Shirat kthejnë situatën, KESH nis shitjen e energjisë në tregun e lirë

08/11/2019 11:00 AM 0 komente

Shirat e ditëve të fundit dhe parashikimet për një vijim të tyre edhe në javën në vazhdim kanë kthyer situatën hidrike në vend çka ka bërë që Korporata Elektroenergjtike Shqiptare të prodhojë duke shitur një pjesë të energjisë në tregun e lirë. Referuar të dhënave të bëra publike nga vetë KESH sasia e cila po shitet në tregun e lirë për dy ditë ishte 4050 MWh e ndarë në dy lote.

Në lotin e parë është tregtuar një sasi prej 2550 MWh energji me një çmim mestar të ponderuar prej 46.36 euro /MWh çka e bën totalin e 118 218 euro ndërkohë në lotin e dytë janë tregtuar 1500 MWh me një çmim mesatar prej 39.22 euro/MWh çka e çon fitimin në 58 830 euro.  Totali i shumës që KESH ka arritur të arkëtojë nga dy procedurat është 177 mijë euro.

Kjo është hera e parë që nga muaji gusht i këtij viti kur KESH publikoi një kërkesë për shitje energjie. Gjatë këtij viti për shkak të situatës hidrike jo pozitive me mungesë të theksuar reshjesh Korporata u fokusua më shumë në procese optimizimi duke zhvilluar disa herë procedura shitjeje në orar piku dhe blerje në orare më të lira.

Detyrimi i KESH është që të sigurojë ndaj Operatorit te Shpërndarjes së Energjisë Elektrike sasinë që këtij të fundit i duhet për të plotësuar kërkesën nga konsumatorët fundorë. Nëse KESH prodhon teprica ai mund t’i shesë ato në treg të lirë me çmimin që përcaktohet nga vetë kërkesë-oferta.

Viti 2019 konsiderohet si një vit problematik për sektorin energjetik të paktën deri më tani kur KESH ka pasur një prodhim minimal çka reflektohet në një sasi të kufizuar të ardhurash kurse OSHEE është detyruar që të blejnë në tregun e lirë shumicën e konsumit në vend me një faturë të kripur që deri më tani llogaritet rreth 140 milionë euro.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of