Nga Sherefedin Shehu, profesor dhe konsulent i lirë
Besoj se të gjithë e pranojmë që me projektin më të “suksesshëm” të pagëzuar me një emër shokues “1 Miliard euro” biznesi privat do t’i japë kësaj Qeverie 1 miliard euro borxh gjatë 2-3 viteve të ardhshme dhe qeveritë që do të vijnë pas saj le të vrasin veten. Pra sot kjo Qeveri në letër po i “stabilizon” financat ndërsa kur ajo të mos jetë, le të destabilizohen. Kjo është filozofi e njohur për të majtët: “Apres nous, le deluge” (Pas nesh, le të bëhet hataja).
Që do të jetë borxh nuk e vë kush në dyshim. Por sa do të paguajmë për këtë borxh?
a. Në faturën që bizneset do t’i bëjnë Qeverisë do të shtojnë fitimin e investimit në projektet publike “veresie” për 15 vjet si dhe koston e kredisë që do të marrin në banka, sepse nuk besoj se ato kanë kaq shumë para të thata në “jastëk”.
b. Po të supozojmë një interes minimal 10% për kredinë (8% është sot interesi për obligacionet 7-vjeçare) atëherë për pagimin e saj biznesi duhet të fitojë të paktën 15%. Kështu kosto mesatare e kapitalit (kredi+para të veta) do të jetë minimalisht 12%.
c. Me të dhënat e mësipërme mund të themi se Qeveria do të marrë sot nga biznesi një kredi për 13 vjet (shlyerja fillon pas dy vjetësh) me një kosto minimale vjetore 12%.
d. Një kredi 13-vjeçare me 12% interes që paguhet me 13 këste të barabarta vjetore kushton 2.2 herë më shumë se vlera e kredisë që merret sot. Ndryshe mund të thuhet: për çdo lek që biznesi do të investojë “veresie” sot do të marrë mbrapsht 2.2 lekë ose më shumë se dyfish. Pra fatura e projekteve të ndërtuara “veresie” nga biznesi është dy herë më e madhe se sa kostoja e tyre.
e. Meqenëse dikush mund të thotë se edhe Qeveria do të merrte kredi për këto projekte duhet të konsiderojmë që kostoja e kredive që merr qeveria është nën 5%. Dhe në këtë rast përsëri nuk do të paguanim 2.2 lekë, por vetëm 1.2 lekë për çdo lek të investuar nga vetë Qeveria.
f. Në fund na del se Fatura që bizneset e ndershme do t’i bëjnë qeverisë do të jetë të paktën 2.2 herë më e lartë se sa kostoja e investimit, ose nga fatura 1 miliard euro që do të paguajë qeveria vetëm 490 milionë do të jenë investime reale. Ndërkohë përvoja na tregon se gjatë zbatimit të projekteve publike fatura shtohet nga “pengesat” që krijon qeveria dhe “domosdoshmëria” për ndryshimin e projekteve.
Përjashtimi nga taksat i hoteleve me yje, politikë e sponsorizuar nga grupet e interesit
Ulja e normës së Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSh) për hotelet me 5 yje është politikë selektive dhe me rreziqe për të ardhurat buxhetore. Turizmi në Shqipëri nuk është elitar dhe hotelet me 5 yje nuk janë pjesa më e rëndësishme e infrastrukturës turistike. Në këtë këndvështrim, kjo politikë nuk e nxit turizmin por favorizon një rrjet të kufizuar të hotelerisë urbane ose është e sponsorizuar nga projekte turistike që sot janë në letër.
Mbështetja e sektorit të turizmit me përjashtime dhe ulje selektive të normës së TVSh-së e deformon sistemin tatimor.
TVSh në Shqipëri është zbatuar për më shumë se 20 vjet dhe zbatimi i normave tatimore të diferencuara e dobëson këtë lloj tatimi dhe rrezikon të ardhurat buxhetore. Nga ana tjetër, ulja e normës tatimore të TVSh-së nuk garanton uljen e çmimit për konsumatorët. Për rrjedhojë, kjo politikë do të shërbejë vetëm për rritjen e fitimit të disa bizneseve selektive që mund të kenë sponsorizuar këtë projekt dhe nuk nxit investimet e reja dhe konkurrueshmërinë në sektorin e turizmit. Pra, me këtë politikë nuk do të lehtësohet sektori i turizmit, por do të favorizohen disa operatorë potencialë të tij. Meqenëse edhe çmimet nuk pritet që të ulen, atëherë nuk pritet që të rritet kërkesa konsumatore në këtë sektor.
Mbështetja e sektorit të turizmit dhe rritja e konkurrueshmërisë së tij mund të realizohen me mekanizma transparente dhe që përfshijnë operatorët turistikë pa përjashtim. Ato duhet të nxisin investimet në këtë sektor, nëpërmjet lehtësimit të procedurave të lejeve dhe licencave dhe uljes së kostos së ndërtimit. Për sa i përket kostos së operimit, favoret mund të ofrohen për nxitjen e punësimit dhe kompensimin pjesor të kostos së punës.
Sa i përket zbatimit të TVSh-së për të gjitha bizneset e vogla është një politikë ineficente dhe një barrë e shtuar për to. Analiza e xhiros reale të bizneseve tregon se një dyqan shitje me pakicë, që sot bën xhiro 5 milionë lekë në vit, xhiron reale të tij e ka më të vogël se një berber apo këpucar. Në 5 milionët e xhiros së tij, të paktën 4 milionë është vlera që ai ka paguar për mallrat që shet. Pra, xhiroja e vërtetë e tij është 1 milion lekë, dhe kjo duhet të merret si referencë për përfshirjen e tyre në skemën e pagimit të TVSh-së.
