SHBA propozon normën minimale globale të taksës së korporatës prej 15%

24/05/2021 3:05 PM 0 komente

Korporatat në të gjithë botën duhet të paguajnë të paktën një taksë 15% mbi fitimet e tyre, deklaroi Departamenti i Thesarit si pjesë e nxitjes së tij për një normë minimale globale për bizneset.

Norma përfundimtare mund të jetë edhe më e lartë se shifra e mësipërme, sipas njoftimit të Departamentit të Thesarit që tha se minimumi prej 15% është një “dysheme dhe se diskutimet duhet të vazhdojnë të jenë më ambicioze dhe ta çuar atë normë në nivele më të larta”.

Kompanitë me bazë në Shtetet e Bashkuara aktualisht paguajnë një normë prej 21%, një nivel që u ul gjatë administratës Trump.

Më parë, niveli i lartë arrinte në 35%. Sipas një propozimi nga Presidenti Joe Biden, norma e taksave do të ngrihej në 28%, pjesë e një plani për të rritur taksat si për kompanitë ashtu edhe për personat me të ardhura të larta. Por Shtëpia e Bardhë dëshiron t’i çojë planet e saj të taksave edhe jashtë kufirit.

Sekretarja e Thesarit, Janet Yellen është shprehur në lidhje me përfitimet e një norme minimale globale të taksës së korporatave që sipas saj do të ndalonte veprimin që bëjnë rëndom kompani të ndryshme të cilat zhvendosen në vende të tjera për të ulur barrën e tyre të taksave edhe pse shumica e operacioneve të tyre janë në Shtetet e Bashkuara.

“Struktura ndërkombëtare e taksave duhet të stabilizohet dhe të jetë sa më e drejtë dhe se duhet të krijohet një mjedis në të cilin vendet të punojnë së bashku për të ruajtur bazat e taksave të vendosura dhe për të siguruar që sistemi global i tyre të jetë i barabartë dhe i pajisur për të plotësuar nevojat e ekonomisë globale të shekullit 21-të”, tha Departamenti i Thesarit në një njoftim për shtyp.

Sekretarja Yellen ka shprehur keqardhje sepse po luhet një gare e padrejtë midis vendeve që ulin normat e tyre në përpjekje për të tërhequr kompanitë e huaja, prandaj po propozohet vendosja e minimumit global të taksës së korporatave për të ndryshuar këtë situatë, por është ende e paqartë sesa shtete do të duan të marrin pjesë.

Departamenti i Thesarit e bëri të qartë se një normë minimale globale e taksave të korporatave do të siguronte që ekonomia globale të lulëzonte bazuar në një fushë më të barabartë loje në taksimin e korporatave shumëkombëshe dhe do të nxiste inovacionin, rritjen dhe prosperitetin duke përmirësuar drejtësinë për klasën e mesme dhe atë punëtore./CNBC

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of