Të paktën 24 kompani janë përjashtuar nga procedurat e prokurimit publik për afate që nisin nga një deri në tre vjet. Sipas buletinit, vetëm në janar dhe shkurt të këtij viti njoftimi për këtë masë u është bërë pesë kompanive, duke hequr kështu mundësitë e tyre për të marrë pjesë në procedura prokurimi dhe të paguhen nga paratë publike.
APP jep detajet e kompanive sa u takon emrave të kompanive dhe numrit të tyre të identifikimit, si dhe afatin e pezullimit nga procedurat e prokurimit, por nuk jep arsyet se pse është marrë kjo masë.
Sipas ligjit, kompanitë që regjistrohen në sistemin e Agjencisë së Prokurimit Publik për të qenë operatorë ekonomikë që kontraktohen nga autoritete publike sipas ofertave mund të humbasin këtë të drejtë nëse kapen në shkelje.
Kjo e fundit mund të lidhet me paraqitjen jo të plotë të dokumentacionit të tyre, duke mos përmbushur kushtet e kërkuara ose paraqitjen e dokumenteve jo të sakta. Keqinformimi me dokumente është një nga arsyet kryesore që ka shërbyer edhe në të kaluarën, si arsye për të përjashtuar subjektet nga garat publike.
Një tjetër arsye që mund të shërbejë për futjen në listën e të përjashtuarve është ajo kur autoritetet kontraktore nuk respektojnë afatet për të kryer punën apo shërbimin që kanë marrë përsipër sipas kontratës. Mosrealizimi i saj në kohë është shkak për penalizim dhe raportimi i një situate të tillë nga autoritetet kontraktore pranë APP rezulton në heqjen e së drejtës për pjesëmarrjen në tenderë.
Praktika e sinjalizimit të procedurave që nuk përfundohen në kohë nga operatorët ekonomikë është e vazhdueshme dhe APP vepron vetëm pasi ka marrë informacionin e saktë nga autoritetet. Nga analiza e raporteve vjetore të APP rezulton se, zakonisht, kërkesat e autoriteteve kontraktore për përjashtim të operatorëve janë më të lara sesa në fakt rezulton të jenë përjashtimet faktike që njoftohen kohë pas kohe në çdo buletin të APP.
Kjo vjen pasi shpesh nuk niset procedimi administrativ, sepse kërkesat e paraqitura nga propozuesit konsiderohen me dokumentacion të pamjaftueshëm dhe paargumentuar për të filluar procedimin administrativ, apo në disa raste ju është kërkuar edhe plotësim i dokumentacionit, sipas kushteve që përcakton ligji për prokurimin publik./N.Maho
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.