Por me Netflix dhe Disney+ që po përballen me ngadalësimin (dhe rënien) e rritjes së numrit të abonentëve, si do të ndryshojë harta në vitet e ardhshme? Në Shqipëri mbizotëron Netflix
Në vitet e fundit, video streaming është bërë pjesë e rëndësishme e argëtimit në botë. Nga Netflix tek Amazon Prime e deri te HBO Max dhe Apple TV, sot konsumatorët kanë shumë zgjedhje kur flitet për shërbimet streaming.
Ndërsa disa zgjedhin shërbimet me programet dhe filmat e tyre të preferuar, të tjerë kërkojnë oferta më ekonomike apo të pasura me përmbajtje.
Shpesh përdoruesit bashkohen me miq apo familjarë për t’u abonuar në sa më shumë shërbime streaming, edhe pse disa shërbime si Netflix, kanë nisur ta kufizojnë këtë praktikë.
Harta e theWORLDMAPS përdor të dhënat e FlixPatrol për të identifikuar shërbimet streaming me numrin më të madh të abonentëve sipas vendeve, në shkurt të vitit 2023.
Shërbimet e streaming me më shumë abonentë në 2023
Me numrin më të madh të abonentëve në 78 vende dhe me më shumë se 220 milionë përdorues në botë, Netflix është shërbimi i video streaming më popullor në pjesën më të madhe të vendeve.
Në shumë vende, duke përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Brazilin, Gjermaninë, Francën dhe Meksikën, Netflix ka numrin më të madh të përdoruesve se çdo shërbim tjetër. Bazuar në hartën e FlixPatrol, edhe në Shqipëri si vendet e tjera të Europës mbizotëron platforma Netflix, me diferencë nga shërbimet e tjera.
Nga ana tjetër Amazon Prime numëron 200 milionë përdorues. Megjithatë, Prime ka më shumë abonentë se Netflix në pesë vende: Afganistan, Kanada, Japoni, Tajvan dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Shërbime të tjera streaming kanë pasur sukses në rajone specifike. Kanali televiziv francez, Canal Plus, regjistroi numrin më të madh të abonentëve në 17 vende frankofone të Afrikës Qendrore dhe Perëndimore.
Po ashtu, shërbimi i video streaming pa pagesë në gjuhën arabe, Shahid, kryeson në 16 vende, duke përfshirë Egjiptin, Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Jemenin. Pavarësisht se ka më shumë se 160 milionë përdorues në botë, Disney+ kryeson vetëm në Indi.
Në të njëjtën mënyrë Tencent Video është platforma me numrin më të madh të përdoruesve në Kinë, me 124 milionë abonentë. Vetëm 11 kanale të video streaming kanë arritur kryesimin në 134 vende të marra në konsideratë nga këto të dhëna.
Edhe pse shumë të tjerë nuk janë përfshirë, ata vijojnë të tërheqin miliona abonentë në të gjithë botën. Në mesin e tyre përmendim platformën kineze iQIYI me 106 milionë abonentë dhe katër shërbime amerikane streaming: HBO Max (79.9 milionë), Hulu (48 milionë), Paramount+ (46 milionë) dhe Apple TV (40 milionë). Por me Netflix dhe Disney+ që po përballen me ngadalësimin (dhe rënien) e rritjes së numrit të abonentëve, si do të ndryshojë harta në vitet e ardhshme?
/ Visual Capitalist