Shkëlqimi i biznesit të pllakave

27/08/2019 12:52 PM 0 komente

Tregu i hidrosanitareve dhe pllakave ka përjetuar zgjerim në vitet e fundit. Zhvillimet në sektorin e ndërtimeve dhe në industrinë e turizmit kanë qenë furnizuesit kryesorë të kërkesës në këtë sektor. Gjatë 2018-s, të ardhurat e kompanive më të mëdha u rritën, duke realizuar 73 milionë euro të ardhura nga aktiviteti i tyre.
Operatorët kryesorë flasin për ecuri pozitive edhe në vitin 2019, ndërsa problematikë kryesore mbetet kleringu. Spanja dhe Italia mbeten furnitorët më të mëdhenj të sektorit. Cilat janë tendencat kryesore të konsumatorëve? Sa shpenzojnë shqiptarët për shtëpitë?

 

Nga Ledina Loga

Kompanitë që operojnë në sektorin e produkteve hidrosanitare dhe të pllakave duket se po përjetojnë një periudhë të artë të shitjeve, ku në disa raste, rritja ka qenë edhe dyshifrore. Vetëm 5 prej kompanive më të mëdha në këtë sektor realizuan 9.1 miliardë lekë të ardhura, apo 73 milionë euro. Për vitin 2018, kompania me qarkullimin më të lartë nga shitjet është Brunes, me një realizim të ardhurash prej 2.9 miliardë lekësh, rreth 23 milionë euro.

Në vend të dytë për nga qarkullimi renditet Delta, e cila realizoi rreth 2.9 miliardë lekë nga shitjet, rreth 5% më shumë se një vit më parë.
Përfaqësues të kompanisë Delta ia atribuojnë këtë rritje kërkesës së shtuar në sektorin e hidrosanitareve dhe pllakave. Kërkesa, sipas tyre, vjen kryesisht nga zhvillimi në sektorin e ndërtimit, zhvillimet në industrinë e turizmit, por edhe emigrantëve që rikonstruktojnë banesat që kanë në atdhe.
Billa është kompania e tretë në lidhje me të ardhurat e realizuara në sektor. Gjatë 2018-s, kompania gjeneroi gati 2 miliardë lekë nga shitjet (15 milionë euro), me një rritje dyshifrore prej 17% në krahasim me një vit më parë.

Ndonëse kompania Sinani merret vetëm me tregtimin e pajisjeve hidrosanitare, ajo renditet një ndër sipërmarrjet më të mëdha në sektor. Hidrosanitare Sinani qarkulloi gjatë 2018-s 12.2 milionë euro të ardhura nga aktiviteti. Haki Sinani, administrator i kompanisë, thotë për “Monitor” se deri më tani, ecuria e sektorit ka qenë e mirë. Sipas zotit Sinani, rritja e shitjeve ka ardhur nga realizimi i volumeve më të larta, kryesisht për shkak të bumit të ndërtimeve, por edhe ndërtimit dhe rinovimit të hoteleve në zonat turistike, si dhe kërkesës nga pronarët e shtëpive private.

Porcelanosa renditet e pesta për nga realizimi i të ardhurave, por ajo ka shënuar rritjen më të madhe të tyre gjatë 2018-s. Në vitin që lanë pas, kompania gjeneroi 284 milionë lekë, me një rritje prej 35% në krahasim me një vit më parë. Karolina Janina, përfaqësuese e kompanisë, tha për “Monitor” se kanë pasur rritje të kërkesës për produktet e tyre, ndonëse kompania ka një target-group konsumatorësh me të ardhura mesatare dhe të larta.

 

 

Si po ndikon ndërtimi dhe rreziku nga kleringu

Vitin e fundit, kompania Porcelanosa vendosi që të ishte më e hapur edhe ndaj kërkesave të klientëve për të punuar me klering, dhe një pjesë e rritjes së madhe i atribuohet pikërisht këtij vendimi që ndërmori menaxhimi i kompanisë. Sikurse shpjegon edhe Karolina Janina, një pjesë e mirë e kërkesës së shtuar ka ardhur nga sektori i ndërtimit, por kjo është shoqëruar me një tjetër problematikë, ngërçi që iu krijohet kompanive nga mungesa e likuiditeteve.

