Në gjysmën e dytë të 2014-s dhe muajt e parë të 2015-s, kompania e përpunimit të naftës doli nga letargjia ku e kishin futur një varg relativisht i dështuar privatizimesh e shitblerjesh. Ajo rinisi përpunimin e naftës direkt dhe përmes dy kompanive që morën me franshizë aktivitetin e saj, Deveron Oil Albania dhe TPD-Trading Petrol & Drilling.
Deveron Oil Albania, e hapur në 13.11.2013, me të ardhura zero në 2013, ka parë një rritje të shpejtë të të ardhurave në 2014-n, në 10.7 miliardë lekë, duke u renditur e 21-a ndër kompanitë më të mëdha. Sipas Ministrisë së Industrisë dhe Energjisë, Deveron Advisor Corp zotëron shoqërinë Oil Albania. Konsiderohet se është person i lidhur me zotëruesit e aksioneve të shoqërisë ARMO. Deveron është krijuar në nëntor të 2013-s. Prej shkurtit të vitit 2014 operon në rafinerinë e Ballshit me kapacitet të përpunimit të naftës bruto prej 1 milion tonësh në vit, por me një përpunim real 110 mijë tonë. Arsyeja qëndron se faza e investuese u mbyll në muajin korrik dhe është punuar për 5 muajt e fundit të vitit 2014.
TPD-Trading Petrol & Drilling, në shtator të 2013-s, ka nënshkruar marrëveshje me ARMO-n dhe operon në rafinerinë e Fierit në kapacitet përpunimi 500 mijë tonë në vit, që nëpërmjet qirasë shfrytëzon një nga impiantet e përpunimit të naftës së ARMO-s. Kompania është krijuar në maj të vitit 2012, sipas të dhënave nga QKR dhe ka njohur rritje të shpejtë, duke e shtuar xhiron me 440% në 2014, në 16.5 miliardë lekë. Ajo është radhitur e 11-a ndër kompanitë më të mëdha për nga xhiroja në tatime në vitin 2014.
Ndonëse shteti ka ende 15% të aksioneve të ARMO-s (pjesa tjetër zotërohet nga azerët e Heany Assets Corporation, që rezulton se kanë lënë administrimin e kompanisë) mungon plotësisht transparenca se çfarë po ndodh me përpunuesin e naftës, që sipas kontratës së privatizimit duhet të investonte 250 milionë dollarë.
Për xhiron e ARMO-s në vitin 2014 nuk ka të dhëna të plota. Kompania nuk ka dorëzuar bilanc në QKR, ndërsa tatimet kanë të dhënat për të ardhurat nga shitjet të kompanisë për 11-mujorin, që arrijnë në 2.8 miliardë lekë. Në vitin e plotë 2013, ARMO deklaroi një xhiro prej 7.1 miliardë lekësh.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.