Shitjet online në zgjerim

26/03/2019 4:26 PM 0 komente

Shitjet online po njohin zgjerim së fundi. Me zhvillimin e teknologjisë dhe përhapjen e rrjeteve sociale, bizneset po shesin më shumë online, megjithëse jo në formë të organizuar. Si aktorët e tregut, edhe operatorët postarë, raportojnë rritje të volumit të dërgesave. Informaliteti dhe përdorimi i lartë i cash-it në ekonomi vijojnë të mbeten problem. Sa shpenzojnë shqiptarët për të blerë online dhe si renditet Shqipëria në raport me rajonin dhe vendet e BE-së për shitjet online?

 

Nga Ledina Loga

 

Tregu i shitjeve online në Shqipëri po vijon zgjerimin. Tendenca në rritje e shitjeve pohohet si nga aktorët e tregut, ashtu edhe nga operatorët postarë që merren me dërgimin e pakove nga biznesi. Megjithatë, informaliteti dhe përdorimi i lartë i cash-it mbeten problematikat kryesore. Aktorët kryesorë të tregut presin që ecuria të vijojë pozitive. Së pari, ata i mbështesin shitjet e tyre te klientët e grupmoshës 17-35 vjeç dhe i shikojnë si target-grup të cilët i rikthehen përvojës së tyre me blerjet online. Së dyti, me zhvillimin e teknologjisë dhe rritjen e përdorimit të smartphone-ve, konsumatorët janë të prirë gjithnjë e më shumë drejt kësaj sjellje konsumatore.

Enri Dervishi, bashkëthemelues i Movida Albania, një prej portaleve të shitjeve online, thotë për “Monitor” se sektori i shitjeve online në Shqipëri është në rritje. Ky sigurisht është një lajm i mirë për bizneset që operojnë në treg.

“Lajmi i keq ka të bëjë me rritjen e informalitetit në këtë sektor, specifika e të cilit krijon mundësinë që kushdo të mund të shesë nga shtëpia, pa u regjistruar në QKB e pa ofruar asnjë lloj garancie për produktet që shiten. Kjo favorizohet edhe nga disa kompani shpërndarje, të cilat operojnë me cash dhe jo nëpërmjet bankave. Për pasojë vihen në vështirësi bizneset që janë formale dhe taksapagues, duke ngadalësuar rritjen”, – shpjegon Dervishi.

Ecuria ka qenë pozitive edhe për gjejevete.al., kompani e themeluar vetëm tre vite më parë nga Dalip Bali. Ai shpjegon se pjesa më e madhe e atyre që synojnë tregun e-commerce, kërkojnë të vetëpunësohen ose të krijojnë një dyqan online. Bizneset në Tiranë shfrytëzojnë platformat si gjejevete.al për të hyrë në tregun online.

Edhe për Valer Pinderin, drejtues i Nettrade Albania, e cila ka pjesë faqet Dyqan Taxi, bukinist, beba.al., tregu i shitjeve online është rritur. Por, rritja ka qenë në mënyrë jo të organizuar dhe kaotike.

“Mendoj se tregu online ka pasur një rritje, por jo e organizuar mirë. Kjo sjell konfuzion si te klienti, edhe tek ofruesit e shërbimeve, sepse çdo ditë hapen dhe mbyllen faqe të reja jo serioze që pretendojnë të fitojnë shpejt me këtë biznes. Por, sapo shikojnë vështirësitë, fillojnë të bëjnë shërbim të keq për të rritur fitimin afatshkurtër”, – shpjegon Pinderi. Nettrade Albania, që së fundmi është blerë nga Grupi Balfin, e shikon tregun e shitjeve online në rritje. Ata presin që gjatë 2019-s të arrijnë një mesatare prej 500 porosish në ditë. Për vitin 2019, Pinderi parashikon se shitësit tradicionalë do të rrisin shitjet e tyre online.

