SHBA, 227 mijë vende të reja pune në shkurt

23/03/2012 3:39 PM 0 komente

Ekonomia amerikane krijoi 227 mijë vende pune në muajin shkurt, ndërkohë që norma e papunësisë qëndroi në 8.3%, niveli më i ulët i tre viteve të fundit.

Raporti i Departamentit të Punës gjithashtu tregoi se shifra e punëve të reja në dhjetor dhe në janar ishte më e lartë se sa ishte parashikuar.

Presidenti Barack Obama tha se treguesit konfirmojnë se ekonomia është duke u fuqizuar. Papunësia është rritur në 6 muajt e kaluar, por norma e papunësisë ka “ngecur” mbi 8% që nga fillimi i 2009-s.

Kjo, më së shumti është shkak i ndryshimit të masës të forcave të punës. Amerikanët që kishin hequr dorë nga kërkimi për punë kanë nisur të rikthehen në tregun e punës. Ata që kanë rihyrë në treg, por në punë të pasiguruara,

figurojnë si të papunë. Kjo është arsyeja pse norma e papunësisë në muajin shkurt mbeti e pandryshuar në 8.3%.

Numri i vendeve të reja të punës të krijuara ka qenë vazhdimisht mbi 200 mijë në çdo 3-mujor të mëparshëm, duke rritur shpresat se SHBA po rimëkëmbet.

“Detyra jonë tashmë është të ruajmë që motori i ekonomisë të punojë. Ne nuk mund t’i kthehemi të njëjtave politika që na futën në vështirësi”, tha z. Obama në fabrikën e “Rolls Royce” në Virxhinia,

duke insistuar se kohë më të mira do të vijnë.

“Ne nuk mund të kthehemi në një ekonomi që u dobësua nga një borxh i keq i jashtëm dhe fitime të rreme financiare”.

Kandidati potencial republikan për president, Mitt Romney, tha se presidenti ka premtuar tre vjet më parë se do ta ulte papunësinë nën 8%.

“Nuk është ulur nën 8% që prej atëherë. Ky president nuk ka qenë i suksesshëm dhe ka dështuar, prandaj ne do ta largojmë atë në 2012-n”, tha Romney.

Kandidati tjetër për Shtëpinë e Bardhë, Newt Gingrich tha: “Çdo punë e re do të thotë një çek i mirëpritur parash për çdo punëtor amerikan, por siç kanë treguar rimëkëmbjet e mëparshme,

norma aktuale e rritjes do ta lërë ekonominë amerikane të zbehtë edhe në vitet në vazhdim”.

Më parë, kreu i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde, tha se SHBA mund të tejkalojë një rritje të parashikuar prej 1.8% në 2012.

Shifrat më të fundit kanë konfirmuar se deficiti tregtar i SHBA-ve është më i lartë se parashikimi në muajin janar.

Çmimet e larta të karburanteve dhe rritja e kërkesës nxitën rritjen e importeve në një rekord prej 233.4 miliardë dollarësh, sipas të dhënave nga Departamenti i Tregtisë,

ku importet nga Kina janë rritur 4.7% në 34.4 miliardë dollarë. Hendeku i tregtisë ishte 52.6 miliardë dollarë në muajin janar, më i larti që tetori i vitit 2008.

 

Ekspansioni

 

Punësimi në muajin shkurt u rrit në shërbimet profesionale dhe të biznesit me 82 mijë vende, ku gjysma është punësim i përkohshëm.

Rritje të punësimit gjithashtu pati në shërbimin mjekësor dhe në asistencën sociale, argëtim dhe hoteleri, manifakturë dhe miniera. Manifaktura regjistroi 31 mijë vende të reja pune,

kryesisht nga prodhuesit e makinave që kanë punësuar njerëz të rinj dhe kanë shtuar turnet dhe orët jashtë orarit, me qëllim përmbushjen e kërkesave pas ndërprerjes së prodhimit në fillim të vitit të kaluar,

për shkak të cunamit dhe tërmetit në Japoni.

Një tjetër shifër pozitive nga një revizionim i të dhënave që tregonin se ekonomia ka krijuar me shumë se 61 mijë vende të reja pune në muajin dhjetor dhe janar më shumë se sa ishte parashikuar.

Paul Ashworth, shef për ekonominë amerikane në “Capital Economics”, tha se shifrat evidentuan faktin se tregu amerikan i punës ka nisur kthesën.

“Janë të gjitha shanset që muaji mars të regjistrojë të njëjtat shifra”. Numri i njerëzve të papunë mbeti i pandryshuar në muajin e kaluar, në 12.8 milionë. Kurse numri i atyre që kanë punuar part-time,

sepse orët e tyre të punës janë shkurtuar apo sepse kanë qenë të paaftë të gjejnë një punë me kohë të plotë, ka mbetur në 8.1 milionë vetë.

Papunësia është një nga çështjet më të nxehta dhe të debatuara në mesin e kandidatëve që luftojnë për të fituar zgjedhjet presidenciale të muajit nëntor. Një përmirësim në shifra shihet si i favorshëm për presidentin në detyrë, Barak Obama.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of