Janina shpjegon se është deri diku e vështirë që të arkëtohen menjëherë paratë nga shitjet e realizuara me klering. Kleringu midis kompanive që operojnë në tregun e hidrosanitareve dhe pllakave me kompanitë e ndërtimit bëhet duke shkëmbyer mallin me mallin, pra jo një transaksion me para. Kompanitë e ndërtimit, në mungesë të parave cash, iu japin apartamente kompanive nga ku marrin furnizime bazë, siç janë kompanitë e betonit, hekurit, apo dhe hidrosanitareve dhe pllakave. Mirëpo Janina shpjegon se, nga fillimi i ndërtimit të një pallati dhe deri në përfundim të tij, duhen minimalisht dy vite. Ajo shton se gati 90% e ndërtuesve në Shqipëri kërkojnë që të operojnë me klering, ndërsa numri i atyre që punojnë me para në dorë është shumë i vogël.

Për kompanitë që furnizojnë ndërtimin me lëndë të para është shumë e vështirë që të shesin apartamentet kur pallatet janë ende në gropë dhe nuk ka dalë ende hipoteka. Kjo i bën thuajse të pamundura rastet kur individët kërkojnë që të blejnë shtëpi me kredi hipotekore. Pra kleringu ka rritur kohën nëpërmjet realizimit të shitjes, njohjes së të ardhurave në pasqyrat financiare të kompanive dhe arkëtimit të tyre.
Në të njëjtën kohë, kompanitë kërkojnë likuiditet për të shlyer furnitorët e huaj, duke i vënë ato në vështirësi për të rritur sasitë e importuara nga jashtë.

Përfaqësues të kompanisë Delta pohojnë gjithashtu që aplikojnë shitjet me klering. Për të mos pasur ngërç në likuiditete, thonë se mundohen që të zgjedhin prona, apo të pranojnë të bëjnë klering me projekte që kanë siguri që do të shiten.
“Një nga problematikat që ne si sektor hasim në sektorin e ndërtimit është kleringu. Përpiqemi që të zgjedhim apartamentin e duhur në mënyrë që të mos kemi ngërçe. Te firmat e ndërtimit, kërkesa për të punuar me klering është e madhe. Ne synojmë që pronat që zgjedhim të mos na krijojnë probleme në të ardhmen. Mundohemi që të marrim këshilla nga agjentët e pasurive të paluajtshme për zonat që janë më të kërkuara”,- thanë ata për “Monitor”. Dy vitet e fundit, lejet e ndërtimit kanë shënuar rritje të dukshme në kryeqytet.

Për të gjithë vitin 2018 janë dhënë leje me sipërfaqe prej 940 mijë metra katrorë, nga 521 mijë vitin e mëparshëm, me një rritje prej 80%. Vetëm në tremujorin e katërt janë dhënë leje për një sipërfaqe ndërtimi prej 456 mijë metra katrorë, ose 70% e sipërfaqes së dhënë gjithsej në vend për leje ndërtimi për këtë periudhë. Ritmi i lartë i tremujorit të katërt 2018 vijoi edhe në janar-mars të këtij viti.

 

 

Ndikimi pozitiv i turizmit te sektori

Industria e turizmit po i jep një shtysë pozitive sektorit të pllakave dhe hidrosanitareve. Karolina Janina, përfaqësuese e kompanisë Porcelanosa, thotë se krahas rritjes së ndërtimeve në Shqipëri, është shtuar ndërtimi i hoteleve në zonat bregdetare. “Hotelet është vështirë që të bëhen me klering, pasi nuk kanë ndonjë kolateral, për të shkëmbyer”, – shpjegon Janina për “Monitor”. Klientët kanë filluar të kuptojnë cilësinë dhe nuk kërkojnë produktin më të lirë, por atë më cilësor. Këtë e kemi vënë re veçanërisht te sektori i shërbimeve, bar-restorantet dhe hotelet, shton Karolina Janina.

Përfaqësues të kompanisë Delta pohojnë gjithashtu se përveç ndërtimit, në aktivitetin e tyre, ka pasur ndikim edhe sektori i turizmit.
“Zonat turistike kanë kërkuar rinovim të ambienteve, dhe jo vetëm për sektorin e pllakave dhe hidrosanitareve, por edhe të mobilieve. Ne u përballëm me një kërkesë në rritje veçanërisht në muajt mars dhe prill, ku sektori po përgatitej për fillimin e sezonit të ri turistik”, – thanë ata për “Monitor”.
Të dhënat nga INSTAT tregojnë se lejet për hotele janë 15-fishuar në sipërfaqe. Sipërfaqja e lejeve të dhëna është 286 mijë metra katrorë për hotele vetëm për tremujorin e parë të vitit 2019. Sipas të dhënave të INSTAT, në tre muajt e parë të vitit janë dhënë 28 leje ndërtimi. Ndonëse si numër lejesh, rritja ka qenë modeste, 28 nga 25 leje që ishin tremujorin e një viti më parë, sipërfaqja e ndërtimit është 15-fishuar në raport me një vit më parë.

