HEC-i i parashikuar për t’u ndërtuar në afërsi të Kanionit të Holtës në Bashkinë e Gramshit nuk do të ndërtohet. Pas dëgjesave me banorët, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë së bashku me autoritetet e tjera, ka bërë të mundur shembjen e digës së betonit e ndërtuar në afërsi të Kanionit.
Zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Hantin Bonati, së bashku me kryetarin e Bashkisë Gramsh, Klodian Taçe, ndoqën nga afër aksionin për shembjen e këtij objekti.
Në prononcimin për mediat, zëvendësministri Bonati u shpreh se vendimi për moslejimin e ndërtimit të HEC-it në Kanionin e Holtës erdhi pas shqetësimit të adresuar nga qytetarët dhe analizës së bërë nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë së bashku me autoritetet e tjera për ndikimin që shkaktonte kjo vepër në mjedis. Bonati bëri të ditur gjithashtu se do të punohet deri në kthimin e territorit në të njëjtën gjendje në të cilën ishte para se të realizoheshin punimet.
“Jemi këtu për këtë vepër ndërtimore këtu pas dëgjesave që kemi bërë me komunitetin, banorët e zonës por edhe me persona të tjerë që e frekuentojnë Kanionin e Holtës, dhe analiza që është bërë nga Ministria e Infrastrukturës dhe Ministritë e tjera dhe për të parë problematikën që kjo krijon. Sot jemi këtu për të prishur këtë vepër ndërtimore e cila edhe nga shqetësimet e ngritura dëmton edhe peizazhin dhe kthimin e territorit në gjendjen e mëparshme me rikuperimin komplet të pjesës lumore sikurse ka qenë”, u shpreh Bonati.
Zëvendësministri tha më tej se sa i takon gabioneve të vendosura për të mbrojtur kryesisht tokën nga rrëshqitjet do të dëgjohet sërish zëri i qytetarëve dhe nëse këta të fundit do të kërkojnë edhe largimin e tyre atëherë do të ndërhyhet sërish.
Nga ana e tij, kryebashkiaku Taçe falënderoi Ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, për reagimin e menjëhershëm ndaj këtij shqetësimi të banorëve të Bashkisë Gramsh duke dëgjuar zërin e tyre. “Në radhë të parë unë doja të falënderoja ministrinë e Energjetikes, ka qenë një reagim në një kohë rekord duke u bazuar në shqetësimin e banorëve të Gramshit. Kanioni i Holtës është një nga vendet e shumta turistike që ka Gramshi, ne po mbajmë atë premtim që u kemi dhënë qytetarëve, çdo shqetësim i tyre do jetë shqetësimi jonë kështu që vendet turistike të Gramshit sot do vizitohen më shumë nga të gjithë turistët”, theksoi kryebashkiaku.
Kanioni i Holtës është një nga pikat turistike më të vizituar në bashkinë e Gramshit. Në vendin ku ishte ndërtuar diga do të ndërhyhet për të rikuperuar dëmtimin e shkaktuar në mjedis.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.