Taksat kryesore rezultojnë me rënie drastike, duke dëshmuar se biznesi po përjeton situatën më të vështirë që prej fillimit të krizës. Situata sipas thesarit
Monitor Print/ Ka rritje, por nuk mjafton, madje as për investimet, të cilat një pjesë janë realizuar me rezervat e shtetit, sikurse e njeh ligji i buxhetit kur thesari është trokë. Të renditura njëra pas tjetrës, taksat kryesore në vend dalin me humbje të konsiderueshme, duke dëshmuar se aktiviteti privat nuk ka para të paguajë detyrimet. Disa sektorë janë duke përjetuar momentet më vështira, duke veçuar prodhimin, aktiviteti i të cilit mban barrën e rëndë negative të sistemit të të ardhurave në vend.
Tatimet paraqiten dobët, por nuk mbeten pas doganat, të cilat edhe pse me mjete reference, nuk po mundin të dalin nga gropa e moskalimit të planit.
Viti 2012 do të jetë më i vështiri për shqiptarët, mësohet të ketë thënë disa herë ministri i Financave, i cili tashmë nuk e fsheh rrezikun, ndërsa ka kërkuar marrjen e disa masave, ku kryesorja dhe paraprakja është shkurtimi i buxhetit.
Shifrat e 4-mujorit të parë tregojnë se vendi nuk po ecën me ritme e duhura, ku përveç tregtisë, sektorët e tjerë dalin me humbje, fakt i vërtetuar edhe nga taksa e tatimfitimit me minus 17 për qind. Janë katër muajt e parë të 2012-s që dëshmojnë për një periudhë aspak komode të ekonomisë, megjithatë, ministri i Financave ka deklaruar qartë se nuk është momenti për stimuj, por ndoshta për disa rregullime të strukturës së ekonomisë.
Rritja e pamjaftueshme
Po të shikosh nivelin e arkëtimeve, pak zëra kanë mundur të realizojnë planin, madje disa të tjerë paraqiten më dobët se viti 2011. Në total, të ardhurat në buxhetin e shtetit, në 4-mujorin e parë të 2012-s, referuar të dhënave nga thesari i shtetit, rezultojnë me realizim 106.3 miliardë lekë, gati 5.4 për qind më pak se parashikimi, por 2.5 për qind më shumë se një vit më parë. Pikërisht, kjo rritje e të ardhurave konsiderohet modeste për Ministrinë e Financave, e cila ka rritur më shumë presionin ndaj administratave tatimore dhe doganore.
Këto dy institucione kanë regjistruar një nivel arkëtimi në masën 95.7 për qind ndaj parashikimit, ose rreth -4.4 miliardë lekë më pak nga afërsisht 101.8 miliardë lekë të planifikuara për periudhën, dhe 3.1 për qind më shumë se 4-mujori i një viti më parë. Vetë ministri është shprehur se në vitet e para krizës, të ardhurat mesatare vjetore nga tatimet dhe doganat paraqisnin rritje me mbi 17 për qind, ndërsa tani, ky ritëm konsiderohet shqetësues. Janë një sërë faktorësh që kanë çuar në rënien e të ardhurave, ku kryesorja lidhet me aktivitetin e dobët të biznesit.
Duke i ndarë më vete, administrata doganore ka mbledhur 36.8 miliardë lekë, -1.4 për qind më pak se parashikimi për 2012-n dhe me rritje 4.7 për qind kundrejt 4-mujorit të vitit 2011. Duke parë shifrat dhe zërat, sipas sektorëve, doganën e ka nxjerrë pozitiv kësaj here tregu i mineraleve në vend, e cila është rritur mbi baza vjetore me rreth 90.2 për qind, kryesisht si pasojë e rritjes së eksporteve të burimeve natyrore, si dhe ndryshimeve në normën e taksimit dhe në strukturën e taksës. Manovra e qeverisë për të taksuar edhe hidrokarburet, me 10 për qind, duket se ka dhënë rezultat. Te dogana, paraqitet dobët akciza, taksa që mat ecurinë e importit të mallrave të luksit, por edhe të produkteve të tjera. Të ardhurat nga akciza në doganë rezultojnë me rënie prej 8 përqindësh kundrejt planit dhe me një rritje prej 0.9 përqindësh në krahasim me një vit më parë. Të ardhurat nga TVSH në import janë 4.1 për qind më të larta se një vit më parë dhe 1.7 për qind më pak se parashikimi për periudhën 4-mujore.
Tatimet dëshmojnë rënie
Barrën e kritikave, të paktën në dy vitet e fundit, e ka suportuar më së shumti administrata tatimore, e cila menaxhon një sërë taksash të rëndësishme. Të dhënat e thesarit tregojnë se, administrata tatimore ka mbledhur 1.4 për qind më shumë të ardhura se 4-mujori i vitit 2011 ose 756 milionë lekë më shumë (përfshirë dhe kontributet). Totali i të ardhurave tatimore ka pasur një rënie prej 0.3 përqindësh krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe një mosrealizim të planit në masën 8.7 për qind, ndërsa të ardhurat nga kontributet janë rritur me 4.9 për qind mbi baza vjetore.
