Reshjet intensive të shiut kanë shkaktuar probleme në Deçan, Kaçanik dhe Viti, shkruan sot “Koha Ditore”.
Në Deçan uji ka vërshuar kryesisht rrugët kryesore. Problemi është shkaktuar nga uji që doli nga kanali i quajtur “Përroi i Ukjave”. Shkaktar i daljes së ujit nga ky kanal, që gjendet skaj rrugës që shpije te Manastiri i Deçanit, kanë qenë mbeturinat e hedhura të cilat kishin bllokuar këtë kanal të hapur.
Në Kaçanik, vërshimet kanë shkaktuar dëme në parcela bujqësore, por edhe në shtëpi të banimit. Më të dëmtuarit janë banorët e lagjes “Kukaj”, të cilëve u janë dëmtuar edhe veturat nëpër oborre shkaku i rrëshqitjes së baltës dhe zhavorrit.
“Ky kanal disa herë është pastruar dhe betonuar, por kjo vjen si pasojë e pakujdesisë së qytetarëve të cilët në vazhdimësi hedhin mbeturina dhe një shi i rrëmbyeshëm sikurse ky që ka rënë sjell edhe pasoja dhe dalje të ujit nga shtrati nëpër qytet”, ka deklaruar kreu i Deçanit, gjatë takimit me shtabin emergjent. Ky shtab është krijuar në një takim të jashtëzakonshëm që kishte thirrur Ramosaj të shtunën për shkak të situatës së krijuar. Shtabi i përbërë nga Drejtoria e Shërbimeve Publike, Shërbimi i Zjarrfikësve, Policia e Kosovës, Kompaninë “Higjiena” dhe kompanitë e tjera të kontraktuar për mirëmbajtje, në terren ndërmori masat e nevojshme që të kthejë gjendjen e krijuar në normalitet.
/KOHA DITORE/
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.