Ndërsa qendrat tregtare pritet të kenë një ecuri relativisht pozitive, nuk parashikohet e njëjta gjë për dyqanet e vogla. Të gjendura nën konkurrencën e fortë të qendrave të organizuara dhe të goditura nga ulja e pragut të TVSH-së, 2019-a pritet të jetë e vështirë për to
Sektori i shitjeve me pakicë ishte në një garë të fortë për klientë në vitin 2018. Fituesit ishin padyshim qendrat tregtare, kundrejt dyqaneve të vogla. Dallimi kryesor ka qenë ndërthurja e konceptit të shitjes me argëtimin. Rritja e numrit të qendrave tregtare ka ashpërsuar luftën mes tyre. Në “kërkim” të blerësve, ato zgjedhin forma të ndryshme marketingu për të qenë konkurruese.
Dyqanet në rrugët kryesore tregtare përpiqen të mbijetojnë duke ofruar ulje të herëpashershme. Jo pak prej tyre janë mbyllur gjatë 2018, edhe nën efektin e futjes në TVSH për bizneset e vogla. Investimet në qendrat tregtare në Shqipëri janë zgjeruar me shpejtësi që pas vitit 2005, kur u hap Qendra Tregtare Univers (QTU), në periferi të kryeqytetit. Vetëm në Tiranë ka aktualisht 16 qendra tradicionale tregtare, 4 prej të cilave janë në periferi. Tirana East Gate (TEG) dhe Qendra Tregtare Univers (QTU) mbeten qendrat tregtare më të mëdha në Shqipëri. Tirana Ring Center (TRC) ndodhet në zonën perëndimore të qytetit. Toptani Shopping Center ndodhet në zëmër të kryeqytetit, pozicioni i së cilës lakmohet nga kalimtarët dhe turistët.
Qendra tjetër tregtare, City Park, mbylli shumë dyqane të saj në vitin 2018, ndërsa risia ishte hapja e Big Market pranë saj.
Ndryshimi i vetëm në stokun e hapësirës së shitjeve me pakicë është shtimi me 14,000 m², pas rikonstruksionit të Qendra QTU, duke arritur një total prej 41,000 m². Në total, stoku arriti në 216,000 m².
Menaxherja ekzekutive e Colliers Albania, Stela Dhami, thotë për “Monitor” se me zgjerimin e QTU-së, tregu i shitjeve me pakicë po i afrohet pikës së maturimit. “Qendrat që do të ndërthurin më mirë njësitë tregtare me elemente të argëtimit dhe ushqimit, do të tërheqin më shumë klientë e si rrjedhojë, do të jenë edhe më të suksesshme”, – shton znj. Dhami.
Qiradhënia në sektorin e shitjeve me pakicë mbetet në nivelet e vitit të mëparshëm, me ulje të ndjeshme vetëm në rrugët kryesore tregtare. Për 2019, znj. Dhami thekson se pritet zhvillim më i madh drejt e-commerce, tregti e cila po lulëzon në botë.
Flet Stela Dhami, menaxhere ekzekutive e Colliers Albania
Tregu i shitjeve me pakicë po i afrohet pikës së maturimit
Si ka qenë sektori i shitjeve me pakicë në qendra tregtare në vitin 2018?
Sektori i shitjeve me pakicë kishte ecuri pozitive dhe në fundvitin 2018. Tregu do të ndikohet nga rritja e hapësirave në qendrat tregtare, si dhe nga prurjet e reja të markave ndërkombëtare. Hapja e hapësirave të reja tregtare në qendrën së parë tregtare në vend, Qendra Tregtare Univers, solli risi në tregun e shitjes më pakicë. LC Waikiki Home, Mango Men, New Yorker etj., do të hyjnë në treg për herë të parë.
Në rrugët kryesore komerciale është rritur numri i njësive tregtare zinxhir për firma që hynë për herë të parë në treg, si gjiganti i kozmetikës botërore, Mac Cosmetics. Besojmë se me zgjerimin e QTU-së, tregu i shitjeve me pakicë po i afrohet pikës së maturimit. Qendrat që do të kenë ndërthurjen më të mirë të njësive tregtare me elemente të argëtimit e ushqimit do të tërheqin më shumë klientë e për rezultat, e si rrjedhojë do të jenë edhe më të suksesshme.
Si ka vijuar të jetë qiraja e dyqaneve të tregtisë me pakicë, në qendra tregtare, si dhe në rrugë kryesore?
Qiraja në qendra tregtare mbetet në nivelet e vitit të mëparshëm pra rreth 22 euro/m², ndërsa qiratë po në qendra tregtare për hapësira të vogla arrijnë çmime deri në 52 euro/m². Qiratë në rrugët kryesore kanë pasur një ulje nga 48 euro/m² në 45 euro/m². Këto shifra tregojnë se sektori është i stabilizuar dhe se qendrat tregtare tashmë janë vendi ku shumë biznese të tregtisë me pakicë veprojnë me sukses e interesi përsëri për rrugët kryesore tregtare në qytet qëndron i lartë.
Po hoteleria çfarë zhvillimi mendohet të ketë në vitin 2019?
Hoteleria është sektori që pritet të ketë më shumë ndryshime në 2019. Këtë vit janë nënshkruar dy kontrata serioze me kompani menaxhimi ndërkombëtare hotelesh, që sjellin në tregun shqiptar nivelin ndërkombëtar të hotelerisë. Zinxhirët që hynë si operator janë Hilton me markën Hilton Garden Inn, Marriott International dhe së fundmi lideri global me prezencë në Europën Juglindore e në gjithë botën, Hyatt International. Për 2019-n, do të jetë me interes zgjerimi i këtyre operatorëve në Rivierën Shqiptare, ku kërkohet infrastruktura e duhur dhe projekte të ndërtuara sipas standardeve ndërkombëtare të hotelerisë.