Administrata tatimore ka rezultate të mira vetëm në mbledhjen e taksave nacionale për këtë periudhë krahasuar me një vit më parë me 35.4 për qind, ndërsa TVSH ka pasur një rënie prej 6.6 përqindësh në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, e kështu me radhë, tatimi mbi fitimin me 17.6 për qind, tatimi mbi të ardhurat personale -0.7 për qind dhe akciza me rënie prej 0.2 përqindësh, gjithnjë në raport me 4-mujorin e parë të 2011. Kur tatimet dalin keq me vitin e mëparshëm, sa i takon planit, situata paraqitet më e rëndë. Te kjo pjesë, zyrtarët e administratës kanë pretendime se shifrat nuk lexohen si duhet, edhe pse paraqiten nga vetë Ministria e Financave. Për tatimet, është e rëndësishme të nënvizohet edhe fakti i rimbursimit të TVSH-së, i cili është rritur ndjeshëm.
Alarmi mbi prodhimin
Në vendin tonë nuk prodhohet sa duhet, ose më saktë rritja ekonomike është nën potencial, shqetësim ky i ngritur disa herë nga guvernatori i Bankës së Shqipërisë. Janë treguesit e pagesës së taksave që të ndihmojnë të kesh një ide të qartë se çfarë nuk po funksionon në ekonominë e vendit.
Nga totali i të ardhurave tatimore, sipas sektorëve ekonomikë, (shikoni tab. nr 4) një rënie në sektorët e prodhimit me 44.2 për qind, transportit me 30.5 për qind dhe ndërtimit me -3 për qind. “Pesha e sektorëve që kanë pësuar rënie në totalin e të ardhurave tatimore është 27 për qind”, shprehen analistët e Ministrisë së Financave, kurse sektorët që kanë pësuar rritje janë tregtia dhe shërbimet, përkatësisht 20.8 për qind dhe 7.6 për qind.
Është taksa e TVSH-së, tjetër provë e disa sektorëve të zhytur në krizë. Taksa e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar rezulton në rënie dhe goditjen e ka marrë nga sektori i prodhimit, me minus 56.4 për qind të ardhura, atë të transportit me minus 32.7 për qind dhe në sektorin e tregtisë, me 10.5 për qind më pak.
Nisur nga kushtet e krijuara, biznesi kërkon nga qeveria marrjen e masave, ku me shqetësim shikon situatën me nivelin e kreditimit, ekzekutimin e kolateraleve për kreditë e mospaguara dhe vonesat në shlyerjen e faturave të papaguara.
TVSH-ja dhe “delja e zezë”
Në tërësi, TVSH duket mirë, nisur nga periudhat e mëparshme, por deficitin në buxhet duket se e ka të pashmangshme. Taksa, e cila konsiderohet barometri i zhvillimeve ekonomike në vend, duke nisur nga konsumi, e më tej, rezulton në 4-mujorin e parë të 2012 me nivel total arkëtimi 35.4 miliardë lekë, ose 1.5 për qind më shumë se një vit më parë, por 6.3 për qind më pak se parashikimi për vitin 2012.
Nga administrata doganore janë mbledhur 27.4 miliardë lekë TVSH mbi mallrat e importuar, duke realizuar planin e periudhës në masën 98.3 për qind. Për këtë periudhë, të ardhurat nga TVSH-ja në doganë përbëjnë rreth 77.4 për qind të të ardhurave gjithsej nga TVSH-ja. Ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ato rezultojnë të jenë 1 miliard lekë më shumë ose 4.1 për qind më shumë. Megjithatë, për muajin prill, TVSH në doganë ka një mosrealizim prej 762 milionë lekësh ose 9.8 për qind më pak se parashikimi mujor. Sipas ekspertëve të fushës, të ardhurat nga TVSH në doganë ndikohen direkt nga vlera e importeve (volumet e importuara, çmimet në import dhe kursi i këmbimit).
Tatimet kanë problemin kryesor në interpretimin e situatës së krijuar me TVSH-në. Kjo administratë ka mbledhur 8 miliardë lekë nga 9.9 miliardë lekë të planifikuara, që do të thotë 19.1 për qind më pak se parashikimi dhe -6.6 për qind më pak se një vit më parë. Për këtë periudhë, të ardhurat nga TVSH-ja në tatime përbëjnë rreth 22.6 për qind të të ardhurave gjithsej nga TVSH-ja.
Akciza, bie luksi
Të ardhurat gjithsej nga akciza për periudhën janar–prill arritën në rreth 10.4 miliardë lekë; ose 8.1 për qind më pak se parashikimi sipas planit, kurse krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2011, të ardhurat nga kjo taksë janë rritur në masën 0.4 për qind.
