shoqërimi në të gjitha vizitat, paketë turistike nëse nevojitet deri te ndjekja kur klienti kthehet në atdheun e tij” -thotë znj. Shahini.

 

Si funksionon?

Shumica e kujdesit shëndetësor në Shqipëri është ende shtetërore, megjithatë spitale dhe klinika të reja private kanë ngritur shërbime ambulatore në qytetet kryesore. Këto kanë tendencë të ofrojnë shërbime të teknologjisë më të avancuar se sa shteti dhe shërbime diagnostikuese, por kundrejt një kostoje.

Të gjitha klinikat dentare janë në pronësi private, dhe prej vitesh një numër i këtyre klinikave kanë vërejtur një rritje të pacientëve italianë. Në përgjithësi, kudo në botë, një shtet i caktuar e marketon turizmin shëndetësor që ofron për shërbime ‘luksi’, që kryesisht janë trajtime që nuk mbulohen nga sistemet shëndetësore kombëtare.

E njëjta gjë vlen edhe për Shqipërinë. Vendi ynë nisi të zhvillonte forma turizmi shëndetësor të paorganizuara për shërbime si dentare, kirurgji plastike dhe përkujdesje mirëqenie, për të cilat në vendet mëmë janë shërbime jashtë skemës së mbulimit shëndetësor. Në rastin konkret, pacientët nga vendet e zhvilluara do të udhëtojnë në një destinacion të zgjedhur prej tyre për trajtime të caktuara, duke përfshirë stomatologji, IVF dhe kirurgji kozmetike dhe do të zgjedhin vende me çmime më të lira në raport me cilësinë që do të marrin.
“Zgjedhja e tregjeve të duhura të marrjes së shërbimeve shëndetësore kursen shumë kohë, shpenzime të panevojshme dhe zhgënjime dhe tregon rezultate më të shpejta. Por, për këtë nevojiten struktura të mirëfillta që ta vendosin Shqipërinë në radarin e turizmit shëndetësor”, – thotë Arbri nga “DaVinci”.

Por si funksionon? Administratorja e Agjencisë HTA thotë se, klientët përgjithësisht vijnë nga Italia, duke na kontaktuar direkt kryesisht nëpërmjet rrjeteve sociale, ose nëpërmjet Agjencive partnere. “Kjo ndodh për shkak të afërsisë midis dy vendeve. Gjithashtu, këtë vit, i kemi dhënë shumë vëmendje në komunikim dhe marketing edhe një shteti si Anglia, sepse të dhënat tregojnë që ka një rritje kërkesash në këtë fushë, e cila më parë ishte e paeksploruar.

Mungesat në fonde, shkurtimet në stafin mjekësor, lista të gjata pritjeje, si dhe pasiguritë rreth Brexit bëjnë që pacientët anglezë të eksplorojnë opsione “low cost” jashtë vendit të tyre. Për më tepër, në një vend si Anglia, ku edhe pse shërbimet private janë të shumta, janë të papërballueshme për shumicën e popullatës. Ja pse Shqipëria është një zgjedhje perfekte edhe për anglezët”, – thotë znj. Shahini.
Ajo shton se, ngjarjet e fundit politike kanë ndikuar disi në krijimin e një paqartësie te të huajt, të cilët kanë telefonuar apo janë interesuar paraprakisht se çfarë po ndodh.

Shërbimet për të cilat ka më shumë kërkesa në këtë agjenci janë në fushën e fertilitetit, përkatësisht Fertilizimit in-vitro, më së shumti nga çifte mbi moshën 40 vjeç. “Në Angli, ky lloj shërbimi që përkufizohet si jo-urgjent, është kufizuar shumë, po ashtu edhe në Itali. Dhe të shumta janë çiftet që preferojnë Shqipërinë dhe spitalet tona. Mbjellja e flokëve është gjithashtu në rritje, ku pacienti ka mundësi që të kryejë të gjithë procedurën brenda 24 orëve e më pas të kthehet në vendin e tij.

