Kur u krijua, si u rrit dhe më pas falimentoi kompania më e madhe ajrore në vend, “Belle Air”? Brenda dy viteve, kjo shoqëri arriti të dalë e para në treg dhe më pas të dominojë tregun, duke nxjerrë “jashtë loje” disa operatorë të tjerë, vendas dhe të huaj
Nga Laura Çela
Falimentimi i kompanive në vështirësi financiare është një proces thuajse i zakonshëm në ekonomitë e tregut (megjithëse pak raste janë shënuar në Shqipëri) por kur kjo i ndodh një shoqërie që dominon tregun, që ka shënuar rritje dinamike edhe gjatë krizës, pikëpyetjet janë të shumta.
Më 24 nëntor, kompania më e madhe ajrore në vend, me një xhiro vjetore prej rreth 110 milionë eurosh dhe dominimin mbi gjysmën e tregut ajror shqiptar, “Belle Air”, shpalli falimentimin. Lajmi zuri në befasi pasagjerët që kishin rezervuar fluturimet e tyre, të cilëve iu desh të prisnin me orë për zëvendësimin e udhëtimit, por edhe vetë punonjësit e shoqërisë.
Disa prej tyre e kanë mësuar lajmin pasi kishin kryer fluturimin e parë jashtë Shqipërisë dhe u është dashur të organizohen vetë për kthimin në shtëpi. Me gjithë problemet që kompania kishte shfaqur muajt e fundit (kryesisht probleme në pagesa) falimentimi dukej diçka e largët.
“Belle Air” largohet nga tregu pas më shumë se 7 vite aktivitet dinamik, me dhjetëra destinacione dhe duke lënë kështu “të lirë” mbi gjysmën e tregut të fluturimeve në vend dhe duke ndezur fort konkurrencën ndërmjet kompanive të tjera ajrore.
“Shkëlqimi” i “Belle Air”
“Belle Air” ishte deri më sot lideri absolut i tregut ajror pasi e rriti me shpejtësi pjesën e tij në të që me nisjen e aktivitetit në mars të 2006-s. Filozofia dhe strategjia që kompania zgjodhi për të hyrë në treg ishte kostoja relativisht e ulët duke konkurruar fillimisht me destinacionet drejt Italisë, ndërsa pas vitit 2011 zgjeroi gjerësisht fluturimet edhe në destinacione të tjera europiane.
“Belle Air” kishte 50.1% të tregut nga numri i udhëtarëve në fund të vitit 2012.
Ajo fitoi pjesën e tregut me shpejtësi gjatë periudhës 2007-2009 me destinacione të Italisë, ndërkohë që dy konkurrentët e tjerë kryesorë, “Albanian Airlines” dhe “Alitalia” shënuan rënie të peshës së tyre, ndërsa konkurrenti kryesor i saj fillestar, që operonte me çmime të lira dhe synonte të njëjtën fashë konsumatorësh, “Albatros”, u mbyll në vitin 2007.
Të dhënat nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës konfirmojnë se “Belle Air” arriti në vitin 202 të shënonte rritje të numrit të pasagjerëve edhe se numri total i tyre dhe i fluturimeve kanë shënuar rënie për herë të parë në fund të vitit 2012.
Numri i udhëtarëve u reduktua me 8.3% gjatë vitit të kaluar, duke regjistruar tkurrjen e parë që nga viti 2005.
Por kjo nuk e ndali “Belle Air” që të rriste me 2% peshën në tregun total sipas udhëtarëve, duke rrëmbyer 50.1% të tij.
Kjo kompani ka qenë e vetmja që ka njohur rritje të dominancës së saj në treg, që nga dita e nisjes së operimeve.
Pozitive ka qenë edhe performanca financiare e shoqërisë, sipas të dhënave zyrtare nga bilanci i dorëzuar i kompanisë në Drejtorinë e Tatimeve.
Për vitin 2012, “Belle Air” rezultoi me një qarkullim vjetor prej 15.6 miliardë lekësh (rreth 110 mln euro), me një rritje vjetore prej rreth 10%, duke u pozicionuar e 12-a në listën e kompanive më të mëdha në vend. Kompania ka raportuar fitime dhe jo humbje në Tatime.