Duket se kriza ka prekur edhe mallrat e konsideruara të luksit, si alkooli, duhan apo karburantet. Kështu, të ardhurat nga akciza që mbledhin Doganat kanë një rritje prej 0.9 përqindësh kundrejt një viti më parë dhe 8 për qind më pak se parashikimi për periudhën janar-prill. Doganat mbledhin akcizën e karburantit të importuar dhe të birrës së importuar, si dhe të mallrave të tjerë që nuk taksohen me anë të pullës së akcizës (siç janë mallrat që i janë shtuar listës së mallrave të akcizës). Sipas llojit të mallrave kryesore me akcizë, situata e zhdoganimeve për periudhën ka qenë si vijon: Sasia e karburanteve të zhdoganuara për periudhën janar–prill 2012 është 104 mijë tonë, ose me rritje vjetore vetëm 2 për qind, duhani ka rritje me 28 për qind, si pasojë e presioneve të rritjes së mundshme të taksës, ashtu dhe birra, me nivel zhdoganimi 9.2 milionë litra, ose me një rritje prej 41 përqindësh, duke pasur parasysh se pritet të hyjë në fuqi ligji i ri, që shton detyrimet për biznesin (pra në të dyja rastet, kemi zhvillime të diktuara artificialisht).
Nga administrata tatimore janë mbledhur nga akciza rreth 4.6 miliardë lekë, me rritje vjetore -0.2 për qind dhe realizim të planit të rishikuar në masën 91.8 për qind. Tatimet mbledhin akcizën mbi cigaret dhe pijet alkoolike përveç birrës, përmes pullës së akcizës, si dhe akcizën e karburantit të prodhuar në vend (ARMO).
4-mujori me pak fitime
Të ardhurat nga tatimi mbi fitimin për 4-mujorin 2012 arritën në rreth 6.3 miliardë lekë, nga 7.7 miliardë të mbledhura një vit më parë, me një rënie të ndjeshme prej 17.6 përqindësh, dhe 25.4 për qind më pak se plani i periudhës janar-prill 2012.
Në rezultatin e të ardhurave për tatimfitimin për periudhën janar-prill, këtë vit ka ndikuar rënia e derdhjes së tatimfitimit nga ndërmarrjet shtetërore me 68 për qind, krahasuar me një vit më parë ose 432 milionë lekë më pak. Pesha e tatimfitimit nga ndërmarrjet shtetërore në total për 4-mujorin është vetëm 3 për qind krahasuar me 8 për qind që ka qenë në 4-mujorin e parë të vitit 2011.
Për sa i përket sektorit privat, të ardhurat nga tatimfitimi janë ulur me 13.1 për qind, por në të njëjtën kohë, sqaron ministria, në korrelacion të zhdrejtë, sektori privat ka rritur peshën e tij specifike në të ardhurat e tatimfitimit për periudhën 4-mujore nga 92 për qind në vitin 2011, në 97 për qind për 4-mujorin e vitit 2012.
Duke parë bilancet e sektorëve, duket se vetëm tregtia po i bën ballë krizës, ku ashtu si në taksat e mëparshme edhe te tatimfitimi del me rritje 8.5 për qind. Edhe këtu, rënien më të madhe në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë e ka shënuar sektori i prodhimit me 27.3 për qind, i pasuar nga sektori i shërbimeve me përkatësisht 22.8 për qind dhe sektori i ndërtimit me 20.4 për qind.
Bilanci
Pak të ardhura, pak investime
Nga të dhënat e Thesarit të Ministrisë së Financave, për 4-mujorin e parë të 2012-s, të ardhurat totale në buxhetin e konsoliduar arritën në 106.3 miliardë lekë. Të ardhurat totale buxhetore ishin 5.4 për qind më të ulëta së parashikimi dhe 2.5 për qind më të larta se një vit më parë. Shpenzimet totale arritën në 117.7 miliardë lekë, 2.7 për qind më të larta se planifikimi dhe 1.6 për qind më të ulëta se një vit më parë. Shpenzimet korrente janë rritur mbi baza vjetore me 3.2 për qind, ndërsa shpenzimet kapitale kanë rënë me 29.3 për qind. Në këto kushte, deficiti fiskal, i llogaritur si diferenca e të ardhurave me shpenzimet gjithsej të buxhetit të konsoliduar, arriti në këtë 4-mujor në 11.5 miliardë lekë, ose 9 miliardë lekë më shumë se planifikimi.
Taksat e tjera
Pasuria
Këtu përfshihet tatimi mbi ndërtesat, mbi tokën bujqësore dhe taksën e kalimit të pasurisë së paluajtshme, ku për 4-mujorin, taksat mbi pasurinë arrijnë në 1.2 miliardë lekë,
nga 860 milionë lekë të parashikuara dhe 40.6% më të larta se një vit më parë
Nacionalet
Të ardhurat nga taksat nacionale në total për periudhën janë 9.1 miliardë lekë, nga 7 miliardë lekë të parashikuara për periudhën janar-prill, dhe në raport me vitin 2011, për të njëjtën periudhë, kemi rritje me 44%, pasojë e disa politikave të qeverisë
Vendore
Të ardhurat e mbledhura nga taksat vendore për periudhën janar-prill arritën në 5 miliardë lekë, nga 6 miliardë lekë të planifikuara, ndërsa kundrejt 4-mujorit të vitit 2011 të ardhurat janë rritur me 49 milionë lekë (rreth 4 për qind më shumë)
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.