Sipërfaqja mesatare për një leje të dhënë për hotel përllogaritet në 10 mijë metra katrorë, kjo do të thotë që një pjesë e këtyre lejeve janë dhënë për struktura me kapacitete të larta akomoduese. Prej vitit 2016, është rritur interesi për të ndërtuar në sektorin e hotelerisë në vend, me një rritje të shpejtë të numrit të lejeve të dhëna, sikurse tregojnë edhe shifrat e INSTAT.
Në total, për vitin 2016, u dhanë 11 leje ndërtimi, ndërsa në vitet në vijim, 2017 dhe 2018, u dhanë përkatësisht 53 dhe 75 leje. Ritmi i rritjes ka vijuar edhe gjatë 2019-s, sikurse tregojnë të dhënat paraprake, ku vetëm sipërfaqja e dhënë në tre muajt e parë është sa dyfishi i sipërfaqes së dhënë vitin e kaluar.

 

 

Spanja dhe Italia, furnitorët kryesorë

Furnitorët kryesorë të Shqipërisë të produkteve qeramike mbeten Spanja dhe Italia. Ndonëse në vitet e fundit është vënë re edhe rritja e pranisë në treg e mallrave nga Turqia dhe Kina. Sipas aktorëve kryesorë të tregut, ndonëse lëndët e para që marrin nga Spanja dhe Italia janë më të shtrenjta, kanë edhe cilësi më të lartë. Lëndët e para që hyjnë nga Kina, Turqia dhe India janë variante më ekonomike për të gjithë ata individë me të ardhura të kufizuara. Në total, për vitin 2018, importet e produkteve të qeramikës përllogariten rreth 7.5 miliardë lekë, me një rënie prej 4% në raport me një vit më parë.

Këtë rënie, aktorët e tregut e argumentojnë me zhvlerësimin e euros, gjë që ka bërë që importet që marrin nga jashtë, kryesisht vende të Eurozonës si Spanja, Italia dhe Greqia, janë bërë më të lira. Sipas përfaqësuesve të kompanisë Delta, nga zhvlerësimi i euros kanë përfituar edhe klientët fundorë, pasi sipas tyre, çmimet kanë qenë më të lira se një vit më parë. Edhe për këtë kompani, pjesa më e madhe e furnizimeve vjen nga vendet e BE-së, veçanërisht Spanja dhe Italia. “Pjesa më e madhe e importeve vijnë nga këto vende, duke qenë se janë ndër prodhuesit kryesorë botërorë të pllakave dhe përpunimit të porcelanit, si Spanja dhe Italia”, thanë përfaqësuesit e Deltës.

“Ne kryesisht operojmë më së shumti me pllakat dhe hidrosanitaret që vijnë nga Italia dhe Spanja, ndonëse në treg tani kanë hyrë edhe mallra nga vendet e Lindjes si Kina, India apo Turqia, të cilat në përgjithësi kanë çmim dhe cilësi më të ulët. Një pjesë e operatorëve të vegjël, të cilët furnizohen nga vendet e Lindjes, për të qenë konkurrentë dalim me çmime më të ulëta”,- shpjeguan ata.

Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, importet e qeramikës nga Spanja arritën vlerën e 2.4 miliardë lekëve, apo rreth 32% e totalit të importeve. Pas Spanjës renditen importet që vijnë nga Italia. Gjatë 2018-s, vlera e tyre ishte 1.4 miliardë lekë, apo rreth 20% e totalit. Këto dy vende përbëjnë më shumë se gjysmën e importeve për këtë grup.

Importet nga Turqia përgjigjen për 12% të totalit, me një vlerë prej 942 milionë lekësh, duke u ndjekur nga importet me origjinë nga Kina me 10% të totalit, apo 804 milionë lekë, ato greke me vlerë 543 milionë lekë, apo 7% të totalit. Viti 2018 shënoi rritje të madhe të importeve nga India, ku importet në krahasim me një vit më parë u rritën më shumë se 4 herë, duke zënë rreth 4% të totalit të importeve, duke u renditur vendi i gjashtë për nga pesha e importeve.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of