Shifrat, rritja tek MTPL-ja nuk “shëron” dot efektin e pandemisë te sigurimet, tregu bie me 6.5%

29/09/2020 12:30 PM 0 komente

Tregu i sigurimeve ka vijuar të ndjeje efektet e pandemisë si sa i takon të ardhurave nga primet e shkruara bruto ashtu edhe në numër kontratash.

Të dhënat zyrtare të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se të ardhurat nga primet e shkruara bruto ranë me 6.48 për qind në 8 mujorin 2020 në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në total këto prime kapën vlerën 10.62 milionë lekë. Numri i kontratave të sigurimeve nga ana tjetër ishte 609,601 deri në fund të gushtit me një ulje 30.58 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Produkti MTPL e brendshme (sigurimi i mjetit motorik për përgjegjësinë ndaj palëve të treta) ka shënuar rritje të lehtë të volumit të primeve të shkruara bruto me 2.51% ndërkohë që numri i kontratave u rrit me 4.11 për qind krahasuar me janar-gusht 2019. Kjo rritje nuk ka arritur gjithsesi të “fshijë” efektin e përgjithshëm të pandemisë në tregun e sigurimeve.

Ky fundit vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 93.43% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë përkatësisht sigurimet e Jetës me 6.56%.

“Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 37.79% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 62.21% të totalit të tregut. Gjatë periudhës janar-gusht 2020, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 4,981 milionë lekë, ose 31.03% më shumë se në periudhën janar-gusht 2019” vlerëson AMF.

Shifrat tregojnë se primet e sigurimit të detyrueshëm motorik, gjatë periudhës janar-gusht 2020 arritën rreth 6,610 milionë lekë, ose 7.89% më pak se në periudhën janar-gusht 2019.

AMF raportoi nga ana tjetër se primet e sigurimit vullnetar, gjatë periudhës janar-gusht 2020 arritën rreth 4,016 milionë lekë, 4.05% më pak se në periudhën janar-gusht 2019. Numri i kontratave të sigurimit vullnetar u ul me 43.57% krahasuar me periudhën janar-gusht 2019.

“Pagesat e dëmeve gjatë periudhës janar-gusht 2020 u rrit me 31.03% krahasuar me periudhën janar-gusht 2019. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto i përket sigurimit nga Zjarri dhe Forcat e Natyrës me rreth 2,315 milionë lekë, apo 46.48% të totalit të dëmeve të paguara bruto” vlerëson AMF.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of