Përpos kësaj, mund edhe të shijojë bukuritë natyrore të Shqipërisë, për shërbime që nuk kanë nevojë për periudhë të gjatë rikuperimi. Apo për shembull për një zbardhje dhëmbësh. Katarakti i syrit është një shërbim tjetër i kërkuar, nëpërmjet të cilit me një kohëzgjatje prej 15 minutash, pacienti ka një përmirësim të qartë dhe të qëndrueshëm të shikimit. Kërkesë ka edhe në trajtimin e dhëmbëve dhe në kirurgjinë plastike. Kjo për shkak të cilësisë dhe çmimeve jo vetëm në Europë, por edhe në Ballkan”, – përfundon znj. Shahini.

 

Jo rastësisht…

INSTAT raporton për herë të parë rënie të numrit të turistëve të huaj në Shqipëri vitin e shkuar, jo më pak, por më shumë se përgjysmim të numrit të tyre. Në vitin 2017, totali i të huajve që deklaruan se erdhën në Shqipëri për turizëm shëndetësor ka qenë 634, ndërsa në vitin 2018 ishin vetëm 276.

Aktorët e tregut, të kontaktuar nga “Monitor”, pohojnë se nuk kanë pasur një rënie të kërkesës për shërbime kirurgjie, dhe kërkesat më të larta i kanë pasur në fillim të këtij viti. Sipas shifrave të INSTAT, për 4-mujorin raportohen 219 të huaj që kanë ardhur në Shqipëri për turizëm shëndetësor, ndërsa e krahasuar me 4-mujorin e parë të vitit të shkuar, vihet re një rritje prej 210%. Megjithatë, aktorët e tregut tregojnë se, mbi të gjitha duhet kuptuar se Shqipëria nuk mund të jetë një zgjedhje rastësore. Para se një turist i huaj të marrë avionin për të ardhur, duhet të përmbushen një sërë kriteresh nga ana jonë.

Kriteri i parë, i dukshëm kur merren në konsideratë se cilat vende duhet të synojmë të tërheqim, sipas tyre, janë distanca dhe aksesi. Njerëzit nuk do të udhëtojnë kudo për trajtim shëndetësor. Ekzistojnë disa faktorë të veçantë që ndikojnë në zgjedhjen e tyre të destinacionit, duke përfshirë: afërsinë, gjuhën e ngjashme, religjionin e ngjashëm, ndryshimin e monedhës, treguesit cilësorë të sistemit shëndetësor dhe, më pak, një “preferencë e përgjithshme turistike” për atë vend. Ndërsa kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se ata patjetër do të shkojnë atje për trajtim; një turist që e do një vend të caktuar dhe është i njohur me njerëzit dhe destinacionin, mund të konsiderohet një klient më i mundshëm i udhëtimit mjekësor.

Drejtuesit e klinikave private me të cilët “Monitor” ka biseduar thonë se, promovimi i trajtimeve për një vend të caktuar që tashmë ka një sistem shëndetësor kombëtar të zhvilluar dhe një gamë të plotë trajtimesh, mund të jetë zgjedhja e gabuar. Nëse nuk ka një listë të gjatë pritjeje, njerëzit që mund të marrin trajtim në vendin e tyre (veçanërisht nëse sistemi kombëtar i tyre shëndetësor paguan për të) do të zgjedhin që të trajtohen ‘në shtëpi’. Duhet punuar jo vetëm me tërheqjen e një çmimi më të leverdishëm, sipas tyre, por me tërheqjen e vendeve të ngjashme me tonat, si Kosova, Maqedonia, Serbia, që të afrojnë klientë potencialë që të mund të marrin shërbime me mjekë të huaj, që u mungon në vendet respektive.

Drejtuesit e këtyre klinikave shtojnë se, mjaft të shikojmë tendencat aktuale të pacientëve të Azerbajxhanit që shkojnë në spitalet turke për onkologji dhe pacientët bullgarë që udhëtojnë në Greqi, e cila është e kuptueshme për shkak të sistemit shëndetësor më pak të zhvilluar në vendin e tyre.

