Kalimi për menaxhim nga privatët i ka rritur disafish kostot për disa shërbime shëndetësore. Shpenzimet buxhetore për shërbimin laboratorik në vitin 2015 ishin 2.3 milionë euro, ndërsa koncesionari do të paguhet me rreth 10 milionë euro në vit. Dhënia me shpejtësi e koncesioneve në sektor ka sjellë dublime ndërmjet tyre.
Labopharma (menaxhimi i laboratorëve) dhe 3P Life Logistic Check Up) paguhen me 16 milionë euro në vit nga buxheti për shërbime laboratorike, kryesisht. Ekspertët vënë në dukje se koncesionet janë bërë duke mos marrë në konsideratë analizat e kostove dhe përfitimeve. Penalizohen qytetarët shqiptarë
Blerina Hoxha
Taksapaguesit shqiptarë do të paguajnë për analizat në laboratorët publikë gati 3 herë më shumë se sa aktualisht, duke filluar që nga ky vit. Para pak ditësh, qeveria, me një garë të hapur, autorizoi kompaninë Labopharma që të ofrojë shërbimin e laboratorëve nëpërmjet formës koncesionare PPP (Partneritet Publik Privat) për 18 spitale rajonale dhe 2 bashkiake për 10 vitet e ardhshme, kundrejt vlerës 13 miliardë lekë, të cilat do të paguhen nga buxheti i shtetit.
Me këtë fond, shpenzimet buxhetore për shërbimin publik të analizave rriten më shumë se tre herë. Gazmend Koduzi, ish- drejtori i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, pohoi se mesatarisht fondet e buxhetit për laboratorët në një vit kalendarik ishin 800 mijë euro ose pak më shumë se 110 milionë lekë. Me këtë shumë, spitalet publike kryenin rreth 4,9 milionë analiza në vit, duke mbuluar të gjithë nevojat spitalore për të shtruarit dhe duke plotësuar gati 30 për qind të nevojave për shërbimin ambulator.
Për pagat e stafit të shërbimit laboratorik, qeveria shqiptare paguan një shumë prej 215 milionë lekësh në vit (1.5 milionë euro) që shkon për 442 laborantë, sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë.
Aktualisht, qeveria shpenzon për shërbimin laboratorik 2.3 milionë euro në vit, ndërsa koncensionari do të shpenzojë 10 milionë euro për të njëjtën periudhë dhe për të njëjtin shërbim.
Koduzi, një ekspert me përvojë në llogaritjen e kostove të shërbimeve shëndetësore, pohon se nga kjo politikë fiton vetëm koncesionari, humbësit janë qytetarët shqiptarë dhe arka e shtetit.
Kompania, që do të ofrojë këtë shërbim më së paku 3 herë më shtrenjtë, do të përdorë ambientet aktuale të laboratorëve. Një pjesë e tyre tashmë kanë pajisjet më të fundit të laboratorit. Por edhe nëse investohet në pajisje të reja, Koduzi thotë se në rastin më të mirë, shpenzimet për instalimin e tyre nuk do t’i kalojnë 3 milionë eurot. Më tej, shpenzimet e kompanisë janë për blerjen e kiteve që shërbejnë për leximin e analizave dhe pagesat për stafin. Por distributorët e mëdhenj të preparateve mjekësore kanë disa parime si të gjitha linjat e tregut. Për konsumatorët e mëdhenj të kiteve, ata japin pajisjen e laboratorike falas. Çdo kompani që ka një kontratë dhjetëvjeçare për blerje kitesh mbi 1 milion euro në vit, i merr falas laboratorët ose me një çmim shumë të ulët. Ekspertët e sektorit pohojnë se skema funksionon njëlloj si shitja e kafesë: ata që konsumojnë shumë kafe, marrin falas ekspresin. Ata që njohin tregun e produkteve mjekësore, e dinë shumë mirë këtë fakt.
Koduzi thotë se nëse kjo shumë do të investohej në laboratorët publikë, të jeni të sigurt që të gjithë qytetarët shqiptarë do të mbuloheshin me shërbim laboratorik publik cilësor. Sot, spitalet shtetërore kanë stafe të kualifikuara laborantësh dhe shumica prej tyre, edhe laboratorë tërësisht të rinj, por problemi ka qenë se asnjëherë qeveritë nuk kanë përmbushur nevojat për lëndën të parë për leximin e analizave, kitet.