Zgjerimi i xhiros, në një kohë që tregu i fluturimeve në total ka shënuar rënie, ka bërë që pesha e tregut të “Belle Air”, e matur nga fluksi i pasagjerëve, të arrijë në 53% në fund të prillit 2013, sipas të dhënave nga “Tirana International Airport”.
Destinacioni i saj kryesor mbetet Italia. Rritja e shpejtë e kishte vënë “Belle Air” në vëzhgim të Autoritetit të Konkurrencës, për mundësi abuzimi me fuqinë dominuese.
Si u “mposht” konkurrenca
Kompania me kapital tërësisht shqiptar, me aksionerë të deklaruar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, Ilir dhe Suzana Xhelo, arriti të “mposhtë” me shpejtësi konkurrentët e tjerë në treg, megjithëse këto ishin edhe shoqëri ndërkombëtare.
Tregu i transportit ajror në Shqipëri shënoi rritje të shpejtë deri në fund të vitit 2011, për shkak të disa zhvillimeve pozitive, si ndërtimi i terminalit të ri të pasagjerëve në të vetmin aeroport ndërkombëtar në Shqipëri, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) në mars 2007 dhe nga ngjarja e dytë më e rëndësishme, liberalizimi i vizave në fund të dhjetorit 2010.
Ky trend i rritjes ndryshoi pas vitit 2012, pasi kriza ekonomike reduktoi shpenzimet për udhëtim të konsumatorëve.
Rritja e Belle Air
Në fillim të vitit 2006, kur “Belle Air” nisi aktivitetin, në vend operonin 5-6 kompani të mëdha dhe tregu dominohej nga shoqëria shqiptare, “Albanian Airlines”, me mbi 26% të tregut, ndjekur nga
“Alitalia”, “Albatros”, etj.
Por vit pas viti, konkurrentët më të fortë të “Belle Air”, që “luftonin” pak a shumë me të njëjtën strategji, çmime të lira, dolën nga tregu.
Konkurrenti kryesor i saj fillestar, që operonte me çmime të lira dhe synonte të njëjtën fashë konsumatorësh, “Albatros”, u mbyll në vitin 2007. Procesi asokohe u shoqërua me reagime dhe pakënaqësi nga drejtuesit e kompanisë.
Në nëntor 2011, qeveria shqiptare vendosi të pezullojë veprimtarinë e linjës ajrore “Albanian Airlines”, një shoqëri shqiptare që ishte lider në treg në vitin 2005, por që atëherë kishte humbur vazhdimisht pjesë të tregut.
Pas këtij vendimi, Autoriteti i Aviacionit Civil anuloi certifikatën e operimit ajror për këtë kompani që çoi në ngrirjen e aktivitetit të kompanisë dhe bllokimit të fluturimeve të saj.
Vendimi erdhi në një kohë kur kompania kishte investuar në blerjen e avionëve të rinj dhe po bëhej gati të zgjeronte edhe më shumë numrin e destinacioneve të saj.
Edhe kompania “StarAirways” që hyri në treg në mes të vitit 2011, duke konkurruar me çmime të ulëta të biletave, në rreth 30 euro për destinacionet Itali, u detyrua të dilte shpejt jashtë tregut pas problemeve me avionët e marrë me qira prej saj.
“Star Airways” tërhoqi menjëherë shumë klientë përmes biletave me çmime të ulëta, por vonesat dhe anulimet e fluturimit që lanë qindra njerëz të prisnin në aeroporte, çuan në dështimin e kompanisë.
Në shkurt 2012, “Malev” la tregun shqiptar dhe të gjitha tregjet ku operonte pasi kompania “mëmë” në Hungari shpalli falimentin.
Të gjithë këto ngjarje e ndihmuan “Belle Air” që të forconte edhe më shumë pozitat në treg dhe të lançonte veten si ndër të vetmet kompani ‘loë-cost’ në vend.
Përveç “Belle Air”, që operonte me çmime 10-20% më të lira se sa konkurrentët e saj, kompani të tjera me kosto të ulët nuk kanë hyrë në treg gjatë viteve të fundit.
