Administrata Tatimore e Kosovës gjatë vitit 2020 ka shënuar rënie të të ardhurave për shkak të pandemisë Covid-19. Gjatë shpalosjes së raportit vjetor, është treguar se 491.8 milionë euro ka qenë planifikimi i të ardhurave për vitin 2020, ndërsa janë arkëtuar 467 milionë ose 78 milionë euro më pak të ardhura.
Zëvendësdrejtori i përgjithshëm i ATK-së, Ekrem Hysenaj, ka prezantuar aktivitetet e zhvilluara, si dhe rezultatet e arritura të ATK-së gjatë vitit 2020.
Ai ka thënë se si pasojë e pandemisë për periudhën janar-dhjetor të ardhurat në vitin 2020 janë zvogëluar për 78 milionë euro.
“Gjatë vitit 2020 ka qenë një vit sfidues për shkak të pandemisë dhe si rezultat jemi ndikuar si ATK. Të ardhurat janar-dhjetor 2020 kanë qenë më të zvogëluara dhe në këtë rast me planin e rishikuar kanë qenë 491 milionë euro, kurse realizimi ka qenë 467 milionë euro. Pjesëmarrje më të madhe sipas tatimeve ka tatimi mbi vlerën e shtuar. Kemi 78 milionë euro më pak apo 14% zvogëlim të të ardhurave”.
Ai ka shtuar se për periudhën mars-nëntor ka pasur një rënie të qarkullimit prej 1 miliard euro.
“Në muajin janar-shkurt kanë qenë qarkullimi më i madh në krahasim me vitin paraprak, ndërsa me fillimin e pandemisë ka rënë qarkullimi dhe me lirim e masave prapë ka filluar rritje e qarkullimit por me suaza më të vogla krahasuar me vitin 2019”, ka thënë Hysenaj.
Në vitin që lamë pas, sipas ATK-së sektorët më të prekur nga pandemia ishin, ai i argëtimit dhe rekreacionit me një rënie prej 66 për qind, sektori i patundshmërisë me 27.9 për qind, sektori i akomodimit dhe shërbimit ushqimor me një rënie prej 37.9 për qind.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.