 

Postat, dërgesat në rritje

Dërgesat e porosive nga shitjet online, që kryhen kryesisht nëpërmjet operatorëve postarë, kanë shënuar rritje dyshifrore. Për Dorian Vezulin, drejtues i Albanian Courier, kompani e cila ofron shërbime postare në vend, trendi i dërgesave nga shitjet online është rritur kohët e fundit. Sipas të dhënave të tyre, dërgesat për vitin 2018 në raport me vitin 2017 njohën rritje me 16%. Ecuria ka vijuar pozitive edhe në muajin e parë të 2019-s. Sipas të dhënave nga Albanian Courier, dërgesat në janar 2019 ishin 19% më të larta se në janar 2018. Pritshmëritë e drejtuesve janë pozitive.

Shumë operatorë postarë kanë marrë rolin e aktorit aktiv dhe kryesor në tregtinë elektronike të vendit ku ata operojnë, duke u shndërruar në operatorë shitës dhe duke mbyllur ciklin door-to-door. Posta Shqiptare, për shkak të infrastrukturës dhe logjistikës që disponon, që nga adresari, qendrat e magazinimit në qytetet kryesore, qendrat e automatizuara të përpunimit dhe vijimit, mjete të motorrizuara etj., për momentin ndodhet ende në hallkën ndërmjetëse të dorëzimit në adresë të objekteve postare, shpesh edhe duke përdorur opsionin cash on delivery.

Për “Monitor”, Posta Shqiptare ka vlerësuar në rritje trendin e tregtisë elektronike brenda vendit, por sidomos atë nga jashtë tij, i cili është dominues. Sipas të dhënave të tyre, vetëm në vitin 2018 është shënuar një rritje e volumeve prej më tepër se 25% krahasuar me një vit më parë. Posta Shqiptare po planifikon që brenda vitit 2019 të kryejë investime të rëndësishme, si në automatizimin e proceseve të brendshme të punës, ashtu edhe në rinovimin dhe shtimin e flotës së automjeteve dhe mjeteve motorike.

Aktualisht, numri i kontratave të Postës Shqiptare me kompani të cilat operojnë në Shqipëri si shitës online në vitin që lamë pas, u rrit me rreth 20% krahasuar me vitin 2017 dhe ky është një tregues që edhe tregtia elektronike brenda vendit po shënon rritje progresive të ndjeshme nga viti në vit.

 

Shërbimet

Shërbimet, që kërkohen më tepër nga kompanitë e shitjeve online në Shqipëri, të përqendruara më së shumti në Tiranë janë: tërheqja me korrier, dorëzimi në adresë dhe pagesa në momentin e dorëzimit.

 

Pagesa në momentin e dorëzimit i ka përballur këto biznese me problemin e kohës së prerjes së faturës tatimore dhe kuponit, sidomos në rastin kur objekti postar kthehet nga ana e marrësit për arsye të ndryshme, të cilat vijnë nga raportet shitës-blerës dhe serioziteti në biznes. Megjithatë, kthimet kundrejt operatorëve brenda vendit kanë qenë minimale, jo vetëm sepse një pjesë e bizneseve, në kundërshtim me ligjin për mbrojtjen e konsumatorit, nuk e pranojnë kthimin e mallrave që shesin, por edhe për shkak të volumeve jo shumë të mëdha të tregtisë elektronike, krahasuar me vendet e tjera. Qytetet kryesore ku zhvillohet tregtia elektronike janë kryesisht Tirana, Durrësi, Elbasani, Korça, Shkodra, Fieri dhe Mati.

Posta Shqiptare referon si problem kryesor që haset për dorëzimin e objekteve postare, adresat e paplota ose edhe të pasakta. Ndërtimet informale kanë shkaktuar si ndikim dytësor dhe nevojën e rishikimit total të adresave në të gjithë vendin. Nga ana tjetër, ekziston edhe problemi i kulturës së individëve dhe njohjes nga ana e tyre të sistemit të adresave dhe shërbimeve postare. Ofrimi i këtij shërbimi kërkon një infrastrukturë të mirëstudiuar magazinimi, jo vetëm të kapaciteteve, por edhe të shpërndarjes gjeografike. Të dy këta faktorë janë të lidhur me volumet rajonale të kërkesë-ofertës së shitblerjeve. Nga ana tjetër, kërkohet një logjistikë, e cila duhet t’u përgjigjet volumeve në rritje dhe që kërkon investime të herëpashershme.