 

Rritja e partneriteteve hotel-spital

Shumica e turistëve mjekësorë kanë nevojë për hotele për të qëndruar, jo vetëm para, por gjatë dhe pas trajtimit. Çdokush që udhëton në një rrugë të gjatë, për shembull, do t’u duhet të qëndrojë disa net. Gjatë trajtimit, me trendin e vazhdueshëm të kirurgjisë ditore, ku më pak njerëz mbahen gjatë natës në spital, ka gjithashtu nevojë për diku tjetër për të qëndruar.

Dr. Skerdi sjell në kujtesë edhe kontrollet pas operative, të nevojshme për t’u siguruar që të gjitha kanë shkuar mirë, një periudhë rikuperimi dhe më pas, i/e sigurt që të fluturojë në shtëpi.
Shpesh, turistët mjekësorë kanë shoqërues që udhëtojnë me ta. Ky mund të jetë një mik, partner, pjesëtar familje apo edhe shërbyesit që udhëtojnë me pacientin, të cilët të gjithë kanë nevojë diku për të qëndruar. Disponueshmëria dhe shpenzimet e dhomave shpesh nuk merren në konsidatë, nga secila palë.

Spitalet dhe klinikat në qytete të mëdha, apo zona turistike, ndonjëherë gabimisht supozojnë se tashmë ka mjaft vende për një pacient dhe miqtë e tij për të qëndruar – nga hotelet luksoze me 7 yje, te hotelet bazë dhe me mëngjes. Kur krahasojnë çmimet, pacientët mund të mos marrin në konsideratë jo vetëm të gjitha shtesat që spitalet ngarkojnë, por edhe koston reale të qëndrimeve të hotelit. Në shumë vende turistike, çmimet dhe disponueshmëria ndryshojnë nga sezoni, kështu që data kur një pacient zgjedh mund të rrisë ndjeshëm çmimin e udhëtimit.

Pacientët rrallë mendojnë për distancën, përshtatshmërinë dhe vendndodhjen e hoteleve në lidhje me qendrën e trajtimit që po vizitojnë. Vetëm udhëtimi mes spitalit dhe hotelit është çështje më vete, pasi rrjeti i transportit mund të jetë i thjeshtë për njerëzit në gjendje të mirë shëndetësore, por jo aq për ata që i nënshtrohen trajtimit.

Trendi që institucionet mjekësore bëjnë partneritete “hotel-spital” tregon se turizmi mjekësor është në rritje. Dr. Skerdi thotë se, në Tiranë po zhvillohet shumë ky trend dhe është më e volitshme për pacientin që të ketë një total shpenzimi, se sa zëra të ndarë dhe të mos jetë i organizuar se ku do të qëndrojë, udhëtojë etj. Organizimi nis që me marrjen e pacientit nga aeroporti.

 

Turizmi i kirurgjisë plastike

Ndërhyrjet plastike në vend po ofrohen gjithnjë e më shumë me standardet më të mira europiane. Aktorët e tregut pohojnë se kirurgët e huaj, kryesisht italianë, tërheqin më shumë vizitorë të huaj. “Ne po ecim në rrugën e shtruar nga të tjerë para nesh, atë të zhvillimit të turizmit mjekësor. Hapat janë më të mëdhenj se më parë dhe duket shumë premtuese. Pacientit i duhet të qëndrojë disa ditë minimalisht dhe është ideale të bëjë pak turizëm ndërsa rikuperohet, në varësi të trajtimit që do të kryejë”, – pohon dr. Skerdi Faria.

 

Turizmi dentar

Klinika të ndryshme në kryeqytet thonë se, për shërbime dentare si proteza, implantologji etj., çmimet janë deri në 70% më të lira se në Itali, nga ku mbërrijnë pjesa më e madhe e pacientëve.
“Nëse në Itali, për një implant duhet të paguash deri në 2000 euro, në Shqipëri, çmimi është rreth 600 euro”, – pohon dr. Almiri te klinika “Toti dhe Gurakuqi” në Tiranë.

