Shkeljet e koncesionarëve të HEC-eve, MIE “harron” të arkëtojë 16.4 milionë euro

13/02/2020 11:00 PM 0 komente

Monitorimet periodike të Agjencisë Kombëtare të Burimeve të Natyrës mbi koncesionarët e hidrocentraleve kanë rezultuar me penalitete për ata që nuk kanë respektuar kontratën.

Por pavarësisht penaliteteve të propozuara rezulton se ka pasur kthim në bllok nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë të këtyre raporteve, duke lënë penalitetet të papranuara për të gjithë. Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit pas një auditimi në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë vlerëson se janë të pakontabilizuara penalitete në masën 2 miliardë lekë apo 16.4 milionë euro.

Sipas KLSH, nga auditimi rezultoi se, thuajse në të gjitha rastet raportet e monitorimit tremujor të përcjella në MIE nga AKBN, si institucion i ngarkuar për monitorimin dhe mbikëqyrjen e veprimtarisë hidroenergjetike sipas kontratave të lidhura nga ministria e linjës mbeten pa veprim. Sipas të dhënave të MIE, raportet janë kthyer për rishikim nga AKBN, megjithëse në ta përfshihet një numër i konsiderueshëm kontratash të trajtuara dhe propozimesh të bëra për vendosje penalitetesh lidhur me shkelje të kushteve të kontratës, por jo vetëm.

“Kthimi në bllok i raporteve të monitorimit, pa veçuar rastet të cilat janë trajtuar korrekt nga AKBN ka sjellë si pasojë mungesën e aplikimit të penaliteteve në një vlerë të konsiderueshme. Gjithashtu, për rastet e pasaktësive “të pretenduara”, nuk evidentohen veprime të mëtejshme nga MIE në rolin e autoritetit qendror për mbikëqyrje, plotësimin dhe përmirësimin e tyre, çka tregon gjithashtu mangësi në përmbushjen e detyrimeve institucionalë drejt organeve të varësisë. Për 8 (tetë) raste të monitoruara të hyra në MIE gjatë periudhës janar 2017-gusht 2019 për të cilat nuk disponohen aktet administrativë për arkëtimin e tyre, vlera e munguar në kontabilitetin e MIE, shkon në rreth 2,025,281 mijë lekë”, vlerëson KLSH.

Lidhur me këtë situatë, ky institucion ka rekomanduar tre masa ku së pari MIE, sipas propozimeve të rekomanduara nga AKBN të nxjerrë aktet e nevojshme administrative për arkëtimin e vlerës së sanksioneve të cilat rezultojnë të pazbatuara.

Së dyti, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE), të bëjë vlerësimin e duhur të situatës lidhur me parregullsitë e konstatuara, si dhe të marrë masa për sjelljen e procesit brenda “kornizës ligjore”.

Së treti MIE, në rolin e autoritetit kontraktor, të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për hartimin e një databaze ndërvepruese me AKBN dhe plotësimin e saj me të gjitha sanksionet e vendosura sipas raporteve të monitorimit në nivel kontrate dhe HEC-i prej fillimit të veprave, si dhe vlerat e arkëtuara prej tyre.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of