Shkalla e papunësisë në Mbretërinë e Bashkuar ka arritur nivelin më të lartë në tre vjet në vazhdën e pandemisë së vazhdueshme të Covid-19, sipas Zyrës për Statistikat Kombëtare (ONS).
Në përditësimin e tij të fundit, institucioni tha se rreth 1.5 milionë njerëz mbetën të papunë midis qershorit dhe gushtit.
“Punësimi i përgjithshëm është ulur me rreth gjysmë milioni që nga fillimi i pandemisë dhe ka grupe të veçanta që duket se preken më së shumti, të rinjtë në veçanti.
“(Nga ata që janë pa punë) rreth 300 mijë janë të moshës 16-24 vjeç, një rënie me rreth 60 për qind e punësimit…kjo është me të vërtetë joproporcionale,” tha Jonathan Athow, zëvendës statisticienti kombëtar i ONS për statistikat ekonomike.
Shumica presin që papunësia të rritet më tej pasi skema e qeverisë të zëvendësohet me një paketë më pak bujare të mbështetjes së pagave në nëntor.
Për më tepër, nga kjo javë kufizimet më të ashpra lokale do të detyrojnë pub-et, baret dhe bizneset e ambientet e kohës së lirë në Angli të mbyllen në zonat më të prekura, siç ka ndodhur tashmë në një pjesë të Skocisë.
Gjithashtu, një analizë e Citibank ka sugjeruar që shkalla e papunësisë mund të arrijë 8.5 për qind në gjysmën e parë të 2021, një nivel që nuk është parë që nga fillimi i viteve 1990./BBC