John Kerry, i dërguari presidencial i SHBA-së për klimën, deklaroi se Rumania do të jetë vendi i parë që do të ndërtojë një termocentral bërthamor, duke përdorur teknologjinë e reaktorit të vogël modular (SMR), të projektuar nga SHBA.
Teknologjia SMR është ende e re dhe plani po promovohet si provë e kontributit të saj në luftimin e ndryshimeve klimatike. Shtëpia e Bardhë deklaroi se Rumania do të ndërmarrë një hap “të madh teknologjik” në garën për të siguruar furnizime me energji jo-fosile në Europën Lindore, me ndërtimin e këtij reaktori të ri bërthamor që ndihmon në dekarbonizimin e furnizimit me energji elektrike në vend, i cili aktualisht varet nga shtatë termocentrale me qymyr.
SMR-të kanë qenë në zhvillim në mbarë botën prej disa vitesh, dhe në vitin 2014, Departamenti i Energjisë i SHBA-së rriti fondet për të përparuar më shpejt me këtë teknologji. Reaktorët janë afërsisht sa një e dhjeta deri në një të katërtën e madhësisë së modeleve konvencionale dhe mund të prodhohen në masë në një fabrikë, në vend që të transportohen nga jashtë. Kjo do të thotë se ato mund të përdoren jo vetëm në impiantet e mëdha qendrore të energjisë elektrike, por edhe si burime energjie në fabrika të tjera ose instalime industriale.
Përkrahësit e kësaj teknologjie, thonë se ajo do të jetë më e sigurt në përdorim sesa reaktorët konvencionalë. Komisioni Rregullator Bërthamor i SHBA-së, kohët e fundit, dha dritën jeshile për dizajnin bazë, por nuk është ende e qartë nëse komunitetet lokale në SHBA apo në Rumani, do t’i pranojnë instalimet e ardhshme.
Ndërkohë, e ardhmja politike e energjisë bërthamore në Europë, është ende e pasigurt. Shtetet anëtare të BE-së po debatojnë ende nëse energjia bërthamore dhe gazi duhet të jenë pjesë e tranzicionit të bllokut drejt një ekonomie me karbon të ulët, në dekadat e ardhshme. Ndërkohë që Gjermania ka hequr dorë nga termocentralet e saj bërthamore, shtete të tjera si Franca dhe Belgjika, varen së tepërmi nga energjia elektrike e prodhuar nëpërmjet fuzionit bërthamor. Muajin e kaluar, presidenti francez, Emmanuel Macron, njoftoi planet për të ndërtuar centrale bërthamore në shkallë të vogël, të cilat janë gjithashtu pjesë e planit të Mbretërisë së Bashkuar për të arritur emetimet zero.
Uzina rumune do të përdorë gjashtë module të vogla reaktorësh, të projektuar nga kompania amerikane NuScale Power, me seli në Portland, Oregon. Shtëpia e Bardhë ka thënë se projekti do të krijojë 3,700 vende pune amerikane dhe rumune. Për SHBA-në, ndërtimi i një fabrike në Rumani, përbën një bonus gjeopolitik në synimin e vendit për të ulur varësinë e Europës nga nafta dhe gazi rus.
Një përpjekje e mëparshme e SHBA-së për të investuar në një projekt energjetik në Rumani, dështoi pasi aktivistët e gjelbër bllokuan ndërtimin e një fabrike të planifikuar nga kompania Chevron, në rajonin Pungeşti. Gjiganti amerikan i energjisë, argumentoi se projekti do të ndihmonte Rumaninë të bëhej më pak e varur nga importet e gazit nga Rusia, por më pas u detyrua ta braktiste atë pas tre vjet protestash.