Të kontaktuar nga “Monitor”, drejtuesit e klinikës “Dental Turk” në Tiranë, shprehen se turizmin dentar e kanë pjesë të pandarë të aktivitetit të tyre. Ata tregojnë se marketimi i shërbimeve të tyre bëhet me diferencën e madhe të çmimeve dhe me cilësinë e njëjtë. “Ju mund të kurseni 60% të kostos se sa marrja e këtyre shërbimeve në Europë”, – pohojnë ata, duke shtuar se cilësia e materialeve është e njëjtë dhe shërbimet ofrohen me garanci.

Nga klinika dentare “Vrioni” pohojnë se ata përpiqen që të jenë gjithëpërfshirës jo vetëm në shërbime, por edhe në komunikim. “Duke qenë se kemi klientë nga shumë shtete europiane dhe rajoni, është bërë domosdoshmëri njohja e gjuhëve të huaja kryesore”,- tregojnë ata.
Stomatologët nga klinika “Toronto Dental” shprehen se çmimet në klinikat vendase janë 30% më të lira se në klinikat në rajon, por te ne “çalon” akomodimi për të huajt, që Serbia për shembull dhe Maqedonia e ofrojnë më tepër në formë paketash.
“Kemi kërkesa nga klientë të huaj, por mungon bashkëpunimi i frytshëm me hotelet për të krijuar një paketë të plotë. Në këto raste, çmimi rezulton i lartë nga akomodimi”,- pohojnë ata, ndaj dhe në këtë formë “zhduket” leverdia për marrjen e një shërbimi të caktuar.

 

Turizmi i mirëqenies

Drejtuesit e qendrave Spa në kryeqytet pohojnë se të huajt po bëhen klientë besnikë të tyre, jo vetëm ata rezidentë të përkohshëm, por edhe vizitorë, duke bërë që kjo ‘industri’ të jetë tërheqëse edhe për turistët. “Të shumtë janë vizitorët e huaj që në momentin që vizitojnë Shqipërinë për turizëm, afrohen pranë qendrave tona për të marrë shërbime Spa, të cilat i zgjedhin së tepërmi”,- tregon Emona Begolli, menaxhere në “Bamboo Spa”, Tiranë.

Përfaqësues të disa spa luxury në kryeqytet pohojnë se klientët e tyre të huaj, që akomodohen në hotelet tek të cilat spa-të janë të përfshira, janë shumë më të tërhequr nga këto shërbime se sa shqiptarët. Madje, një pjesë e mirë e të huajve kur rezervojnë, sipas tyre, pyesin a ka Spa hoteli.
Ekspertët pohojnë se shërimi për klientët, krahas relaksit, është tashmë forma më inovative e mjekësisë popullore.

Ndaj dhe AKT, në vitin 2016, shpalli prioritet përfshirjen e aseteve natyrore të mirëqenies në strategjinë e tyre të turizmit, për të tërhequr turistë të huaj. Vendi ynë është i pasur me burime të ujërave termale dhe “kurative” dhe me qendra të ndërtuara pranë tyre, ndër të cilat mund të përmendim: Ujërat termale të Bilajt, në Fushë-Krujë, të pasura me sulfat dhe lëndë minerale, me efekte kurative ndaj reumatizmit, lëkurës dhe sistemit nervor. Llixhat e Elbasanit, ujërat e të cilave kanë vlera të larta terapeutike, ku dhe trajtohen sëmundje të shumta të rrugëve të frymëmarrjes, stomakut, lëkurës. Llixhat e Elbasanit kanë edhe vlera për trajtime kozmetike dhe janë shfrytëzuar që nga periudha romake. Llixhat e Peshkopisë përmbajnë kalium dhe sulfate, ndihmojnë në trajtimin e sëmundjeve në rrugët e frymëmarrjes, reumatizmat, sëmundjet e lëkurës dhe problemet gjinekologjike.

