Shtetet e Bashkuara dhe 60 vende të tjera nënshkruan të enjten një angazhim politik për të nxitur rregulla për internetin që mbështeten te vlerat demokratike, në një kohë kur SHBA ka akuzuar Rusinë për shfrytëzimin e ndërprerjeve të internetit si pjesë e sulmeve të saj të përshkallëzuara ndaj Ukrainës.
Pjesë e kësaj marrëveshje janë edhe Shqipëria dhe vendet e tjera të rajonit, si Kosova, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.
Ky angazhim, i quajtur “Deklarata për të Ardhmen e Internetit” – përpjekja e parë e këtij lloji – mbron të drejtat e njeriut, promovon rrjedhën e lirë të informacionit, mbron privatësinë e përdoruesve dhe vendos rregulla për një ekonomi dixhitale globale në rritje, përmes hapave për të kundërshtuar atë që dy zyrtarë të administratës Biden e quajtën një “model të ri të rrezikshëm” të politikës së internetit që po përdoret nga vende të tilla si Rusia dhe Kina.
Shtetet e Bashkuara po dëshmojnë një prirje globale për rritjen e autoritarizmit dixhital, me vende të tilla si Rusia që kanë ndërmarrë veprime për të shtypur lirinë e shprehjes, për të censuruar faqet e pavarura të lajmeve, për të ndërhyrë në zgjedhje, për të promovuar dezinformimin dhe për t’u mohuar qytetarëve të tyre edhe të drejta të tjera njerëzore.
“Shikoni se çfarë po bën Rusia, shikoni hapat që po ndërmerr Kina. Kjo që po bëjmë ne është një përgjigje ndaj këtyre lloj tendencave të ‘ndarjes së internetit’, të cilat po ndërmerren nga disa vende autoritare në mbarë botën,” tha një nga zyrtarët në SHBA, duke iu referuar karakterizimit të ndarjes së internetit për shkak të faktorëve të ndryshëm, ku përfshihet dhe politika.
Që nga fillimi i pushtimit në Ukrainë, Rusia ka nisur sulmet e saj kibernetike, duke përfshirë sulmin në rrjetin e një ofruesi të internetit satelitor gjatë fillimit të luftës. Zyrtarët e administratës thanë se ky angazhim i ri nuk është një përpjekje për të adresuar ҫështjen e luftës kibernetike.
Kjo deklaratë është një version i modifikuar i përpjekjeve të vitit të kaluar të Shtëpisë së Bardhë për të bërë bashkë një koalicion të demokracive rreth një vizioni për një rrjet interneti të hapur dhe të lirë.
Vendet që i bashkohen SHBA-së në këtë nismë janë: Shqipëria, Andorra, Argjentina, Australia, Austria, Belgjika, Bullgaria, Cabo Verde, Kanadaja, Kolumbia, Kosta Rika, Kroacia, Qipro, Republika Çeke, Danimarka, Republika Domenikane, Estonia, Komisioni Evropian, Finlanda, Franca, Gjeorgjia, Gjermania, Greqia, Hungaria, Islanda, Irlanda, Izraeli, Italia, Xhamajka, Japonia, Kenia, Kosova, Letonia, Lituania, Luksemburgu, Maldivet, Malta, Ishujt Marshall, Mikronezia, Moldavia, Mali i Zi, Holanda, Zelanda e Re, Nigeria, Maqedonia e Veriut, Palau, Peruja, Polonia, Portugalia, Rumania, Senegali, Serbia, Sllovakia, Sllovenia, Spanja, Suedia, Tajvani, Trinidad dhe Tobago, Mbretëria e Bashkuar, Ukraina dhe Uruguai./ Reuters