Nuk janë shumë të largëta momentet kur edhe në supermarketet e Shqipërisë, si kudo në botë, blerësit u dyndën duke mbushur karroca të tëra me ushqime nën ethet e rasteve të para të të infektuarve me COVID-19.
Blerjet nën panik e vunë sektorin e shitjeve me pakicë, sidomos atë të ushqimeve, përballë sfidës së volumeve të jashtëzakonshme në rritje, si dhe një sjelljeje konsumatore që do të ndryshonte në vazhdim.
Viti 2020 u përkufizua nga zhvillime dinamike në sektorin e shitjeve me pakicë, duke nisur nga hyrja e kanaleve të reja të arritjes së konsumatorit, që ishin shitjet online deri te sjellja konsumatore e orientuar drejt kategorive specifike.
Të dhënat zyrtare edhe nga Instituti i Statistikave raportuan rritje të importeve të produkteve të higjienës dhe pastërtisë dhe diçka e tillë konfirmohet edhe nga aktorët e tregut. Po ashtu u vu re se pamundësia për të dalë jashtë Shqipërisë rriti shitjet në dyqanet e veshjeve në vend. Qëndrimi në shtëpi i nxiti shqiptarët për të investuar në elektroshtëpiake dhe për të krijuar kushtet e nevojshme për të qëndruar brenda, duke i larguar ata nga rutina e zakonshme e para pandemisë.
Një tjetër element që ra në sy është largimi nga dyqanet e mëdha dhe qendrat tregtare drejt dyqaneve të vogla të lagjeve, sidomos gjatë periudhës së kufizimeve, duke e parë këtë si një mënyrë për të mos rrezikuar infektimin me COVID-19. Vizitat në dyqane, sipas Julian Mane, zv.president i grupit “Balfin”, janë bërë më të rralla por shporta mesatare është dyfishuar.
Ai nënvizon se pasiguria që ka ardhur si efekt i pandemisë i ka bërë shqiptarët të kursejnë dhe të kërkojnë produkte me ofertë apo të orientohen drejt çmimit. Stela Dhami, Menaxhere Ekzekutive e “Colliers Albania” thekson se sektori retail nuk duhet të braktisë nismën e tij drejt teknologjisë që nisi në kohën e pandemisë. Orientimi drejt inovacionit është një kërkesë e kohës, sipas saj, e cila e ndihmon këtë sektor të rritet. Sa i takon sektorit të hotelerisë, Dhami pohon se ai është goditur rëndë, porse markat ndërkombëtare pritet të vazhdojnë të rriten edhe gjatë këtij viti. Zhvillime të rëndësishme priten në segmentin e qiradhënies së zyrave.
“Pasiguria nxiti kursimin, blerësit kërkojnë oferta”
Si ishte viti 2020 sa i takon sektorit të shitjeve me pakicë, duke pasur parasysh që është një vit atipik me pandeminë e COVID-19? Cilët ishin segmentet me ecuri më të mirë dhe ato me ecuri më të dobët?
2020 ishte një vit sfidues për çdo industri. Në përgjithësi, rikuperimi i pajisjeve elektrike dhe sektorit të mallrave të konsumit ishte më i shpejtë sesa pritej. Përveç periudhës së bllokimit dhe muajit gusht, të cilat janë edhe periudhat kur bizneset janë ndikuar negativisht për shkak të sezonit të ulët turistik, muajt e tjerë kanë pasur një ecuri, e cila është pasqyruar me rritje dyshifrore.
Kjo situatë e veçantë nuk ishte e kufizuar në rajonin tonë por u vu re në të gjithë botën. Duke qenë një situatë e shkaktuar nga sjellja e konsumatorit, si rezultat janë krijuar vështirësi në zinxhirin e furnizimit të kategorive specifike në të gjithë botën.
Ndërkohë për një sektor tjetër, kthimi në normalitet ka vënë në dukje nevojat që kishin konsumatorët për veshje. Qëndrimi mbyllur prej dy muajsh, si dhe ndërrimi i stinës, rriti kërkesën për veshje. Sidoqoftë, kjo kërkesë shfaqi rënie nga viti i kaluar, por mbeti në kufijtë e asaj çfarë ne kishim planifikuar si pasojë e situatës.
