Presidenti amerikan Joe Biden ka njoftuar masa gjithëpërfshirëse kundër Covid-19 që kërkojnë që punëtorët në kompanitë e mëdha të vaksinohen ose të kryejnë testime javore.
Masat gjithashtu përfshijnë urdhra vaksinimi për miliona punonjës të qeverisë federale.
Spitalet në disa shtete kanë arritur kapacitetin nga përhapja e variantit Delta.
Kërkesat e reja përfshijnë rreth 100 milionë punëtorë.
“Kjo nuk ka të bëjë me lirinë, ose zgjedhjen personale, ka të bëjë me mbrojtjen e vetes dhe personave të tjerë pranë jush,” tha presidenti ndërsa shpalosi planin e tij.
Më shumë se 650 mijë amerikanë kanë vdekur nga Covid-19 që nga viti i kaluar. Rreth 80 milionë njerëz në SHBA mbeten të pavaksinuar.
Biden njoftoi planin e tij në një fjalim në Shtëpinë e Bardhë të enjten.
Ai tha se kishte udhëzuar Departamentin Amerikan të Punës që të kërkonte nga të gjitha bizneset private me 100 ose më shumë punonjës, që të bënin të detyrueshëm vaksinimin ose të kërkonin prova të një testi negativ të paktën një herë në javë.
Gati 17 milionë punonjës të kujdesit shëndetësor gjithashtu do të përballen me të njëjtat kërkesa, tha ai.
Plani shkaktoi një reagim të menjëhershëm midis disa republikanëve, të cilët argumentuan se qeveria nuk duhet të luajë një rol në vendimet shëndetësore të individëve.
Nuk ka më kohë për t’u folur me butësi atyre që nuk duan të marrin vaksinën Covid-19. Tashmë ka ardhur koha për mandatet qeveritare.
Ky ishte mesazhi i hapur që Joe Biden i dha kombit të enjten pasdite. Zoti Biden tha se urdhrat e tij për vaksinat nuk kishin të bënin me lirinë ose zgjedhjen personale, por pikërisht kështu do t’i konsiderojnë disa amerikanë – si një zgjedhje e detyruar midis vaksinimit dhe punësimit. Dhe ndërsa mandatet do të rrisin numrin e amerikanëve të vaksinuar, ai gjithashtu do të ndezë një debat tashmë të tensionuar politik.
Plani i ri i Biden për Covid
Plani i presidentit përdor fuqinë e plotë të pushtetit të tij ekzekutiv për të urdhëruar vaksinimin për amerikanët e pavaksinuar.
Bizneset që nuk respektojnë rregullat e reja mund të përballen me mijëra dollarë gjobë për shkelje.
Një mandat i veçantë federal, për të cilin Shtëpia e Bardhë thotë se do të ndikojë në rreth 2.5 milion punonjës të qeverisë, zëvendësoi urdhrin e mëparshëm të Biden që i lejonte punonjësit e qeverisë t’u nënshtroheshin testeve të rregullta nëse nuk dëshironin të vaksinoheshin. Tani punëtorët që refuzojnë vaksinën mund të pushohen nga puna.
Në përgjithësi, rregulli tani kërkon që rreth dy të tretat e të gjithë punonjësve amerikanë të jenë të vaksinuar.