Cilat janë zhvillimet e pritshme për vitin 2019?
Sektori i zyrave pritet të ketë zhvillime në afatin e mesëm. Hapësirat e zyrave mbeten të kufizuara në Tiranë me një hapësirë prej 107,000 m². Tregu kërkon zgjerim në mënyrë që qiramarrësit të zhvendosen në hapësirat e duhura për të bërë lehtësisht biznes. Duhet të theksojmë se projektet që kanë financimin e tyre të siguruar dhe do të hyjnë të treg më shpejt, do të kenë avantazhin për të tërhequr klientë korporativë. Sektori i shitjeve me pakicë pritet të vazhdojë ecurinë pozitive të tij dhe pritet që të hyjnë edhe marka të reja tregtare në treg, që do të jenë një risi pozitive për konsumatorin shqiptar. Pritet zhvillim më i madh drejt e-commerce, tregtia e cila po lulëzon në botë. Për hotelerinë presim prurje të reja edhe nga investitorë rajonalë, të cilët kanë shprehur interes për të hyrë në tregun shqiptar, sidomos për të diversifikuar portofolat e tyre dhe për të hyrë në një treg të ri.
Flet Julian Mane, zv.president i grupit Balfin
Koncepti retail-parks në Shqipëri
Si ka qenë ecuria e shitjeve me pakicë në vitin 2018? A vijojnë veshjet dhe elektronika të kryesojnë në shitje?
Ecuria e shitjeve në vitin 2018 ka qenë e kënaqshme në pjesën më të madhe të bizneseve tona. Në 2018-n, ne përfunduam një nga investimet tona më të rëndësishme të viteve të fundit në retail, rinovimin e Qendrës Tregtare Univers (QTU) dhe sigurisht që gjatë kohës së kryerjes së punimeve, ka pasur ndikim të vogël negativ në shitje.
Por me hapjen e QTU, shitjet kanë rifilluar në nivele edhe më të mira se pritshmëritë. Elektronika dhe veshjet vijojnë të ketë rezultate të kënaqshme. Vlen për t’u theksuar se Spar, rrjeti i supermarketeve i grupit Balfin, ka pasur gjithashtu rritje të theksuar nga viti i kaluar, me rreth 25% më shumë. Ndërkohë TEG ka shënuar numër rekord vizitorësh. Bizneset e veshjeve që operojnë aty, markat ndërkombëtare si Zara, LCW, Mango etj., kanë pasur ecuri pozitive.
Në kushtet e futjes së bizneseve të vogla në TVSH, a pati ndikim në treg, duke qenë se një pjesë u mbyllën?
Ka pasur ndikim të vogël, por jo ai që pritej, për shkak edhe të paqartësisë së zbatimit të vendimit apo ndryshimit të kufirit të futjes në TVSH disa herë. Gjithsesi, ishte një hap pozitiv drejt formalizimit të ekonomisë dhe rregullimit të tregut, i cili shpresoj që të japë efekt në vitet në vazhdim.
Cilat ishin vështirësitë kryesore të sektorit këtë vit?
Vështirësia më e madhe mbetet informaliteti në ekonomi. Ndiej që e kam përsëritur shpesh këtë faktor, por është faktori kryesor që sjell vështirësitë më të mëdha te bizneset serioze vendase dhe ato të huaja, i cili ndikon drejtpërdrejt në konkurrueshmëri dhe në të ardhurat e shtetit. Fatkeqësisht ritmi i bërjes së ekonomisë më formale është i ulët dhe shpresoj që situata të ndryshojë sa më shpejt, në të mirë të të gjithëve.
Si pritet viti 2019? Çfarë planesh investimi keni?
2019 është viti në të cilin do të bëjmë realitet konceptin e “retail parks” në qytet jashtë Tiranës. Është një koncept më i thjeshtë se qendra tregtare, por u jep mundësi kompanive të kenë hapësira të mjaftueshme për të tregtuar produktet e tyre me shpenzime operacionale më të ulëta, si dhe klientëve u ofron një gamë të gjerë produktesh, të cilat për momentin gjenden kryesisht në Tiranë.
Spar do të vazhdojë zgjerimin e rrjetit me hapa më të shpejtë se në vitin 2018. Për shkak të kërkesës së madhe që ka prej kompanive për të pasur hapësira në TEG, mendojmë të bëjmë një investim për zgjerimin e saj me sipërfaqe të reja për të sjellë më shumë marka ndërkombëtare. Duhet përmendur edhe plani që kemi me Dyqan Taxi. Tashmë si pjesë e Grupit Balfin, ka krijuar një infrastrukturë, e cila mund të përballojë mijëra porosi në ditë. Kompania në bashkëpunim me furnitorët më të mirë, do të ofrojë shumëllojshmërinë më të madhe të produkteve për çdo kategori që ofron, nëpërmjet website të e-commerce.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Nuk eshte problem ardhja te medhenjve qe i ka marr shitjet e dyqaneve te pakices. Eshte politika qe i ka dhene hapesire me shume sec duhet ketyre te medhenjve qe ata te marrin pastaj riskun e dyqaneve te vogla. Keta te medhenj u bene me mbeshtetje politike ne kurriz te dyqaneve te vogla. Kur shteti te sjell kryqezimin te dera e qendres tregtare dhe tregtarit te vogel i ve shqelmin ne fyt per mos prerje kuponi kjo eshte lehtesi. Kur ti me urdher shteteror bllokon importet e konkurrences qe te kalojne lehtesisht te tuat kjo eshte mbeshtetje politike. Kur ti… Read more »