Shkelje e dyshime për manipulim, kërkohet pezullimi i zgjedhjes së kryeshefit të Infrakosit

11/03/2021 11:14 AM 0 komente

Ministri në detyrë i Ekonomisë dhe Ambientit, Muharrem Nitaj, ka reaguar pasi Bordi i përkohshëm i drejtorëve të Ndërmarrjes “Infrakos” zgjodhi kryeshefin ekzekutiv. Kurse, ​ambasada Britanike i ka kërkuar Qeverisë në detyrë të mos emërojë borde.

Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit (MEA) njofton se është kërkuar që Bordi i Infrakosit ta pezullojë përzgjedhjen e kryeshefit të ri ekzekutiv të kësaj ndërmarrjeje.

Sipas MEA-së, gjatë procesit të përzgjedhjes nuk janë zbatuar kriteret e konkursit dhe se janë bërë shkelje.

“Pavarësisht se unë si ministër e në cilësinë e aksionarit të Infrakosit, me shkresë zyrtare qysh dje kam kërkuar nga bordi i Infrakosit që ta pezullojë përzgjedhjen e kryeshefit të ri ekzekutiv, me arsyetim se në proces të përzgjedhjes nuk janë zbatuar kriteret e konkursit, ata këtë çështje e kanë bërë akt të kryer, me çka kanë bërë shkelje”, thuhet në deklaratën e ministrit në detyrë të MEA-së, Muharrem Nitaj.

Ai ka shkruar se, janë bërë shkelje të rregullave të konkursit.

“E kam vlerësuar se zgjedhja e bordeve të reja duhet të jetë në diskrecionin e Qeverisë së re. Por kjo nuk nënkupton që bordet e përkohshme që janë në ditët e fundit të tyre, mund të bëjnë përzgjedhjen e ngutshme të kryeshefave ekzekutivë të ndërmarrjeve publike, madje edhe duke shkelur rregullat e konkursit, e shpesh edhe në kundërshtim me ligjin, siç ka ndodhur me kryeshefin ekzekutiv të Infrakosit”, përfundon reagimi.

Gjatw ditës sw djeshme ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë i ka bërë thirrje Qeverisë në detyrë, që të shtyjë gjitha vendimet dhe proceset e rekrutimit për zyrtarë të lartë derisa të formohen institucionet e reja.

Në një postim në facebook, Ambasada britanike ka përshëndetur vendimin e Qeverisë për shtyrjen e procesit të intervistimit për Bordin e KEK-ut.

”Ne e mirëpresim shtyrjen e procesit të intervistimit për Bordin e KEK-ut, por mbetemi të shqetësuar për proceset e rekrutimit të Bordeve të tjera të Ndërmarrjeve Publike dhe kryeshefave ekzekutivë të tyre. Ne besojmë se ato duhet të jenë transparente dhe të strukturuara mirë, dhe në përputhje me Ligjin për Ndërmarrjet Publike. Ne fuqimisht sugjerojmë që Qeveria në detyrë të shtyjë të gjitha vendimet dhe proceset e rekrutimit për zyrtarë të lartë derisa të formohen institucionet e reja”, thuhet në reagim.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of