Ambasada ukrainase në Selinë e Shenjtë: “Sipas inteligjencës, trupat ruse po përgatisin një sulm ajror në Katedrale”. E ndërtuar nga sovrani Jaroslav I në vitin 1037, është një nga vendet më të famshme në Kiev dhe siti i parë ukrainas i përfshirë në Trashëgiminë Botërore të UNESCO-s
Ndër objektivat e trupave ruse është edhe Katedralja e Shën Sofisë në Kiev. Lajmi u bë i ditur nga ambasada ukrainase në Selinë e Shenjtë: “Inteligjenca mendon se ushtria ruse po përgatit një sulm ajror në Katedrale, pasuri e UNESCO-s”.
Katedralja e Shën Sofisë në Kiev u shpall vend i Trashëgimisë Botërore në vitin 1990. Ajo është krenaria e qytetit me kupolat e saj të arta dhe të gjelbra dhe ndërtesat e manastirit. Katedralja është simbol i kryeqytetit mijëravjeçar ukrainas dhe unitetit të vendit.
Ndërtimi i saj nisi në vitin 1037, me dëshirën e Jaroslav të Urtit (1016-1054). I ati, Vladimir I Svyatoslaviç i Kievit, u konvertua në i krishterë në vitin 988, duke përqafuar ritin ortodoks dhe pati ndërtuar një kishë kushtuar Virgjëreshës (e cila u shemb dy shekuj më vonë).
Jaroslav ndërtoi një më të madhe, duke marrë emrin nga Shën Sofia e Kostandinopojës. E ngritur në kodrën më të lartë të qytetit, në kryqëzimin e katër rrugëve kryesore të hyrjes për në Kiev, kisha e re duhet të tërhiqte pelegrinët për madhështinë e saj.
Pjesa e brendshme frymëzohet nga kishat e vjetra ruse dhe ruan mozaikë të shekullit XI të stilit bizantin, të cilët mbulojnë një sipërfaqe totale prej 260 metrash katrorë.
Me madhështinë e saj, Shën Sofia ishte vendi i kurorëzimit të princave ukrainas. Pas kambanores së lartë katërkatëshe, ku dominon një kupolë e artë, shndrisin 12 kupolat më të vogla të ndërtuara në një stil që të sjell ndër mend shkëlqimin barok.
Pas revolucionit të vitit 1917, qeveria ruse pati vendosur shkatërrimin e saj, i cili u shmang falë thirrjes së historianëve dhe shkencëtarëve. Në vitin 1934, autoritetet sovjetike konfiskuan kompleksin dhe e kthyen në muze. Sot i gjithë kompleksi është një muze i krishterimit ukrainas.
/ tg24.sky.it