Sherefedin Shehu, ish-zëvendësministër i Financave me përvojë në rialokimet buxhetore, tha se, të ardhurat shtesë që janë krijuar si pasojë e rritjes së çmimeve dhe konstatohen kryesisht tek tatimet mbi konsumin (indirekte) si Tatimi mbi Vlerën e Shtuar apo akcizën, duhet të synojnë kompensimin e atyre që i kanë paguar këto taksa “shtesë”, që në këtë rast janë qytetarët.
Prandaj, pa asnjë mëdyshje, përparësia e rishpërndarjes së të ardhurave të rritura për shkak të inflacionit duhet të shkojë si ndihmë direkte për shtresat në nevojë, por edhe për shtresat e mesme, tha zoti Shehu.
Zoti Shehu, buxheti publik grumbulloi gjatë 4-mujorit të parë 2022 rreth 100 milionë euro më shumë se plani dhe gjithashtu rreth 300 milionë euro më shumë se fakti i 4-mujorit të parë 2022. Ku mendoni se është më mirë që të aplikohet rishpërndarja: a) si ulje taksash; b) si ndihme drektë te shtresat në nevoje; c) tek investimet publike apo d) tek shlyerja e borxhit publik?
Këto të ardhura janë krijuar si pasojë e rritjes së çmimeve dhe konstatohen kryesisht te tatimet mbi konsumin (indirekte) si Tatimi mbi Vlerën e Shtuar apo akcizën.
Për këtë arsye, edhe rishpërndarja e tyre duhet të synojë kompensimin e atyre që i kanë paguar këto taksa “shtesë” që, në këtë rast, janë qytetarët. Prandaj pa asnjë mëdyshje, prioriteti i rishpërndarjes së të ardhurave të rritura, për shkak të inflacionit, duhet të shkojë si ndihmë direkte për shtresat në nevojë por edhe për shtresat e mesme.
Po t’u referohemi politikave të përgjegjshme, një pjesë e këtyre të ardhurave duhet të shkojnë për uljen e borxhit publik, pasi supozohet se në këto situata paqëndrueshmërie, qeveritë e rrisin borxhin për mbështetjen e qytetarëve dhe, nga ana tjetër, rritet edhe kostoja e borxhit publik nga rritja e normës bazë të interesit si masë anti-inflacioniste.
Në Shqipëri, borxhi nuk është rritur për shkak të mbështetjes që u është dhënë bizneseve dhe qytetarëve, por megjithatë përdorimi i të ardhurave për uljen e borxhit rekomandohet si një politikë efektive që kontribuon në stabilitetin financiar.
Përdorimi i të ardhurave për investime në këtë situatë nuk rekomandohet si prioritet, pasi në periudha krizash, përparësi është mbrojtja e qytetarëve.
Në përgjithësi, Qeveritë në këto periudha i shkurtojnë investimet publike me qëllim që të krijojnë hapësirë për mbështetjen e qytetarëve dhe bizneseve dhe njëkohësisht të frenojnë rritjen e borxhit publik. Kjo nuk ka ndodhur në Shqipëri, as gjatë pandemisë dhe as pas saj dhe nga ana tjetër, investimet publike nuk garantojnë efektivitet të lartë. Prandaj rekomandohet që më parë të përmirësohet menaxhimi i tyre dhe më pas të mbështetet rritja e tyre.
Për sa i përket përdorimit të burimeve suplementare për uljen e tatimeve, në përgjithësi nuk rekomandohet. Politika e uljes së taksave për tatimet indirekte nuk rekomandohet kategorikisht, ndërsa për tatimet direkte, mund të bëhen ulje në varësi të qëllimit të politikës.
Kështu mund të ulet tatimi mbi fitimin ose dividentin nëse politika synon që të mbështesë biznesin, ose të ulet tatimi mbi të ardhurat personale, nëse politika synon që të mbështesë qytetarët.
Por, ulja e tatimeve mbi konsumin (indirekte) si Tatimi mbi Vlerën e Shtuar apo akcizën nuk rekomandohet në asnjë situatë, sepse ajo nuk garanton uljen e çmimeve në treg i cili zakonisht përdoret si argument nga propozuesit e politikës.
Megjithatë, retorika për këtë lloj politikë preferohet shumë nga politikanët, sepse ajo shitet si politikë që do të ulë çmimet, ndërsa në të vërtetë, këto të fundit përcaktohen nga tregu. Kështu, efekti i uljes së tatimeve mbi konsumin mund të ndihet fare pak, ose aspak në treg, dhe kjo është më e vërtetë në kushtet e presioneve të larta inflacioniste në ditët e sotme.
Përfundimisht, në këtë situatë, përdorimi i të ardhurave suplementare për uljen e tatimeve dhe sidomos të atyre mbi konsumin, nuk rekomandohet, pasi mund të cenojë stabilitetin fiskal në një periudhë afatgjatë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.