Për të mbajtur të ulët deficitin buxhetor dhe për të marrë notë pozitive para FMN-së, qeveria iu vë gërshërën shpenzimeve për shtresat në nevojë të popullsisë. Gjatë pesëmujorit janar – maj 2015, referuar tabelës së Ministrisë së Financave për treguesit fiskalë, deficiti buxhetor u ul 17% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2014. Por si arriti qeveria të ulë deficitin, kur të ardhurat për pesëmujorin rezultojnë 6.6 miliardë lekë më pak sesa plani?
Pagesat për shtresat në nevojë
Nga të dhënat zyrtare zbulohet se në mënyrë të pamëshirshme, qeveria po shkurton fondet e shpenzimeve për ndihmën ekonomike, për pagesën e papunësisë, pensionet e invaliditetit, kompensimin e shtresave në nevojë dhe çdo lloj shpenzimi tjetër me natyrë sociale. Sipas orientimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, me justifikimin se ka pasur abuzime, në vend që të pastrohen listat dhe të zëvendësohen me ata që e meritojnë ndihmën sipas ligjit, fondet për këto kategori janë shkurtuar dhe vazhdojnë çdo muaj të reduktohen më tej. Krahasuar me 5-mujorin janar-maj 2014, ndihma ekonomike del se është reduktuar me mbi 2.5 miliardë lekë, ose 25% më pak. Ndërsa, pagesa e papunësisë është ulur edhe më tepër në muajin maj 2015, kur rezulton se në fund të 5-mujorit ishin dhënë -174 milionë lekë më pak, ose -38.3% më pak se sa vitin e kaluar. Edhe për ish të përndjekurit, pagesa e dëmshpërblimeve vazhdon më ngadalësi. Për 5-mujorin nga ky fond janë dhënë 105 milionë lekë më pak. Po ashtu, shpenzime më të ulëta se sa vjet janë bërë për kompensimin financiar të ish-pronarëve të cilët morën 763 milionë lekë më pak, e shprehur ndryshe 76.8% më pak.
Personeli
Shpenzimet për personelin pësuan një ulje me gati 173 milionë lekë në krahasim me të njëjtin 5-mujor të vitit 2014, me një zbritje 0.6%. Në këtë reduktim ndikon pagesa e një shume më të vogël për kontributet e sigurimeve shoqërore.
Sigurimet
Në raport me fondin e planifikuar, gjatë 5-mujorit janë paguar -1,7 miliardë lekë më pak kontribute të sigurimeve shoqërore, ose -4.1% më poshtë se e njëjta periudhë e vitit 2014. Ndërsa shpenzimet për sigurimet shëndetësore në raport me planin kanë zbritur -888 milionë lekë ose -6.6% më pak se sa 5-mujori janar-maj 2014. Duket se qeveria manovron me vonesën e pagesave të këtyre kontributeve për të kompensuar mungesën në arkë të të ardhurave.
Borxhi
Qeveria ka kursyer edhe nga pagesat e interesit të borxhit, ku shpenzimet kanë qenë 16% më të ulëta në krahasim me vjet. Në këtë tregues, zëri kryesor është borxhi i brendshëm ku interesat e kursyera janë mbi 1,2 miliardë lekë ose rreth -9.6% më pak se sa planifikimi.
Investimet
Shpenzimet kapitale në këtë 5-mujor mbeten të parealizuara në një masë të madhe. Referuar tabelës së 5-mujorit, janë 2,6 miliardë lekë më pak investime të kryera, pra rreth -12.7% më poshtë se sa plani. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, diferenca është 26.3% më pak, ose rreth 3,8 miliardë lekë më poshtë. Duke qenë një periudhë elektorale, qeveria e ka shkelur gazin për investimet me financim të brendshëm, të cilat i ka rritur me 8.8%, por e “tradhtojnë” projektet me fonde të huaja, që janë 32.4% më pak se sa ishte planifikuar. Një sektor tjetër ku ka rënë gërshëra është mirëmbajtja e infrastrukturës, ku qeveria gjatë kësaj periudhe ka dhënë rreth -1,7 miliardë lekë më pak, ose minus 12.3% në raport me planin.
Të ardhurat
Mosrealizimi i planit të të ardhurave vazhdon të thellojë gropën në buxhetin e shtetit. Në fund të 5-mujorit, rezulton se janë -6.677 miliardë lekë më pak se plani (-4.2%), ku tatimet dhe doganat kanë barrën më të madhe, me 11 miliardë lekë më pak se sa parashikimi. Një pjesë e kësaj diference mbulohet nga të ardhurat e arkëtuara nga AKEP-i për shitjen e licencës 4G. Rënia e fortë e të ardhurave ndaj planit nuk e justifikon qeverinë për rritjen e taksave. Në fillim të vitit, kur prezantoi paketën e re fiskale, qeveria e rriti barrën e taksave me 18 miliardë lekë për vitin 2015. Por, për 5-mujorin, të dy institucionet kanë mbledhur po aq të ardhura sa një vit më parë, edhe pse taksat dhe çmimet janë rritur dhe prodhimi kombëtar është zgjeruar. Rënien më të madhe e ka akciza me 4.5 miliardë lekë, e ndjekur nga tatimi mbi të ardhurat personale me 3.2 miliardë ose 22% më pak se plani. Ndërkohë në Tiranë vazhdojnë bisedimet e delegacionit të FMN-së me palën shqiptare për rishikimin e pestë të marrëveshjes së huas. Pak kohë më parë, përfaqësuesi i FMN-së në Shqipëri, Reinke, e konsideroi si zhgënjyese ecurinë e të ardhurave, duke i kërkuar qeverisë të identifikojë arsyet e rrëshqitjes fiskale për të mos vënë në rrezik buxhetin. Për të arritur nënshkrimin e deklaratës së radhës me FMN-në (që lejon disbursimin e këstit të huas), qeveria ka shtuar varfërinë, duke ulur fondet e asistencës, por ka ulur edhe investimet, që rrezikojnë rritjen ekonomike.
/ GAZETA SHQIP
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.