Sipas parashikimeve të Ministrisë së Shëndetësisë, kontrata e koncesionit të laboratorit të katërt në radhë në sektorin e shëndetësisë do të nisë nga operimi në gjysmën e dytë të vitit, në muajin korrik, ndërsa Ministria e Financave ka programuar ta financojë kompaninë që nga ky vit me 1,07 miliardë lekë. Koncesionarët do të marrin në 20 vitet e ardhshme 311 milionë euro nga arka e shtetit, shumë kjo e mjaftueshme për të modernizuar spitalet publike me të gjitha pajisjet.
Superfatura për dy koncesione që ofrojnë të njëjtin shërbim
Pasi ka vendosur që të kalojë në administrim të një privati shërbimin e laboratorit, Ministria e Shëndetësisë praktikisht ka mbivendosur funksionet e koncesionit të ri me atë të Check Up. Kompania “3P Life Logistic”, e njohur ndryshe si check-up (kontrolli bazë mjekësor) ofron në thelb shërbimin e laboratorit. Intervistat për llogari të koncesionarit të check up me pacientët realizohen nga personeli shtetëror, i cili është pjesë e shërbimit parësor. Pjesa që mbetet për check up është vetëm transporti dhe kryerja e analizave laboratorike. Check up ka një kontratë 10-vjeçare me qeveritë dhe do të paguhet me fondet e buxhetit të shtetit 7.8 miliardë lekë, ose 787 milionë lekë në vit.
Në të njëjtën kohë, qeveria do të paguajë koncesionin e shërbimit laboratorik me 1.3 miliardë lekë në vit (ose 10 milionë euro) dhe po me 6 milionë euro të tjera në vit shërbimin laboratorik që ofrohet nga Check Up, gjithsej fatura shkon 16 milionë euro në vit. Me këtë shumë, vetëm në një vit do të pajiseshin të gjitha spitalet rajonale me laboratorë dhe kite nga më modernet, analizojnë ekspertët. Për 10 vite, pagesa për dy koncesionet do të jetë 160 milionë euro, shumë kjo për të ndërtuar 4 spitale të mëdha nga e para të standardit të spitalit privat, Hygea.
Ish-zyrtari i FDKSSH, Gazmend Koduzi, tha se koncesionet në shëndetësi nuk u dhanë duke u udhëhequr nga logjika ekonomike. Ai tha se koncesionet nuk kishin një fizibilitet paraprak dhe janë miratuar në mungesë të plotë transparence. Ai tha se Ministria e Shëndetësisë ka refuzuar të informojë edhe komisionet parlamentare. Koduzi sqaroi se koncesioni i Check Up nuk u shoqërua me asnjë analizë për treguesit që synoheshin të përmirësoheshin, kështu që çdo analizë që kërkohet të bëhet më tej nuk mund të analizohet, pasi i mungon tërësisht baza e krahasimit. Më tej, Koduzi thotë se koncesioni nuk po kryen as funksionet që i ka në kontratë. Sipas kontratës, kompania duhet të lajmëronte me burimet e veta njerëzore pacientët që të bënin check up, nëpërmjet telefonatave dhe lajmërimeve në postë, por aktualisht këto shërbime i kryejnë punonjësit e shtetit, të cilët shpesh janë vënë nën presion për të gjetur pacientë në mënyrë të sforcuar për të bërë kontrollin.
Ministria e Shëndetësisë e pyetur nga “Monitor”, nëpërmjet një kërkesë për të drejtë informimi, nuk dha informacion në lidhje me analizat kosto përfitime që kanë shoqëruar procesin e dhënies së shërbimeve shëndetësore me koncesion.
Si u fry vlera e koncesionit të laboratorit me 21% vetëm në tre muaj
Ministria e Shëndetësisë i kishte kërkuar Ministrisë së Financave, në kuadër të diskutimeve për buxhetin 2017, që të llogariste një shumë prej 10.7 miliardë lekësh si shpenzime që do të shtriheshin për një periudhë 10-vjeçare ndaj koncesionit të ri të shërbimit laboratorik. Ministria e Financave e raportoi këtë shumë në Kuvend, si pjesë e shpenzimeve buxhetore duke detajuar se për vitin e parë të koncesionit (2017) do të paguheshin rreth 1 miliard lekë (7.8 milionë euro). Përllogaritjet u bënë në kohën kur tenderi për gjetjen e kompanisë që do të menaxhonte laboratorët nëpërmjet financimit publik ishte në procedura. Fituesi u shpall më datën 24 prill 2017 dhe shuma e ofruar ndaj tij kundrejt shërbimit rezultoi 13 miliardë lekë, ose 21% më shumë se sa planifikoi qeveria për të shpenzuar për këtë koncesion në fund të vitit të kaluar. Me këtë vlerë, koncesioni i laboratorëve është më i shtrenjti i dhënë deri më tani nga qeveritë shqiptare ndër vite dhe sigurisht më i kushtueshmi në sektorin e shëndetësisë.
