Pretendimet e Rusisë se po tërheq trupat nga kufiri ukrainas janë të rreme, sipas Shteteve të Bashkuara, duke deklaruar se numri i forcave është rritur me 7 mijë.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price tha se SHBA kishte parë “më shumë forca ruse, jo më pak”. Një zyrtar i lartë amerikan thotë se rreth 7000 trupa janë shtuar ditët e fundit, një pjesë e të cilëve kanë mbërritur të mërkurën.
Moska deklaroi të martën se disa nga trupat e saj kishin filluar të tërhiqeshin nga kufiri sepse kishin “përfunduar misionin e tyre”.
Nga ana tjetër Presidenti amerikan Joe Biden tha në të njëjtën ditë se Rusia kishte mbledhur më shumë se 150 mijë trupa në kufirin ukrainas.
Kremlini e ka mohuar në mënyrë të përsëritur se ata po planifikojnë një pushtim pavarësisht grumbullimit të trupave pranë Ukrainës.
Ministrat e mbrojtjes të NATO-s ranë dakord të mërkurën të konsiderojnë krijimin e grupeve të reja në Europën Qendrore, Lindore dhe Juglindore, tha Stoltenberg.
“Nuk është shumë vonë që Rusia të tërhiqet nga pragu i konfliktit dhe të zgjedhë rrugën e paqes”, tha ai.
Rusia ka kërkuar që NATO të mos përfshijë vendet e tjera ish-sovjetike dhe që të tërhiqte dislokimet e saj në Evropën Lindore.
“NATO nuk do të bëjë kompromis mbi parimet thelbësore, të drejtën e çdo kombi për të zgjedhur rrugën e vet dhe aftësinë tonë për të mbrojtur dhe mbrojtur të gjithë aleatët”, tha Stoltenberg të mërkurën./ Euronews