Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve të bizneseve shënoi rritje të ndjeshme në tremujorin e tretë të vitit, duke konfirmuar tendencën në përmirësim të vazhdueshëm të aktivitetit ekonomik në vend. Sipas vrojtimit periodik të këtij indikatori nga Banka e Shqipërisë, norma e shfrytëzimit të kapaciteteve u rrit për të gjithë sektorët ekonomikë.
Shërbimet janë aktiviteti me shkallën më të lartë të shfrytëzimit të kapaciteteve. Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në këtë sektor shënoi vlerën 81.1% për tremujorin e tretë të vitit 2021, rreth 5.4 pikë përqindje më e lartë se një tremujor më pare dhe 11.7 pikë përqindje më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në industri, norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në industri shënoi vlerën 78.9%, rreth 2.9 pikë përqindje më e lartë se një tremujor më parë dhe 9.8 pikë përqindje më shumë se një vit më parë. Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në tregti shënoi vlerën 78.7% për tremujorin e tretë të këtij viti, rreth 3.9 pikë përqindje më e lartë se tremujorin e kaluar dhe 4.8 pikë përqindje më shumë se një vit më parë.
Ndërsa në sektorin e ndërtimit norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në ndërtim shënoi vlerën 69.9% për tremujorin e tretë të vitit, rreth 3.1 pikë përqindje më e lartë se një tremujor më pare dhe 5.5 pikë përqindje më shumë se një vit më parë.
Pas një rënieje prej katër tremujorësh radhazi, duke filluar nga tremujori i fundit 2019, ekonomia shqiptare i është kthyer ritmeve pozitive që në tremujorin e katërt 2020, me një rritje prej afërsisht 2.4%. Rritja e konsolidua më tej në dy tremujorët e parë të këtij viti, me një rritje përkatësisht 5.5% dhe 17.9%.
Në analizën e këtij muaji, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë evidenton se rritja e lartë e tremujorit të dytë pasqyron jo vetëm efektin e fortë bazë të rënies së fortë ekonomike gjatë tremujorit të dytë të vitit të shkuar, por edhe gjerësinë dhe forcën e faktorëve që kanë ushqyer rritjen në gjysmën e parë të vitit. Pas tremujorit të dytë, përmirësimi i aktivitetit ekonomik ka filluar të pasqyrohet edhe në tregun e punës, ndonëse rikuperimi i tij mbetet i pjesshëm.
Sipas Guvernatorit, Gent Sejko, analiza e të dhënave indirekte sugjeron për norma të shpejta rritjeje edhe gjatë tremujorit të tretë. Rritja e shfrytëzimit të kapaciteteve prodhuese është një sinjal që tregon se hendeku negativ i prodhimit ka ardhur drejt ngushtimit të mëtejshëm në tremujorin e tretë të vitit dhe ekonomia ka vijuar me ritmet e rritjes pozitive, sidomos falë rikthimit të një kontributi të lartë nga sektori i turizmit.
Megjithatë, tendenca e kthimit të shpejtë në nivelet e prodhimit të parakrizës mund të përballet me një sfidë të re, të shkaktuar nga shtrenjtimi i produkteve energjetike dhe i lëndëve të para. Sipas Bankës së Shqipërisë, rritja e çmimeve në tregjet botërore përbën një faktor rreziku për nivelin e inflacionit dhe, potencialisht, edhe për shpejtësinë e rimëkëmbjes ekonomike./E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.