Ujërat termalë të Vronomeros në Leskovik, banjat e avullit të Postenamit, si dhe ujërat kurative të pijshme, siç janë Kroi i Bardhë në Komunën e Selitës në Mirditë, Kroi i Nënës Mbretëreshë në Parkun Kombëtar të Qafë Shtamë etj. Ujërat termale të Bënjës njihen me emrin Banjat e Bënjës. Gjenden 14 kilometra larg qytetit të Përmetit, Komuna Petran, ku 6 burimet kryesore dalin në rrëzë të shkëmbinjve masivë në të dy anët e lumit të Langaricës. Burimet e ujërave termale të Bënjës kanë vlera të veçanta për trajtimet e lëkurës.

 

Turizmi i fertilitetit

Shqipëria konkurron me çmime të favorshme jo vetëm në trajtimet shëndetësore, por edhe në gjithçka tjetër që i nevojitet një të huaji për të përmbushur një paketë të mirë qëndrimi dhe rehabilitimi të këndshëm disaditor. Stafi i marketingut pranë Spitalit Amerikan thotë se ka disa vite që po zhvillohet turizmi i fertilitetit në Shqipëri dhe se cilësia e shërbimit është po aq e mirë sa në klinikat më të mira perëndimore. “Shqipëria është një vend që ka ende shumë sfida e probleme për të kapërcyer, por në shërbimet shëndetësore po bën hapa të qëndrueshëm, si në staf profesional, si në cilësi shërbimi.

Në spitalin tonë, ndër vite janë trajtuar pacientë të huaj për probleme të ndryshme shëndetësore”, – tregojnë përfaqësuesit e marketingut. Sa i përket turizmit të fertilitetit, ata pohojnë se çmimet për një ndërhyrje të tillë janë më lira krahasuar me tarifat e vendosura nga klinikat në Bashkimin Europian. Ndaj dhe në vendin tonë, ata pohojnë se zhvillimi i këtij lloj turizmi ka ardhur edhe nga arsye si përvoja e gjatë e mjekëve, sidomos atyre turq, si dhe metodat e avancuara për të ngjizur një fëmijë.

 

Shqiptarët trajtime, të huajt operacione

Po vihet re rritje kërkesash për ndërhyrje jo evazive në mesin e shqiptarëve. Të huajt vijojnë që të kërkojnë kryesisht rimodelimin e hundës dhe operacionet e rritjes së gjoksit.

Dr. Silvana Vishaj, mjeke kirurge plastike, thotë se vitet e fundit, zhvillimi teknologjik dhe përdorimi në mënyrë efikase me metodat më të fundit, i ka dhënë mundësi sektorit dhe njerëzve që të kryejnë ndërhyrje jo invazive, të cilat duket se janë shtuar shumë në mesin e shqiptarëve.

“Me bumin e madh të shkencës së kirurgjisë plastike dhe mjekësisë estetike, një pjesë e mirë e ndërhyrjeve, që dikur kryheshin nëpërmjet bisturisë, sot kryhen me metoda që nuk dhembin dhe aspak invazive, të cilat i ofrojnë pacientit komoditet të jashtëzakonshëm. Nëpërmjet këtyre metodave kaq të shpejta të cilat nuk shkaktojnë dhimbje mund të arrihet rinimi dhe përsosja e portretit. Këto metoda nuk kërkojnë rikuperim, zgjasin 30-45 minuta dhe pacienti mund të kthehet menjëherë në aktivitetin e tij të zakonshëm”- thotë dr. Vishaj.

Prof. dr. Rudina Thanasi, mjeke dermatolog-venerolog, pohon se ka ardhur koha e ndërhyrjeve estetike jokirurgjikale, duke pasur parasysh se pjesa më e madhe e shqiptarëve që kërkonin rritjen e gjoksit apo buzëve në përmasa të mëdha, janë shuar. Sipas saj, informimi ka bërë që të kërkohen më shumë trajtimet pranë natyrales dhe këtë duhet ta përdorim si një aset edhe për të huajt, duke qenë se trajtime të tilla janë të shkurtra në kohë, si procedurë dhe si kohë rikuperimi pas.