Pasiguria ekonomike apo rikthimi në normalitet në një periudhë të pasigurt për zhvillimin e virusit, janë ndër arsyet kryesore të rënies së shitjeve në krahasim me një vit më parë, pas periudhës së rihapjes. Mungesa e blerjeve gjatë karantinës, bëri që të gjitha blerjet të përqendroheshin në periudhën pas COVID, për të përmbushur nevojat për veshje.
Ndërsa për “Jumbo”, shitjet janë rikuperuar totalisht. Tashmë, dhe krahasuar me vitin e kaluar, kanë shënuar një rritje të lehtë. Hapja e dyqaneve të reja “Jumbo” dhe dyqaneve partnere, të cilat operojnë në shumë qytete nën logon tonë, por natyrisht edhe rritja e konsiderueshme që kanë shënuar shitjet online janë arsyet kryesore të kësaj ecurie mjaft të mirë.
Pandemia solli një ndryshim në sjelljen konsumatore, e cila u reflektua edhe në industrinë e shitjeve me pakicë ushqimore, ku për SPAR, në muajin mars, volumet u rritën disafish për arsye të “panic buying” dhe në prill, për arsye të izolimit u reflektua një rritje shumë e shpejtë e blerjeve online, të cilat nuk ekzistonin si kanal shitjeje përpara pandemisë në sektorin ushqimor.
Për shkak të kufizimit të lëvizjes, por edhe frikës së infektimit, blerjet u përqendruan në dyqanet e vogla të lagjeve dhe pati ulje të frekuentimit të dyqaneve të mëdha jashtë qendrave të banuara. Klientët bëjnë më pak vizita në dyqane, por ama blejnë më shumë, për këtë arsye, edhe shporta mesatare gati është dyfishuar. Klientët janë të orientuar drejt kursimit dhe si rrjedhojë, kërkojnë vazhdimisht oferta dhe promocione, të cilat këtë vit kanë qenë më të shpeshta se një vit më parë.
Cilat kanë qenë sfidat e sektorit gjatë këtij viti?
Sfidat e këtij viti kanë qenë të shumta, pasi retail u prek shumë nga kufizimet e vendosura gjatë pandemisë. Gjetja e mënyrave të reja për të shkuar më pranë konsumatorit, sigurimi i produkteve më të kërkuara gjatë pandemisë, mungesa e të ardhurave për të përballuar shpenzimet, si dhe synimi për të mos humbur asnjë punonjës kanë qenë disa nga sfidat më të mëdha.
“Food retail” (ushqimet) është përballur me sfida të natyrës operacionale, si mbajtja e të gjitha dyqaneve operative pavarësisht se në disa raste me numër të kufizuar stafi, për shkak të infektimit, sigurimi i furnizimeve të dyqaneve me stokun e mjaftueshëm dhe me vështirësi të mëdha logjistike, rritja e ndjeshme e shpenzimeve operative për arsye të sigurimit të të gjitha standardeve të higjienës për masat anti-COVID, sepse ky ishte prioriteti i çdo biznesi për t’u kujdesur për klientët dhe stafin e tyre. Kur bëhet fjalë për operacionet e biznesit, sfida kryesore ishte transformimi i një biznesi me pakicë nga tradicional në online. Gjithsesi, mund të themi që nga sjellja e konsumatorit vihet re dëshira për një rifillim të ri.
Si ishte konsumi gjatë këtij viti, luhatjet që provoi dhe faktorët që ndikuan në të?
Në sektorë të ndryshëm, luhatjet e konsumit kanë qenë të ndryshme, por për periudhën prill-maj, mund të them se ka pasur rënie në të gjithë sektorët.
Elektronika është përballur me një kërkesë të lartë nga shtatori, kryesisht në kategoritë që lidhen me zakonet e reja të krijuara nga pandemia. Duke qenë se njerëzit kalojnë më shumë kohë brenda dhe madje edhe duke punuar nga shtëpia, është rritur kërkesa për produktet që lidhen me punën në shtëpi, pastrimin dhe gatimin, si dhe argëtimin në shtëpi.