 

 

Shitjet online nëpërmjet rrjeteve sociale

Rrjetet sociale po përdoren gjerësisht nga bizneset për të rritur aktivitetin e tyre. Sipas të dhënave nga Instagram, vetëm në një muaj, rreth 90 milionë llogari kanë klikuar në postimin e një produkti të caktuar për të mësuar më shumë detaje rreth tij.

Thuajse të gjitha dyqanet, pavarësisht madhësisë, kanë filluar që të operojnë online, falë mundësive pafund që ofrojnë rrjetet sociale për reklamim. Facebook dhe Instagram mundësojnë mjetet e nevojshme për biznesin që të reklamojnë produktet te një treg më i gjerë se sa dyqanet fizike. Kjo tendencë është përhapur në Shqipëri prej disa kohësh, ku çdo dyqan tashmë ka faqen online ku reklamon produktet që shet, pa pasur nevojë që të ketë një faqe të tregtimit online.

“Mendoj që në 2019-n, trendi do të vazhdojë të përforcohet dhe faqet e dedikuara online, pa asnjë dyqan fizik, do të ulin numrin e porosive që lëvrojnë te klientët. Nga ana tjetër, shitësit tradicionalë me pakicë do të vazhdojnë të rrisin shitjet e tyre online, kryesisht ata që kanë nisur të investojnë vitin e kaluar. Aktorët e stabilizuar të shitjeve me pakicë do të gjejnë zgjidhje në rritjen e shitjeve kryesisht duke investuar në sektorin e shitjeve online”, – thotë Valer Pinderi nga Nettrade Albania.

Ai shpjegon se si pasojë e mungesës së barrierës hyrëse në biznes, shumë operatorë të rinj do të hyjnë në treg për të shitur online në periudhat në vijim. Megjithatë, ai nuk parashikon të ketë asnjë konkurrent të denjë për t’u pozicionuar mirë në treg.

 

Informaliteti, problem shitjet cash

Informaliteti pengon pasqyrimin e realitetit të shitjeve online në vend. Informaliteti është i lartë edhe tek operatorët e shitjeve online, të cilët shprehen se për shkak të mundësive që krijon operimi online, shumë individë u shmangen detyrimeve fiskale. E njëjta situatë shfaqet edhe te sektori i shërbimeve postare. Pjesa më e madhe e bizneseve për dërgesat brenda Tiranës punësojnë individë të palicencuar për këto shërbime. Ndërsa për dërgesat në rrethe, por edhe jashtë vendit, funksionon ende dërgimi i pakove nëpërmjet operatorëve të transportit të njerëzve, të cilët përkundrejt pagesave bëjnë edhe dërgimin e pakove në rreth. Thuajse mbi 90% e shitjeve online bëhen me para në dorë (cash-on-delivery). Të gjithë aktorët e tregut pohojnë se nëse do të operonin vetëm me pagesat online, asnjë prej tyre nuk do të mbijetonte në treg.

Të vetmet raste kur përdoren pagesat online janë për dhurata. Të gjithë duan të paguajnë me para në dorë, vetëm kur është pjesa e dhuratave. “Nëse nuk do të vendosja pagesat me cash, sot do të isha jashtë tregut”, shpjegon Dalip Bali. Arsyeja kryesore, thotë ai, është mosbesimi i konsumatorëve ndaj pagesave online. Ai argumenton se mosbesimi është krijuar nga marrëdhëniet jokorrekte që kanë pasur me operatorët e tjerë, apo operatorët informalë, që shpesh edhe pse kanë marrë pagesën për një produkt të caktuar, nuk e kanë dërguar mallin, ose e kanë çuar jo sipas kërkesave të klientit.