Kompanitë ndërkombëtare me kosto të ulët, si “Ryanair”, “Easy Jet” ende, “Wiz Air” mungojnë, ndryshe nga vendet e tjera të rajonit ku ato operojnë.
Një treg i vogël si Shqipëria konsiderohet si tepër i vështirë të përshtatet me ekonominë e shkallës, që është edhe modeli bazë i biznesit të bazuar me të cilin operojnë kompanitë me kosto të ulët, si “Easy Jet” dhe “Ryanair”.
Arsyeja tjetër është e lidhur me ekzistencën e një aeroporti të vetëm ndërkombëtar në Shqipëri, ndërkohë që aeroportet e tjera dytësore që do të mund të operonin me tarifa të ulëta nuk janë në funksion. Bazuar në kontratën e saj koncesionare, TIA ka ekskluzivitetin për të gjitha fluturimet ndërkombëtare në Shqipëri deri në vitin 2025. Për shkak të kësaj kontrate monopol, tarifat e zbatuara nga një aeroport ndërkombëtar konsiderohen si shumë të larta, duke rritur edhe çmimet finale të biletave. Megjithëse ka pasur disa negociata midis qeverisë shqiptare dhe TIA për të anuluar këtë të drejtë ekskluziviteti, nuk ka pasur asnjë rezultat konkret deri më tani.
Si rezultat, çmimet e biletave në Shqipëri janë relativisht të larta dhe ato janë bërë më të shtrenjta që prej vitit 2012 për shkak të rritjes së çmimit të karburanteve. Çmimi mesatar i biletës për destinacionet drejt Italisë është 150-250 euro, ndërsa për një destinacionin tjetër europian është 250-500 euro.
Gara për tregun e “Belle Air”
Tashmë që “Belle Air” ka mbyllur fluturimet, “biznesi” ajror gjendet përballë një sfide të re, atë të hyrjes së operatorëve të rinj në treg dhe marrjes sa më shumë prej tij nga konkurrentët.
Lista e shoqërive që po rendin të zëvendësojnë pjesën e lënë bosh nga “Belle Air” është e madhe. “Blue Panorama” ka nisur tashmë fluturimet e saj në kuadër të një marrëveshjeve me “Belle Air” për të realizuar udhëtime të rezervuara përmes kompanisë shqiptare. Siç konfirmon edhe drejtori i përgjithshëm i Aviacionit Civil, Petrit Sulaj, kjo shoqëri italiane ka bërë kërkesë për të nisur shërbimet e saj nga Tirana.
Tepër agresive po shfaqet kompania ajrore italiane “Alitalia”, që ka marrë autorizimin nga Agjencia Ajrore Civile për të zgjeruar rrjetin e shërbimeve midis Shqipërisë dhe Italisë.
Numri i fluturimeve të kësaj kompanie nga Tirana drejt qyteteve italiane do të dyfishohet, duke filluar nga data 3 dhjetor 2013. Deri më tani, kjo kompani kryen 50 fluturime në javë, por së shpejti numri i tyre do të rritet deri në 114 fluturime në javë, në mënyrë që t’u përgjigjet kërkesave të mëdha të udhëtarëve nga Shqipëria dhe Italia. Duke filluar nga muaji dhjetor, kompania “Alitalia” do të ketë fluturime të drejtpërdrejta nga Tirana edhe në qytetet e Venecias, Veronës, Bolonjës. Ndërsa, nga data 5 janar 2013 do të ketë edhe fluturime nga Tirana drejt qytetit të Barit. Paketa e re e shërbimeve ajrore të “Alitalia”-s për linjat ajrore midis Tiranës dhe qyteteve italiane është prezantuar nga Marco Quagliarella, menaxheri rajonal i Europës Juglindore i kompanisë “Alitalia”.
Por, numri nuk ndalet me kaq. Z. Sulaj konfirmon për revistën se janë disa kompanitë që tashmë kanë dorëzuar kërkesën pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Aviacionit Civil për të marrë lejen e fluturimeve nga Tirana.
