Shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieva, tha të enjten se mundësia që rritja ekonomike globale të bjerë nën 2% vitin e ardhshëm po rritet për shkak të efekteve të vazhdueshme të luftës në Ukrainë dhe ngadalësimeve të aktivitetit ekonomik në Europë, Kinë dhe Shtetet e Bashkuara.
Georgieva tha në konferencën e Reuters NEXT se ajo ishte veçanërisht e shqetësuar për ngadalësimin ekonomik në Kinë, sepse ekonomia e dytë më e madhe në botë ka qenë një motor i fuqishëm i rritjes globale.
FMN do të përditësojë perspektivën e saj ekonomike në muajin janar dhe duket se situata “është errësuar kohët e fundit, bazuar tek ajo që shohim te sentimenti i konsumatorëve dhe i investitorëve,” tha ajo.
Në tetor, FMN uli parashikimin e saj të rritjes globale për vitin 2023 në 2.7%, krahasuar me parashikimin prej 2.9% në korrik, mes presioneve të shumta nga lufta në Ukrainë, çmimet e larta të energjisë dhe të ushqimeve, inflacioni dhe normat tepër të larta të interesit, duke paralajmëruar se kushtet mund të përkeqësohen ndjeshëm vitin e ardhshëm.
Në atë kohë, FMN vendosi një probabilitet prej 25% që rritja ekonomike globale do të ishte më e vogël se 2% vitin e ardhshëm – një fenomen që ka ndodhur vetëm pesë herë që nga viti 1970 – dhe tha se kishte një mundësi më të lartë se 10% për një rënie globale të PBB-së.
“Ne jemi të shqetësuar se ky probabilitet mund të rritet pak më tepër,” tha Georgieva të enjten, duke përmendur ndikimin që do të ketë “lufta e pakuptimtë” e Rusisë në Ukrainë tek ekonomia e Europës, si dhe ngadalësimet ekonomike në Shtetet e Bashkuara, Europë dhe Kinë./ Reuters