Ish- zyrtari i lartë i Institutit të Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor (sot Fondi i Detyrueshëm i Kujdesit Shëndetësor) thotë se kjo politikë e ndjekur nga qeveria për koncesionet ka dëmtuar rëndë funksionimin e qendrave spitalore, pasi u ka hequr atyre një nga shërbimet bazë. Partneriteti Publik Privat ka funksionuar për shërbime mbështetëse të spitaleve, si pastrimi dhe ushqimi, por nuk sugjerohet për funksionet themelore spitalore.
Kriteret për fituesin, nuk vlerësojnë laboratorët
Kur Ministria e Shëndetësisë hartoi kriteret për garën e koncesionit të laboratorit kërkoi pikët më të ulëta për rrjetin e laboratorëve dhe burimet njerëzore, të cilat u vlerësuan secila me nga 10 pikë. Në sistemin prej 60 pikësh, me 15 pikë u vlerësua plani i menaxhimit të cilësisë dhe metodologjia e analizave dhe po kështu me 15 pikë u vlerësua edhe kalendari i zbatimit të projektit. Sistemi i pikëzimit për 5 kriteret themelore dha pikët më të ulëta për pajisjet dhe burimet njerëzore dhe më të larta për kalendarin e zbatimit të projektit.
Laboratorët, përgjegjësitë e Labopharmes
Sipas informacionit paraprak nga Ministria e Shëndetësisë, partneri privat, në këtë rast kompania Labopharma, do të jetë përgjegjës për të prodhuar të gjithë dokumentet e projektimit dhe do të kryejë punimet për rinovim dhe përmirësim, prokurimin dhe instalimin e të gjithë pajisjeve dhe mobilieve të nevojshme si dhe për personelin, operimin dhe menaxhimin e mjediseve laboratorike në përputhje me standardet lokale dhe standardet e performancës të IFC.
Partneri privat do të marrë në punë dhe trajnojë stafin që kërkohet për lëvrimin e shërbimeve. Punësimi i punonjësve aktualë që punojnë në 18 laboratorët spitalorë publikë do të mbeten përgjegjësi e partnerit privat. Partneri privat do të ketë të drejtën (por jo një detyrim) për të vlerësuar dhe për të ofruar punësim për punonjësit aktualë të laboratorëve publikë ekzistues. Atyre punonjësve, të cilëve nuk ju është ofruar punësim me Partnerin Privat, ose nuk janë të gatshëm të punojnë me partnerin privat, do t’u ofrohen plane punësimi alternativ nga partneri privat.
Së dyti, partneri privat do të kryejë 160 lloje analizash për të gjithë pacientët e shtruar dhe pacientët e referuar ambulatorë.
Së treti, pagesa e analizave do të bëhet në përputhje me numrin e raportuar të numrit të analizave të kryera.
Së katërti, performanca e partnerit privat do të matet përkundrejt treguesve kyç të performancës (KPI) me një mekanizëm ndëshkimi. Kontrata parashikon një fazë ngritjeje me një periudhë ‘grace’ gjatë së cilës nuk zbatohen ndëshkimet.
Së pesti, partneri privat do t’i dorëzojë raporte operacionale partnerit publik dhe komisionit ndërlidhës në bazë tremujore dhe vjetore.
Së gjashti, partneri privat do të lejojë studentët të regjistrohen në [TBD], si pjesë e kursit të studimeve të tyre, të aksesojnë mjediset përkatëse laboratorike për qëllimin e ndërmarrjes së trajnimit praktik në përputhje me kërkesat e përcaktuara nga programi i tyre mësimor.
Së shtati, partneri publik do të ofrojë ekskluzivitet të ofrimit të shërbimeve laboratorike për pacientët e shtruar dhe të urgjencës; Partneri privat do t’u shërbejë pacientëve ambulatorë të cilët janë referuar siç duhet në spitale dhe që kërkojnë shërbime në laborator.
