Në suitën e tij në Old Street në Londër, nën vështrimin vigjilent të një statuje të vogël guri, Christian Angermayer kujton një përvojë me drogat psikodelike, që i ndryshoi jetën, shkruan The Economist.
Bëhet fjalë për vite më parë, në një ishull të vogël në Karaibe. Udhëtimi ishte aq kuptimplotë për investitorin, saqë ai vendosi të mbështeste firmat bioteknike që përdorin substancat psikodelike për të luftuar depresionin, ankthin, varësinë dhe probleme të tjera të shëndetit mendor.
Firma të tilla startup po u shërbejnë gjithnjë e më shumë klientëve nga bota e korporatave. Një numër në rritje firmash dëshirojnë t’i ofrojnë stafit të tyre ilaçe të tilla, qoftë për hir të shëndetit mendor, qoftë për të përjetuar përvojën unike.
Rritja e interesit po nxitet nga dëshmitë mbi sigurinë dhe efikasitetin e substancave psikodelike, kur ato konsumohen në mjedise të kontrolluara. Ketamina është tashmë e disponueshme ligjërisht, për efekt anestezie, ashtu si dhe për trajtimin e depresionit në klinikat në të gjithë Amerikën dhe Europën. Psilocybin është i disponueshëm ligjërisht në Amsterdam dhe do të bëhet i ligjshëm në Oregon vitin e ardhshëm.
Dhe rregullatori amerikan i barnave pritet që së shpejti të vendosë nëse do të miratojë MDMA-në (që nxit ekstazinë) për përdorim në trajtimin e çrregullimit të stresit post-traumatik.
Në shkurt, Dr Bronner’s, prodhues amerikan i sapunit që ka mbështetur prej kohësh përpjekjet për të zbutur ligjet rreth përdorimit të psikodelikëve dhe kanabisit, shtoi terapinë që kombinon ketaminën dhe këshillimin mbi kujdesin për shëndetin mendor.
Daniel Poneman nga agjencia sportive Beyond Athlete Management, thotë se ilaçi psikodelik ka qenë jashtëzakonisht efektiv për të ndihmuar klientët që kanë probleme me ankthin dhe izolimin, për shkak të udhëtimeve të vazhdueshme.
Ronan Levy, bashkëthemelues i Field Trip, ofrues i përvojave psikodelike nga Amsterdami, rrëfen për lojtarë basketbolli të NBA-së që ishin gati të largoheshin nga sporti dhe u rikthyen në rrugën e tyre të karrierës, falë përdorimit të substancave psikodelike.
Psikodelikët kanë përdorime korporative, që shkojnë përtej përmirësimit të shëndetit mendor të punëtorëve. Anne Philippi, shefja e kompanisë gjermane The New Health Club, thotë se disa firma po eksperimentojnë me ilaçe të tilla, për t’i bërë drejtuesit më të dhembshur, për të rritur bashkëpunimin në ekip dhe për të nxitur krijimtarinë, ose për të ndryshuar kulturën e kompanisë. Field Trip ofron një pushim në fundjavë për drejtuesit e kompanive, për t’i lejuar ata të përjetojnë “një nivel të ri të vetëdijes”.
Duhet bërë kujdes që të shmanget keqpërdorimi. Psikodelikët nuk janë të përshtatshëm për disa probleme të shëndetit mendor, siç është skizofrenia. Ashtu si me pijet alkoolike pas punës, jo të gjithë duan ose mund t’i konsumojnë ato.
Një menaxhere asetesh në një zyrë të madhe familjare, raporton se nuk e di nëse duhet të pranojë apo jo një ftesë nga një firmë, për të shkuar në një vilë në Kaliforni, ku do të jetë i ftuar edhe një shaman.
Dhe një përvojë mashtruese mund t’i shtyjë punëtorët që të vënë në dyshim gjithçka, duke përfshirë kapitalizmin dhe natyrën e punës. Teksa mundësi të tilla të pazakonta po zgjerohen me shpejtësi, kompanitë do të tregoheshin të mençura nëse do të merrnin çdo vendim në lidhje me përdorimin e biznesit të tyre, me një mendje të kthjellët.