 

Operatorët e presin 2019 në rritje, por mundësitë e zgjerimit janë të pakta

Operatorët kryesorë të tregut presin që rritja të jetë e qëndrueshme në vitet në vijim. Valer Pinderi nga Nettrade Albania pret që tregu i shitjeve online edhe për 4 – 5 vitet e ardhshme do të ketë një trend rritjeje në tërësi mbi 30%. Për këtë arsye, ai shpjegon se kanë vendosur që këtë vit të investojmë shumë në infrastrukturë dhe produkte.

Kompania Nettrade Albania, kohët e fundit ka ndryshuar pronësinë, duke u bërë pjesë e grupit Balfin. Sipas drejtuesit të saj, pritet që t’u nënshtrohet ndryshimeve të shumta në strukturën dhe operim.

Gjatë 2019-s, ai parashikon se do të arrijnë një mesatare prej 500 porosish në ditë, ndonëse kapaciteti i platformës është deri në 2000 porosi në ditë. Megjithatë, sipas një analize të tregut që kanë kryer Nettrade Albania, rezulton se lojtarët e 2018-s po humbin ritmin e tyre të rritjes si pasojë e mungesës së investimit dhe standardeve të punës.

Edhe pse mundësitë për t’u bërë pjesë e tregut të shitjeve online janë të larta, pasi barrierat hyrëse mund të konsiderohen të ulëta, operatorët aktualë i vlerësojnë shanset e konkurrentëve të rinj për të mbijetuar në treg të ulëta.
Dalip Bali, themelues i gjejevete.al., shprehet se në vitin 2019, presin që të zgjerojnë rrjetin e partnerëve dhe në të njëjtën kohë të konsolidojnë dy produkte të reja që kanë prezantuar në tregun e-commerce, të cilat ai i shikon më tepër si plotësuese për tregjet ku gjejevete.al nuk arrin të depërtojë dot.

Por jo të gjithë janë kaq optimistë. Enri Dervishi, bashkëthemeluesi i Movida Albania, thotë se zgjerimi është një nga objektivat që ata kanë, por e shikojnë të vështirë investimin në një treg ku informaliteti është i lartë. Për të, kjo është një nga barrierat kryesore.

 

Sa shpenzojnë shqiptarët me blerje online

Operatorët kryesorë të tregut thonë se në krye të kërkesës për blerje online janë pajisjet elektronike dhe teknologjike. Mbështetur edhe në statistikat e blerjeve në portalin e tij, Dalip Bali shpjegon se blerësit shqiptarë blejnë çka iu ofrohet dhe nuk shpenzojnë kohë të kërkojnë për një produkt. Arsyeja kryesore, sipas tij, është ekonomia e dobët. “Shqiptarët nuk bëjnë blerje të zgjuara, por blejnë vetëm atëherë kur iu duhet diçka”, – thotë Bali.

Në portalin gjejevete.al, në pesë produktet më të shitura ka një miks të pajisjeve elektronike dhe enëve të kuzhinës.

Mesatarja e shpenzimit përllogaritet nga 2,800 lekë në 3,200 lekë. Shuma e shpenzuar rritet kur bëhet fjalë për pajisjet elektronike, të cilat kanë edhe çmime më të larta. Sipas Balit, shumica e porosive varion nga 1,500 deri në 25,000 lekë.

Enri Dervishi, bashkëthemelues i Movida Albania, thotë se nga statistikat, produktet më të shitura dhe të kërkuara në portalin e tij janë ato të konsumit, si p.sh. consumer electronics si smartphone apo smartwatch., por edhe veshje si xhupa, atlete dhe kategori të tjera në një masë më të ulët.

“Mesatarja varet shumë nga sezoni. Në dimër shkon në rreth 25 euro ndërsa në verë, rreth 15 euro”, – shprehet Dervishi.