Së teti, partneri publik do t’i japë partnerit privat të drejta për përdorimin (por jo pronësinë) e mjediseve laboratorike në spitalet publike për të gjithë kohëzgjatjen e marrëveshjes.
Së nënti, partneri publik do të monitorojë performancën e partnerit privat dhe do të sigurojë përputhjen me kushtet e Marrëveshjes PPP.
Së dhjeti, partneri publik do të jetë përgjegjës për ofrimin e mundësive alternative të punësimit për ata punonjës të qendrave publike, të cilëve nuk do t’ju ofrohet apo nuk pranojnë punësimin tek partneri privat;
Së njëmbëdhjeti, partneri publik do të garantojë asistencë në marrjen e lejeve dhe miratimeve të nevojshme, siç përcaktohet nga legjislacioni në Republikën e Shqipërisë. Ofrimi i Shërbimeve dhe Mekanizmi i Pagesave do të kryhet në bazë të performancës, që do të thotë se ofruesi duhet të ofrojë shërbime laboratorike në standardet e miratuara dhe treguesit e performancës. Partneri privat do të lëshojë fatura mujore për spitalet referuese (ku është rekomanduar analiza) dhe pagesat do të bëhen brenda 30 ditëve nga marrja e faturës. Parashikohet një proces përshkallëzimi, në rast të mosmarrëveshjeve rreth pagesave. Pagesat bëhen në Lek shqiptar dhe janë pjesërisht të indeksuar ndaj inflacionit dhe normës së këmbimit të valutës.
Përgjegjësia e qeverisë
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, qeveria do të ofrojë ekskluzivitet të ofrimit të shërbimeve laboratorike për pacientët e shtruar dhe të urgjencës. Partneri privat do t’u shërbejë pacientëve ambulatorë të cilët janë referuar siç duhet në spitale dhe që kërkojnë shërbime në laborator. Qeveria do t’i japë partnerit privat të drejta për përdorimin (por jo pronësinë) e mjediseve laboratorike në spitalet publike për të gjithë kohëzgjatjen e marrëveshjes. Qeveria do të monitorojë performancën e partnerit privat dhe do të sigurojë përputhjen me kushtet e marrëveshjes, PPP. Qeveria do të jetë përgjegjëse për ofrimin e mundësive alternative të punësimit për ata punonjës të qendrave publike, të cilëve nuk do t’ju ofrohet apo nuk pranojnë punësimin tek partneri privat. Qeveria do të garantojë koncesionarin me asistencë në marrjen e lejeve dhe miratimeve të nevojshme, siç përcaktohet nga legjislacioni në Republikën e Shqipërisë.
Si funksionon aktualisht
Aktiviteti i laboratorëve publikë tregon që 4,959,154 analiza u kërkuan në vitin 2015 (shifra e FSDKSH) nga të cilat 54% analiza për pacientë të shtruar dhe 20,2% analiza ambulatore. Ka një ndryshim të madh ndërmjet spitaleve për sa i përket aktivitetit laboratorik ambulator. Në Tiranë, analizat laboratorike ambulatore përfaqësojnë një numër të ulët të aktivitetit laboratorik, ndërkohë që në qytetet e tjera, aktiviteti ambulator mund të jetë më i lartë se sa me ata të shtruar. Përfaqësuesit e laboratorit të Spitalit Universitar Nënë Tereza shpjeguan që burimet e kufizuara buxhetore fokusohen te aktiviteti i pacientëve të shtruar, dhe që kërkesat për pacientët ambulatorë shpesh refuzohen. Mesatarisht, 18 laboratorët spitalorë kryejnë 26% të analizave për pacientët ambulatorë. Në një material informues për koncesionin e laboratorit, Ministria e Shëndetësisë shpjegon se, periudha e Marrëveshjes PPP është 10 vjet dhe përfshin 18 spitale rajonale dhe 5 spitale universitare që gjenden në Tiranë. Ministria e Shëndetësisë do të japë ekskluzivitetin e analizave për pacientët e shtruar dhe ata të urgjencës. Shkalla e përshtatshme e biznesit me 5 milionë analiza të kryera aktualisht jep mundësi që ky numër të rritet gjatë periudhës së PPP. Ministria e Shëndetësisë shpjegon se aksesi në infrastrukturën ekzistuese që do të ulë në mënyrë të konsiderueshme kostot që lidhen me ndërtimin, rreziqet përkatëse dhe kohëzgjatjen e periudhës së komisionimit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.