Për zbatimin e TVSh-së për këtë kategori biznesi duhet të konsiderojmë të ardhurat reale të tyre. Nga xhiroja e mbetur prej 1 milion lekësh të llogaritur më sipër, ata duhet të paguajnë tatimin ose qiranë për dyqanin, sigurimet shoqërore dhe shëndetësore për vete dhe anëtarët e familjes, taksat e bashkisë, faturën e energjisë dhe të ujit, lyerjen dhe mirëmbajtjen e dyqanit dhe shpenzime të tjera, përveç vlerës së mallrave të blera. Dhe, po të zbatohet TVSh-ja, ata duhet që të paguajnë edhe një tatim të shtuar në masën 20% të kësaj vlere mbasi shumica e shpenzimeve të listuara më sipër nuk kanë TVSh të zbritshme.
Këto shifra na tregojnë se e ardhura që ju mbetet për vete këtyre bizneseve është më e vogël se 4 milionë lekë në vit ose rreth 30 mijë lekë në muaj. Nga ana tjetër, një i punësuar që paguhet me 30 mijë lekë në muaj nuk paguan asnjë detyrim, ndërsa një “biznesmen” i vogël që fiton 30 mijë lekë në muaj duhet të paguajë tatim mbi të ardhurat. Kështu me vendosjen e TVSh-së mbi bizneset e vogla do t’i detyrojë ato që ose të rrisin me 20% çmimet e mallrave dhe shërbimeve, ose të pakësojnë fitimin e tyre me të paktën 20%. Përveç kësaj, bizneset e vogla do të detyrohen që të punësojnë një llogaritar për faturat mujore, ose edhe 3-mujore të TVSH-së dhe mbajtjen e inventarit, si dhe do t’ju nënshtrohen abuzimeve administrative për kreditimin dhe rimbursimin e TVSh-së.
Zbatimi i TVSh-së është një manovër për të rritur barrën fiskale. Arsyeja e vërtetë që sot bizneset nuk e marrin faturën nuk është mospërfshirja në skemën e TVSh-së, por korrupsioni. Prandaj në vend të falimentimit të bizneseve të vogla, Qeveria duhet të zbatojë rekomandimin e FMN-së për “një regjim të thjeshtuar” në strukturën e TVSH-së dhe të tatimfitimit për bizneset e vogla.
Nga ana tjetër, përjashtimi nga pagimi i tatimit mbi fitimin nuk ka rezultuar të jetë një politikë e suksesshme dhe ka pasur deformime, duke thithur kapitale në investime afatshkurtra ose biznese që janë mbyllur pas periudhës së përjashtimit. Ndërkohë propozimi për përjashtimin nga tatimi mbi fitimin bazuar në yjet e hoteleve është politikë selektive dhe nxit evazionin fiskal. Në kushtet e një kulture të dobët administrative dhe sidomos të administrimit të dobët tatimor do të rritet artificialisht numri i hoteleve subjekt i përjashtimit. Nga ana tjetër do të dobësohet konkurrueshmëria brenda sektorit në kushtet, kur numri më i madh i turistëve në Shqipëri përdorin shtretërit e ofruar nga individët dhe strukturat e standardeve më të ulëta hoteliere. Edhe përjashtimi nga pagimi i taksës së ndikimit në infrastrukturë për ndërtimin e strukturave të reja akomoduese është diskriminues. Dhe, ashtu siç u tha për përjashtimin nga TVSh, mbështetja e investimeve në sektorin e turizmit mund të bëhet më mirë me mekanizma transparente dhe jodiskriminuese.
Për uljen e normës së fitimit për subjekte që prodhojnë softe mendoj se edhe ky favor nuk do të realizojë qëllimin për të cilin ofrohet. Vendet e tjera i nxisin investimet për kërkim dhe zhvillim, ndërsa prodhimi i softeve është një komponent i parëndësishëm i këtyre investimeve. Prandaj, edhe kjo politikë duket e sponsorizuar dhe nëse synohet mbështetja e zhvillimit të këtij sektori, atëherë duhet të përdoren praktikat e njohura ndërkombëtare si amortizimi i përshpejtuar për nxitjen e futjes së sistemeve dhe teknologjive të reja, përjashtimi nga tatimi i pjesës së fitimit të përdorur për kërkim-zhvillim dhe ofrimi i lehtësive për blerjen e teknologjisë së re, të drejtave dhe patentave të pronësisë intelektuale.
Sa i takon normës tatimore për tatimin mbi pasurinë mund të ndryshohet nga për m² në përqindje mbi vlerën e tregut. Por për sa kohë që mbledhja e këtij tatimi është e pastabilizuar, normat tatimore duhet të jenë të ulëta. Normat duhet të përcaktohen mbi bazën e një analize dhe të garantohet niveli i sotëm i barrës së këtij tatimi edhe pas ndryshimit të bazë së tatueshme. Për rritjen e performancës së tij, duhet që bashkive t’ju pakësohet transferta e pakushtëzuar nëse ata vjelin më pak se 80% të shumës së tatimit mbi ndërtesat të vlerësuar dhe mbi këtë bazë të lejohet edhe rritja e normës tatimore në vitet e ardhshme.
Kadastra fiskale për këtë lloj tatimi ekziston dhe është hipoteka dhe nuk ka nevojë që të angazhohet Qeveria qendrore për krijimin e saj.
Qeveria duhet të përmirësojë atë dhe të lehtësojë përdorimin e saj nga njësitë e qeverisjes vendore. Kështu është e panevojshme edhe krijimi pranë Ministrisë së Financave i një strukture përgjegjëse për këtë qëllim.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.