Shitja e ‘Naming rights’ të Camp Nou, Rakuten gati të investojë 300 mln € në 20 vjet

25/06/2018 5:59 PM 0 komente

Rakuten, gjiganti japonez i e-commerce, sponsori aktual i fanellës së klubit të Barcelonës, është gati të investojë rreth 300 milionë euro në harkun e 20 vjetëve për të blerë ‘naming rights’ të ‘Camp Nou’ dhe për të financuar rikonstruksionin e stadiumit të parashikuar nga projekti ‘Espai Barça’.

Kjo bëhet e ditur nga e përditshmja ‘Mundo Deportivo’, që thekson se kostoja e të gjithë projektit, miratuar në prill nga drejtuesit e Barcelonës, do të jetë rreth 600 milionë euro, gjysma e të cilave do të financohen nëpërmjet shitjes së ‘naming rights’.

Aktualisht, Rakuten derdh në arkat e klubit të Barcelonës 55 milionë euro në vit, si sponsor i fanellës.
‘Mundo Deportivo’ shkruan se klubi me president Josep Maria Bartomeu po ngurron të firmosë një marrëveshje kaq të rëndësishme për projektin e ri, me një sponsor ekzistues, por është i vetëdijshëm për interesin e Rakuten dhe do të presë se çfarë oferte do t’i paraqesë kompania japoneze.

Siç njoftohet, ka të ngjarë që kompania japoneze Rakuten të kërkojë një përfshirje më të madhe në projektin Espai Barça, me një sërë mundësish komerciale, si për shembull mbajtja e koncerteve në Camp Nou dhe Palau Blaugrana.
Marrëveshja mes Barcelonës dhe Rakuten do të përforconte marrëdhëniet e jashtëzakonshme mes dy palëve, që nuk kufizohen vetëm në aspektet komerciale. Për shembull, pronari i Rakuten, Hiroshi Mikitani, është ndihmuar nga stafi mjekësor i Barcelonës për një dëmtim në gju.

Legjenda e Barça-s, Andres Iniesta, do të luajë sezonin tjetër në klubin japonez Vissel Kobe, në pronësi të Rakuten. Kompania japoneze është sponsor i tour-it nëpër botë të Shakira-s, e cila është në një marrëdhënie me Gerard Pique.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of