Shoqëritë e kursim-kreditit që ofrojnë veprimtari financiare në fushën e shërbimeve të pagesave dhe transfertave të parave tashmë duhet të marrin një licencë të posaçme për këtë qëllim nga Banka e Shqipërisë.
Në fund të muajit nëntor, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi disa ndryshime në rregullimin “Për licencimin dhe ushtrimin e veprimtarisë së shoqërive të kursim-kreditit dhe të unioneve të tyre”. Sipas informacionit paraprak, SHKK-të që do të kryejnë veprimtarinë financiare të shërbimeve të pagesave, do të pajisen me licencë të veçantë si institucion pagese, krahas licencës si SHKK.
Me rregulloren e mëparshme, SHKK-ja mund të ushtronte automatikisht edhe veprimtari në të gjitha shërbimet e pagesave dhe të transferimit të parave, këmbimit valutor dhe qirasë financiare. Por, në rast të ushtrimit të një prej veprimtarive të mësipërme, atyre iu kërkohej një nivel më i lartë i kapitalit minimal, konkretisht 20 milionë lekë, nga 5 milionë lekë që është kërkesa minimale për të ushtruar aktivitet vetëm si SHKK. Me ndryshimet në rregullore, SHKK-të që duan ofrojën shërbime pagesash duhet të aplikojnë për licencë të veçantë dhe t’iu nënshtrohen të gjitha kërkesave të posaçme rregullatore për ofrimin e këtyre shërbimeve.
Sipas rregullores së re për licencimin e institucioneve të pagesave dhe atyre të parasë elektronike, miratuar po në muajin nëntor, kërkesat për kapital fillestar të institucioneve të pagesave do të jenë të përshkallëzuara. Për institucionet që do të kryejnë vetëm shërbimet e trasnfertave të parave kapitali minimal i kërkuar do të jetë 2.5 milionë lekë. Për institucionet që do të ofrojnë vetëm shërbimin e inicimit të pagesës (parashikuar nga ligji i ri për shërbimet e pagesave) kapitali minimal i kërkuar do të jetë 6.5 milionë lekë. Ndërkohë, institucionet që do të ofrojnë pjesën më të madhe të shërbimeve të pagesave që parashikon ligji i ri që hyri në fuqi këtë vit duhet të kenë një kapital prej të paktën 16 milionë lekësh. Në këto shërbime përfshihen depozitimi i parave fizike në një llogari pagese, shërbimet që mundësojnë tërheqjen e parave fizike nga një llogari pagese, ekzekutimi i transaksioneve të pagesave, ekzekutimi i debitimeve direkte, ekzekutimi i transaksioneve të pagesave përmes një karte pagese, ekzekutimi i transfertave të kreditit, ekzekutimi i transaksioneve të pagesave përmes një kartë pagese, emetimi i një instrumenti pagese ose pranimi i transaksioneve të pagesave, etj.
SHKK-të mund të jenë një alternativë për të zgjeruar rrjetin kombëtar të shërbimeve të pagesave, sidomos në zonat rurale, ku SHKK-të përqendrojnë kryesisht aktivitetin e tyre. Sipas Bankës së Shqipërisë, aktualisht në Shqipëri janë të licencuara 16 shoqëri kursim-krediti dhe një Union i tyre. Në fund të tremujorit të tretë, totali i aktiveve të tyre arriti në 14.6 miliardë lekë ose rreth 120 milionë euro./E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.