“Duhet të dihet se vetë BOTOX-i kohën e përgjysmimit e ka 14 ditë, eliminohet plotësisht për 28 ditë nga trupi. Efektin estetik e ka nga 45 ditë deri në 6 muaj, sipas llojit të firmës prodhuese, zakonit të mimikës së pacientit, mjekimeve të tjera, që ka marrë përpara dhe pas injektimit me BOTOX dhe zonës gjeografike (zonë e nxehtë apo e ftohtë). Ndaj, dhe trajtimet e fytyrës me Botox-in (Botulinium Toxina) mund të përdoren si tërheqje edhe për të huajt, duke qenë se është alternativa më e leverdishme për pacientin me rrudha mimike. Është një metodë shumë elegante, joinvazive dhe pa nevojë për kohë rikuperimi”, -thotë dr. Thanasi.

Pranë klinikës “Diva” pohojnë se problemet estetike janë shumë të ngjashme në gjithë vendet e Mesdheut, ndaj dhe Shqipëria mund të jetë konkurruese në çmime për tregun mesdhetar. Korrigjimet e formës së hundës dhe zmadhimi i gjoksit janë dy operacionet më të kërkuara, por nuk mbeten pas edhe kërkesat për korrigjime të kapakëve të syve, lifting të fytyrës, rregullim të formës së veshëve apo ngritje të vetullave. Gjithashtu është rritur kërkesa për botox-in dhe rikonturimin e formës së trupit nëpërmjet liposuction-it, si tek femrat, ashtu edhe te meshkujt.

 

Si mund të tërheqësh si vend për turizëm shëndetësor?

  1. Investime të rëndësishme në sektorin shëndetësor
  2. Staf i mirëtrajnuar dhe i njohur jashtë
  3. Çmime konkurruese
  4. Infrastrukturë e mirë
  5. Arritje të rëndësishme shëndetësore

 

Tregu botëror

Tregu global i turizmit mjekësor pritet të arrijë në 179.6 miliardë dollarë në 2026, sipas një raporti të ri nga Grand View Research, Inc., duke regjistruar rritje prej 21.9% gjatë periudhës së parashikimit. Turizmi mjekësor gjeneron të ardhura të drejtpërdrejta dhe kontribuon në zhvillimin e përgjithshëm të çdo ekonomie. Gjithashtu ofron mundësi punësimi dhe biznesi për banorët. Për më tepër, ajo ndihmon rritjen e bizneseve të lidhura si farmaceutike, pajisje mjekësore dhe turizëm. Mbështetja e qeverisë për të ruajtur reputacionin e përgjithshëm dhe stabilitetin politik të vendit pritës është një faktor kyç që ngre tregun e turizmit mjekësor.

Autoritetet qeveritare janë të gatshme të investojnë në kompanitë vendase për të përfituar nga rritja e turizmit mjekësor. Organe të tilla qeveritare kanë autorizuar projekte që ndihmojnë në zhvillimin e përgjithshëm të infrastrukturës në një vend, si sistemi i transportit publik dhe objektet e furnizimit me ujë, për të tërhequr udhëtarët mjekësorë të lartë.

Turizmi mjekësor ka çuar në një ngritje të objekteve mjekësore më të fundit në vendet në zhvillim për të tërhequr shtetas të huaj, duke rezultuar në rritjen e shpejtë të infrastrukturës së kujdesit shëndetësor në vende të tilla. Për më tepër, ofruesit e kujdesit shëndetësor tani ofrojnë paketa gjithëpërfshirëse të turizmit mjekësor që përfshijnë shërbime që shkojnë nga rezervimi i biletave deri tek qëndrimi i hotelit dhe sigurimi mjekësor.

Tailanda dominonte tregun në aspektin e të ardhurave në vitin 2018 për shkak të kostos së ulët dhe shërbimeve mjekësore të cilësisë së mirë të ofruara në vend.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of