Valer Pinderi, drejtues i Nettrade Albania, thotë se porositë për produktet për fëmijë 0-5 vjeç dhe ato për nënat shtatzënë janë dyfishuar në krahasim me periudhën e mëparshme. Në fokus ka qenë edhe faqja e dedikuar për librat, e cila tashmë është edhe rishitësi më i madh i librave në Shqipëri. Pinderi shton se edhe elektronika mbetet një kategori me kërkesë të lartë.

Pajisjet elektronike janë ndër më të kërkuarat edhe në dyqanet e huaja online. Në vend të parë për vitin 2018, produkti më i shitur online ishin aksesorët e telefonave, si kasat mbrojtëse. Industria e prodhimit të smartphone-ve është në rritje eksponeciale dhe po ashtu edhe aksesorët për to. Produktet më të kërkuara janë kasat mbrojtëse, kapëset e telefonave, mbrojtëset e ekranit, karikues, kufje. Në vend të dytë janë orët inteligjente, më pas renditen produktet e përkujdesjes së trupit, maskat e fytyrës, veshjet sportive, për shtatzëninë, etj.

Sipas statista.com, në shpenzimet për blerje online, vendin e parë e mban Britania e Madhe me 942 euro për frymë, më pas renditen vendet nordike me 717 euro për frymë, Gjermania me 670 euro, Franca me 584 euro, Spanja me 538 euro dhe Italia me 396 euro për frymë.

 

Të fundit në Europë për blerjet online

Blerjet online janë një nga lehtësitë që kanë përfituar njerëzit me zhvillimin e teknologjisë. Me shpejtësinë e një kliku mund të blesh produkte pa qenë nevoja që të orvatesh në dyqane për të gjetur atë që kërkon, pa u kufizuar brenda kufijve të shtetit tënd. E ndërsa bota po rend drejt veprimeve online, Shqipëria renditet e fundit ndër vendet anëtare dhe kandidate të BE-së për blerjet online.

Shqipëria është vendi me përqindjen më të ulët të blerjeve online në krahasim me vendet e Bashkimit Europian dhe kandidatëve për anëtarësim. Sipas Anketës së Cilësisë së Jetës, 85% e të pyeturve kanë deklaruar se nuk kanë kryer blerje online dhe 15% se kanë bërë blerje online. Ndër vendet kandidate, përqindjen më të ulët të blerjeve online pas Shqipërisë e ka Maqedonia, ku vetëm 25% të të anketuarve kanë deklaruar se kanë kryer blerje online. Në Malin e Zi, Serbi dhe Turqi, përqindja e të anketuarve online që kanë deklaruar se kanë bërë blerje online varion nga 31 në 34%.

Mesatarja e të anketuarve në Bashkimin Europian që kanë deklaruar se kanë kryer blerje online është 67%.

Vendet e Bashkimit Europian me përqindjen më të lartë të blerjeve online janë Suedia me 85%, Mbretëria e Bashkuar me 84%, Danimarka dhe Holanda me 83%, Finlanda me 76%. Ndërsa vendet anëtare të Bashkimit Europian që shënuan përqindjen më të ulët të të anketuarve që deklaruan se kanë kryer blerje online janë Kroacia me 33%, Rumania dhe Portugalia me 36% dhe Greqia me 37%.

Ligji që pengon blerjet online

Në gusht të vitit 2016, hyri në fuqi një vendim me të cilin blerjet online mbi 22 euro paguajnë TVSH dhe taksë doganore. Nëse kalohet kufiri i taksueshëm, atëherë blerësi paguan gjithsej si taksa 22.4% të vlerës së mallit (20% TVSH, 2.4% taksë doganore).

Të dhënat nga INSTAT tregojnë se dërgesat me postë u rritën vetëm 1% në 2017-n me rreth 455 tonë, por përsëri pa e arritur nivelin e vitit 2015. Dërgesat me postë kanë pësuar rënie. Sipas llogaritjeve, blerjet online janë sa 70% e totalit të paketave të të ardhurave dhe 30% e kolipostave.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of