Ndërsa për “Food retail”, vërehet rritje e volumeve në produktet e shportës dhe rënie te produktet joushqimore dhe jo të domosdoshme për një familje. Klientët janë ende më të orientuar drejt ofertës dhe çmimit. Për “Fashion”, mungesa e udhëtimeve jashtë Shqipërisë solli rritje të shitjeve në brandet si “Mango”, “Cortefiel”, “Geox”, “Carpisa”, “Okaidi”, “Prenatal”, “Parfois”, “Springfield” dhe “Women’secret”.
Ndërkohë duke qenë se për “Jumbo”, sezonet janë pikat më të forta, mund të themi se rikuperimi i shitjeve filloi që në fushatën e “Back to school”, në fund të gushtit dhe fillim të shtatori. “Halloween”, për shkak të ndalimit të grumbullimeve, pësoi një rënie krahasuar me vjet, e tashmë dekorimi i shtëpisë dhe dhuratat e fundvitit duket se mezi janë pritur nga klientët, pas një viti jo fort të lehtë për të gjithë.
Pandemia, sigurisht, është faktori kryesor i mosrealizimit të objektivave të larta që kishim vendosur për 2020, por trendi rritës krahasuar me 2019-n është një ecuri e mirë, e cila ndër të tjera tregon besueshmërinë që konsumatorët kanë brandeve që ne ofrojmë.
Objektivi ynë për vitin 2021 është të sigurojmë dhe ofrojmë më shumë për konsumatorët tanë në dyqanet fizike dhe online. Ka një investim në vazhdim e sipër në transformimin dixhital të “Neptun”, i cili pritet të përmirësojë përvojën e klientit në të gjithë kanalet. Duke synuar përmirësimin e përvojës së klientit në dyqan po punohet për të shtuar kategori të reja në portofol, të cilat janë me trend shumë të lartë të rritjes në të gjithë botën.
Po punohet edhe me rimodelimin e të gjithë dyqaneve “Neptun”, në mënyrë që të sigurohet që të gjithë klientët të kenë përvojën e njëjtë të blerjes në të gjitha dyqanet. Viti që vjen “Jumbo” do ta gjejë në më shumë qytete të Shqipërisë, konkretisht në Gjirokastër dhe Korçë dhe me dyqanet partnere në shumë qytete të tjera.
Pavarësisht vështirësive, planet për investime dhe brande të reja nuk mungojnë për “Fashion”. Është parashikuar zgjerimi me njësi të reja në Tiranë, rritja e bashkëpunimet me partnerë jashtë Tiranës ashtu sikurse dhe bashkëpunimi me partnerë të huaj strategjikë. Do të kemi risi në sektorin e produkteve për shtëpi, si dhe këpucë.
Për SPAR është parashikuar një rritje agresive në treg për arsye të hapjes së pikave të reja. Është parashikuar hapja e 16 dyqaneve të reja që do t’i shtohen rrjetit aktual me qëllimin primar për të qenë sa më pranë konsumatorëve. Padyshim që zgjerimi është në planet tona pavarësisht situatës që po kalojmë. Kemi shpresën për një rifillim të ri edhe më të suksesshëm se një vit më parë. Kjo është sfida jonë për 2021.
“Hotelet markë do të vijojnë rritjen, retail nevojë për inovacion”
Viti 2020 ishte atipik, duke pasur parasysh pandeminë. Si ka qenë ecuria e shitjeve me pakicë në qendra tregtare në këtë vit?
Pas hapjes së qendrave tregtare në maj është vënë re një tendencë rritjeje e shitjeve me pakicë në qendrat tregtare. Kjo si pasojë edhe e numrit të rritur të vizitorëve, të cilët arritën pikun në muajin e festave. Është një sjellje konsumatore e ngjashme me atë që shikojmë edhe në tregjet e tjera europiane.
Ndryshimi me ne është se në këto vende më të zhvilluara, tregtarët me pakicë u gjendën më të përgatitur sepse kishin investuar më përpara në teknologji për të sjellë produktet drejt konsumatorit edhe me shërbimet e shitjeve në rrjet (online sales).
Në Shqipëri, edhe ata pak tregtarë të cilët menduan për të investuar në afatshkurtër në këtë strategji pas rënies së periudhës së karantinës, shumica iu rikthye edhe mënyrave standarde të shitjes, siç është ajo e shitjes së drejtpërdrejtë. Me pasigurinë e kohës, si “Colliers” sugjerojmë që shitësit me pakicë të jenë largpamës dhe sa më afër klientëve me platforma, të cilat ndërthurin shitjet direkte me ato në rrjet, pasi sot edhe marketingu tradicional po lëviz drejt marketingut dixhital.