“Ne sigurisht që jemi të hapur për të gjithë, mjafton që këto kompani të plotësojnë rregullat dhe normativat e duhura dhe do të kenë mundësi të nisin operimet në vend”, thotë z. Sulaj për “Monitor”.
Kompanitë që kërkojnë të shtojnë numrin e fluturimeve janë “Alitalia” (që tashmë e ka marrë lejen), “Olympic”, “Adri Airways”.
Ndërkohë, në treg pritet të hyjnë edhe disa shoqëri të reja vendase, “Fly Albania”, e cila është themeluar në fillim të këtij muaji. Një tjetër është kompania “UnitBalkan Airlines”.
Kompanitë
Shtim fluturimesh Të reja
Alitalia Fly Albania
Olympic Unitbalkan Airlines
Adria Airways Blue panorama
BURIMI: Drejtoria e Përgjithshme e Aviacionit Civil
Aktualisht në vend operojnë 11 linja ajrore që fluturojnë nga Tirana drejt vendeve të ndryshme të botës, duke mbuluar 30 destinacione të ndryshme.
•Adria Airways
•Air One
•Alitalia
•Austrian Airlines
•British Airways
•German Wings
•Jetairfly
•Lufthansa
•Olympic Air
•Turkish Airlines
•Pegasus
BURIMI: TIA
Dyshime?!
Falimentimi i kompanisë monopol në tregun ajror është shoqëruar me pikëpyetje, dyshime dhe akuza të shumta.
Drejtori i përgjithshëm i Aviacionit Civil, Petrit Sulaj, ka konfirmuar se është pezulluar licenca e kompanisë “Belle Air”, pasi ajo nuk respektoi kushtet për të transportuar pasagjerët drejt destinacioneve të kërkuara, duke lënë pa këtë shërbim rreth 52 mijë shtetas.
Por, sipas tij, kërkesa për shpallje falimentimi e kompanisë “Belle Air” ka qenë surprizë, pasi kjo kompani, në plan-biznesin e dorëzuar pranë kësaj drejtorie për 9 muajt e këtij viti, ka rezultuar me 3.5 milionë euro fitim. “Nuk e kuptoj se si mund të shpallë falimentin një kompani që rezulton me shifra të tilla fitimi”, u shpreh Sula.
Sipas drejtorit të përgjithshëm të Aviacionit Civil, Petrit Sulaj, gjatë këtyre ditëve janë dërguar në aeroportin “Nënë Tereza” dy inspektorë për të monitoruar situatën dhe për të orientuar pasagjerët.
“Ndërkohë ne po vijojmë të shqyrtojmë listat e pasagjerëve, të cilët kanë prerë një biletë me ‘Belle Air’, për të parë se në çfarë situate ndodhemi. Ka prenotime deri në muajt e parë të vitit të ardhshëm”.
Kreu i “BiznesAlbania”, Luan Bregasi, u shpreh se favorizimi i një kompanie si “Belle Air” që nuk ka paguar miliona euro taksa ndaj shtetit është një diferencim i çuditshëm dhe abuziv.
“Biznesi duhet të jetë i barabartë përpara ligjit. Ne kemi dëgjuar që qeveria ka dashur që t’i vihet pullë dhe një bidoni rakie që prodhohet në fshat dhe këtu shohim të tolerohet një kompani me 5-6 milionë euro të papaguara. Nuk janë detyrime, janë tatime. Neve na bllokohet aktiviteti kur nuk paguajmë një detyrim të vogël dhe dëgjojmë çudira të tilla që kompani të veçanta privilegjohen. Biznesi është kundër krijimit të një klime privilegjuese”, tha ai.
Të drejtat e pasagjerit të ajrit
Sipas të drejtave të pasagjerëve në BE, sqarohet se nëse udhëtimi juaj anulohet ose arrini në destinacion tri orë me vonesë nga ajo që parashikohet në biletën tuaj, ju mund të kërkoni të drejtë për kompensim nga 250 – 600 euro, kjo varet nga distanca.
Mes aeroporteve të BE-së dhe aeroporteve jo të BE-së
1,500 km ose më pak – €250
1,500 – 3,500 km – €400
Më shumë se 3,500 km – €600
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.