Rritja më e madhe e yield-eve të obligacioneve në shumë dekada arriti një moment të rëndësishëm të hënën, pasi yield-i i bonove 10-vjeçare të Thesarit u ngjit në shifrën 3% për herë të parë që nga fundi i vitit 2018.
Yield-i i bonove 10-vjeçare të Thesarit, i cili rritet kur bien çmimet e bonove, kaloi nivelin 3% përpara takimit të kësaj jave të Rezervës Federale, duke u tregtuar së fundi me 3,002%, sipas Tradeweb. Ky yield, i cili shërben si një referencë për kostot e huamarrjes për gjithçka, nga kreditë hipotekore e deri tek ato studentore, kaloi nivelin 3% për herë të fundit në nëntor të vitit 2018 dhe është rritur nga shifra 1.496% që kishte në fund të vitit të kaluar.
Çmimet për bonot e Thesarit, bonot e korporatave dhe borxhin komunal kanë rënë këtë vit si rrjedhojë e lëvizjeve të Fed për të rritur normat e interesit, në një përpjekje për të frenuar inflacionin. Indeksi i agreguar i bonove – i cili përllogaritet nga Bloomberg dhe përfshin kryesisht bonot e Thesarit të SHBA-së, obligacionet e korporatave që kanë vlerësime të larta dhe letrat me vlerë që kanë garanci hipotekore – u kthye në minus 9.5% këtë vit më 29 prill.
“Kanë qenë disa muaj goxha të vështirë,” tha Nick Hayes, shefi i kthimit total dhe shpërndarjes së aseteve të të ardhurave fikse në AXA Investment Managers.
Yield-et e bonove të Thesarit reflektojnë kryesisht pritshmëritë e investitorëve për normat afatshkurtra të interesit gjatë jetëgjatësisë së një obligacioni. Rritja e yield-eve shpesh shoqërohet me një ekonomi që forcohet, sepse kjo rritje e shpejtë dhe mungesat në tregun e punës mund t’i bëjnë bankat qendrore që të ulin inflacionin.
Në rrethanat e tanishme, tregu i punës ka shumë mungesa dhe inflacioni po rritet me ritmin e tij më të shpejtë në shumë dekada, duke detyruar Rezervën Federale që të sinjalizojë një seri të shpejtë të rritjeve të normave të interesit dhe duke shkaktuar një rritje të konsiderueshme të yield-eve, e cila ka dërguar një valë tronditëse nëpër tregje.
Nuk ka gjasa që investitorët të jenë më të lehtësuar, derisa të zvogëlohen shqetësimet për inflacionin, i cili ka pasur një rritje shumë të madhe që kur shpërthimet e Covid-19 në Azi filluan të ushtrojnë presion mbi zinxhirët globalë të furnizimit dhe lufta në Ukrainë rriti çmimet e mallrave, tha Zachary Griffiths, ekspert i strategjive makroekonomike në Wells Fargo.
“Ka shumë pasiguri në lidhje me inflacionin, me politikat monetare dhe me gjeopolitikën,” tha zoti Griffiths. “Edhe pse Fed ka sinjalizuar se do të shtrëngojë ndjeshëm politikën monetare, në fakt këto masa nuk duket se i kanë ulur ende pritshmëritë për inflacionin, të paktën jo në mënyrë të qëndrueshme.”
Zyrtarët e Fed rritën normat e interesit me një çerek përqindjeje në mars. Nisur nga takimi i fundit i Fed për politikat monetare, banka qendrore mund të rrisë normat me gjysmë përqind të mërkurën dhe mund të fillojë të zvogëlojë portofolin e saj të aktiveve prej 9 trilion dollarësh. Kjo mund të ketë surprizuar investitorët në treg që prisnin një ritëm më pak agresiv, tha z. Griffiths.
Yield-et e bonove dhjetëvjeçare të Thesarit kanë qenë mbi 3% për pjesën më të madhe të gjysmëshekullit të kaluar, duke tejkaluar shifrën 15% në vitet 1980, sipas Ryan ALM & Tradeweb ICE. Por, gjatë dekadës së fundit, ato e kanë mbyllur ditën mbi 3% vetëm 64 herë.
Derivatet e normës së interesit tregojnë se investitorët presin që Fed do të rrisë normën e saj standarde të fondeve federale, nga niveli aktual midis 0.25% dhe 0.5%, në pak mbi 3% vitin e ardhshëm./ Financial Times