Si shfaqet pjesa e qirasë në dyqanet e tregtisë me pakicë në qendra tregtare, duke pasur parasysh që për disa muaj aktiviteti ishte mbyllur, ndërsa pothuajse gjithë vitin ka pasur kufizime? A ka pasur aktivitete të mbyllura, po rinegocime?
Ka pasur lehtësime në pjesën e qirasë së dyqaneve të qendrave tregtare nëpërmjet rinegocimeve, duke ofruar një ulje totale të qirasë nëse qiramarrësi kryente parapagim për një periudhë të caktuar. Uljet apo rinegocimet kanë qenë individuale, sipas llojit të aktivitetit dhe xhiros mujore.
Disa njësi tregtare, të cilat kanë pasur kontrata të qirasë të lidhura me shitjet që kryenin, kanë pasur edhe përfitimet më të mëdha në ulje të tyre. Aktivitete të mbyllura brenda qendrave tregtare ka pasur nga njësitë e bar-restoranteve (për shkak të kufizimeve prej COVID-19) dhe të njësive tregtare me aktivitet jo të qëndrueshëm në treg.
Këto të fundit janë mbyllur për shkak të vështirësive financiare. Është e thënë që kjo periudhë ka krijuar mundësinë për një komunikim të drejtpërdrejtë midis qiradhënësve të mëdhenj dhe tregtarëve të shitjeve me pakicë. Në afat të gjatë, të dyja palët duhet të jenë të interesuara për performancën financiare të anasjelltë.
Tendenca për hotele të reja dhe kryesisht marka duket se ka vazhduar edhe në vitin 2020, e nxitur nga paketa e qeverisë. Si e shihni ecurinë në vitin 2021 dhe a mendoni se situata e pandemisë mund të nxisë shitblerje brenda këtij tregu ose frenim të investimeve potenciale?
Në tregjet europiane nuk po shikohen ende ato ulje çmimesh që priteshin për hotelet, që do të thotë se pronarët e tyre kanë një likuiditet të mirëfinancuar dhe janë ndihmuar nga paketa shumë serioze ndihme nga qeveritë përkatëse.
Në vendin tonë kemi vënë një re një presion të shtuar mbi hotelet e kryeqytetit, të cilat kanë nevojë për fluksin e viteve të mëparshme të vizitorëve. Me rënien e trafikut ajror, me rreth 60%, sigurisht që këto hotele janë ndikuar dhe disa prej tyre edhe kanë mbyllur aktivitetin përkohësisht. Hotelet e bregdetit i kanë ndier efektet e pandemisë dhe disa prej tyre rrezikojnë të mbyllen.
Por përsëri duhet t’i jemi mirënjohës turizmit patriotik, që troket nga vendet fqinje, e kryesisht nga Kosova. Besoj se aktiviteti për hotelet e branduara do të vazhdojë, sepse bëhet fjalë për investime të reja, afatgjata të cilat do të duan minimalisht 2 deri në 3 vite që të përfundojnë e deri atëherë shpresojmë që industria e turizmit të jetë kthyer e të ketë kaluar shifrat e 2019-s.
Cilat janë zhvillimet e pritshme për vitin 2021?
Nuk pritet ndryshim stoku në qendrat tregtare, por ndryshim stoku afatmesëm në tregun e zyrave ku për herë të parë, qiradhënës tradicionalë po tregojnë më shumë fleksibilitet ndaj qiramarrësve. Rritja e stokut ka ndikuar direkt në një presion për ulje të çmimeve dhe për të ofruar më shumë incentiva ndaj qiramarrësve. Hoteleria e branduar pritet të vazhdojë me trendin rritës.
Si e shihni sektorin retail dhe a ka nxitur pandemia tendenca të reja lidhur me kërkesat?
Sektori i retail ka nevojë për më shumë inovacion. Tashmë trendet botërore flasin për ndërthurje të kanaleve të shitjes midis atyre online dhe atyre offline. E ardhmja u përket vizionarëve, të cilët e shikojnë këtë të ardhme dhe udhëtojnë drejt saj.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.