Të dalësh nga shtëpia nuk është vetëm më e rrallë në këto kohë, por është edhe shumë më e shtrenjtë.
Në përgjithësi, çmimet që konsumatorët paguajnë për mallra dhe shërbime kanë shënuar së fundmi rritjen e tyre më të madhe vjetore që nga viti 1982.
Vetëm çmimet e gazit janë rritur me plot 58.1% gjatë vitit të kaluar.
Edhe një darkë për dy persona nuk kushton më sa më parë. Restorantet, të cilat kanë qenë nën presion që nga fillimi i pandemisë, kanë rritur ҫmimet e menuve të tyre, për të përballuar sfidat e vazhdueshme që lidhen me stafin dhe kostot e larta të ushqimit.
Shumë restoranteve u është dashur të rrisin pagat për të tërhequr punonjës, përveçse të paguajnë më shumë për përbërësit e ushqimeve. Kjo ka bërë që çmimet e menuve të duken tashmë shumë më ndryshe nga më parë.
Në përgjithësi, kostoja e të ngrënit jashtë u rrit me 6% gjatë vitit të kaluar, rritja më e lartë që nga viti 1982, sipas Departamentit të Punës të SHBA-së (megjithëse kostoja e të ngrënit në shtëpi u rrit me ritme akoma më të larta).
Një film në kinema vazhdon të kushtojë afërsisht njësoj sa përpara pandemisë Covid, sipas Shoqatës Kombëtare të Pronarëve të Kinemave. Biletat që kushtojnë rreth 10 dollarë janë më të lirat që mund të gjenden.
Nga ana tjetër, kostoja për të shkuar në pothuajse çdo event tjetër është rritur.
Në vitin 2019, do t’ju kushtonte mesatarisht 96 dollarë për të parë një artist në koncert, por çmimet e biletave të këtij viti janë duke vendosur një rekord të ri.
Nëse jeni fans i sporteve, biletat e NBA dhe NHL (Liga Kombëtare e Hokeit) kushtojnë mesatarisht rreth 94 dollarë, sipas të dhënave nga SeatGeek, ndërsa ҫmimi mesatar i biletës për një ndeshje të Ligës Kombëtare të Futbollit, pa përfshirë lojërat e playoff-it, kushton edhe më shumë – afërsisht 151 dollarë.
Në tregun sekondar, ku blihen dhe shiten shumë prej këtyre biletave, çmimi mesatar i rishitjes për biletë u rrit me afërsisht 28% për eventet sportive dhe me rreth 45% për koncertet, që nga fillimi i pandemisë.
Çmimi mesatar i rishitjes së një bilete për Ligën Kombëtare të Futbollit, për shembull, shkoi në 237 dollarë nga 198 dollarë.
Edhe për ata që ndjekin artin, ka ndodhur e njëjta gjë.
Muzeu Metropolitan i Artit në Nju Jork, i cili përmban një nga koleksionet më të mëdha në botë, dikur kishte vetëm një “donacion të sugjeruar” që mund të paguhej për të hyrë në muze. Ky donacion tashmë është kufizuar vetëm për banorët e shtetit të Nju Jorkut dhe studentët, ndërsa të gjithë vizitorët e tjerë duhet të paguajnë 25 dollarë për një biletë që të mund të hyjnë në muze.
Muzetë e tjerë, duke përfshirë Muzeun e Artit Modern të Fort Worth dhe Muzeun e Artit Crocker në Sacramento, Kaliforni, ngritën çmimet e biletave me të paktën 50%, sipas një raporti nga faqja DealA, e cila krahasoi çmimin e muajit të kaluar të një bilete me çmimet e vitit 2017.
Çmimet e biletave për atraksionet e tjera që u goditën rëndë nga kufizimet e Covid, kanë pësuar gjithashtu rritje shumë të larta – gati sa dyfishi i asaj që ishin përpara pandemisë, zbuloi DealA.
Bileta për në parkun argëtues Funland në Rehoboth Beach, Delaware, për shembull, kushton tani 30 dollarë, nga 15 dollarë që ishte vetëm disa vite më parë. Dollywood në Pigeon Forge, Tenesi; Sesame Place në Bucks County, Pensilvani; dhe Santa’s Village, parku i Krishtlindjeve në New Hampshire, rritën çmimet e biletave, përkatësisht me 22%, 29% dhe 50%, gjatë së njëjtës periudhë./ CNBC