nës detit i palarë/anës dritës i paparë… Poezia e famshme e Fan Nolit duket se është aktuale edhe sot në zemrën e Veriut, në Shkodër. Qyteti më i madh në veri të vendit, me një pozitë gjeografike të favorshme, burime të shumta natyrore (sidomos ujore) dhe njerëzore, ku tashmë funksionojnë 5 banka (Banka ProCredit, Banka e Kursimeve, Banka Kombëtare Tregtare, Banka Tirana, Banka e Bashkuar Shqiptare) ndodhet në kufijtë e varfërisë. Një antitezë e dhimbshme për mijëra banorë, që prisnin dhe meritonin shumë më tepër gjatë këtyre viteve të tranzicionit. Disa nga pikat e dobëta të gjendjes ekonomike dhe shoqërore të rajonit tonë, kanë lidhje të drejtpërdrejtë me mirëqenien e popullsisë:¢ Mungesa e një plani strategjik të zhvillimit, për të cilin ka filluar puna në Bashkinë e Shkodrës;¢ Niveli i lartë i papunësisë;¢ Sistemi rrugor i pazhvilluar dhe i amortizuar;¢ Qëndrim indiferent i Qeverisë qendrore karshi Shkodrës;¢ Mungesa e një plani strategjik dhe një vizioni në nivel kombëtar;¢ Mungesa e vullnetit të Qeverisë për të mbështetur politikat e zhvillimit;¢ Largimi i popullsisë autoktone dhe zëvendësimi me të ardhur nga zonat e pazhvilluara;¢ Mungesa e sigurisë për investime;¢ Qytet që nuk prodhon;¢ Situata energjetike shumë problematike.Panorama e sotme e ShkodrësPanorama paraqitet e zymtë. Gjendja ekonomike e qytetit tonë është kaotike, me probleme dhe nuk i përgjigjet një ekonomie tregu të qëndrueshme. Sipas burimeve të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Shkodër, aktualisht janë 354 biznese të regjistruara në të, nga të cilat 216 Juridike dhe 138 Fizike. Anëtarësimi i tyre në vite ka ardhur duke rënë. Sipas specialistëve pranë këtij institucioni shkaku kryesor është evazioni fiskal. Kryetari i kësaj Dhome, zoti Anton Leka thotë: ¦nga fushat që premtojnë zhvillim të qëndrueshëm për qytetin tonë dhe më gjerë, për zonën, do veçoja agrobiznesin dhe artizanatin. Po sipas mendimeve të specialistëve, nxitja kryesore për zhvillimin e biznesit, atij të vogël dhe të mesëm, duhet të vijë me dhënien e kredive me kushte lehtësuese.Sfida e zhvillimit të qëndrueshëmZhvillimi i qëndrueshëm është një sfidë për të gjithë realitetin shqiptar, por kjo është më e theksuar në zonën tonë, ku përveç problemeve të mësipërme, do shtoja dhe:¢ Mungesën e një vizioni afatgjatë zhvillimi;¢ Konfliktet në lidhje me pronësitë;¢ Mungesa e një bashkërendimi pune mes institucioneve qendrore dhe lokale për hartimin e politikave të zhvillimit.Problemet e mësipërme kanë sjellë mungesën e kapaciteteve që do të formulonin një plan zhvillimi që do të ishte baza për zhvillimin urban dhe do të sillte mirëqenie për popullsinë. Nga ana tjetër, ajo që është mjaft e rëndësishme për momentin është studimi i instrumenteve për të përmirësuar gjendjen sociale dhe ekonomike. Duhet të shohim nëse ekzistojnë instrumentet e mjaftueshëm ligjorë, institucionale dhe financiare për të ndikuar në zhvillimin e zonës. Duhen identifikuar instrumentet që disponon pushteti lokal për të hyrë në partneritet me sektorin privat dhe banorët për zhvillimin ekonomik të qytetit. Për më tepër, duhet të analizojmë dhe ndikojmë rolin e shtetit në kushtet e ekonomisë së tregut, iniciativës dhe lëvizjes së lirë të popullsisë, si dhe pronësisë private mbi tokën.Të gjitha problemet e mësipërme kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik në përgjithësi që lidhet me mirëqenien e popullsisë.Më shumë autonomi pushtetit vendorNë kuadrin e procesit të decentralizimit dhe forcimit të autonomisë vendore, përgatitja për të krijuar kushtet për gjallëri territoriale është një hap konkret edhe i ushtrimit të kompetencave të qeverisë vendore në shërbim të zhvillimit sa më autonom të komunitetit.Shkodra tradicionalisht ka qenë qendra më e madhe ekonomike dhe kulturore e gjithë zonës veriore të Shqipërisë, me përjashtim të periudhës komuniste. Shkodra këtë zhvillim e ka realizuar kryesisht nëpërmjet nismave ekonomike, tregtare, që dolën nga vetë bizneset dhe qeveritë vendore të asaj kohe. Ky fakt tregon se Shkodra dhe qytetarët e saj do të kenë një të ardhme më të mirë vetëm po të angazhohen direkt me nisma bashkëpunimi mes organizatave dhe institucioneve të tjera të këtij komuniteti dhe qeverisë vendore.Bashkia si lidere e qytetitBashkia, si lidere e qytetit ngarkohet me përgjegjësi shumë më të madhe, tashmë jo thjesht si administratë publike, por si qeveri vendore.Qeveria vendore ka tre role, të cilat përcaktojnë dhe përgjegjësitë e saj kryesore:1. Ofrues shërbimesh; 2. Rol rregullator për zhvillim; 3. Rol nxitës, i cili është një nga rolet më të rëndësishme për të bashkuar të gjithë e harmonizuar veprimet dhe punën për të mirën e komunitetit.Dua të ndalem pak në shërbimet, të cilat janë shumë të rëndësishme për zhvillimin ekonomik. Roli bashkiak si një ofrues shërbimesh është më tradicionali. Ky funksion përfshin veprimet rutinë si grumbullimi i plehrave dhe eliminimi i tyre, funksione të shumta administrative, pastrim dhe riparim rrugësh, parqesh, mirëmbajtje e pronës shtetërore e bashkiake e kështu me radhë. Shërbimet themelore janë të rëndësishme për zhvillimin ekonomik. Shumë pak investitorë do të jenë të interesuar në një qytet që nuk mund të sigurojë shërbimet themelore rregullisht, në cilësi dhe në kohë. Këto shërbime themelore mund të mos i tërheqin investitorët, por moskryerja e tyre me cilësi mund t i largojë ato. Ruajtja e një cilësie të lartë shërbimi është e rëndësishme. Por ajo që është më e rëndësishme është gjetja e mënyrave për përfshirjen e privatit apo dhe të vetë qytetarit në përmirësimin e shërbimeve. Pjesëmarrja qytetare në këtë proces, vlerësimi real dhe i përbashkët i problemeve për të bërë të mundur zgjidhjen e tyre sa më të shpejtë dhe të dobishme. Është baza e një qeverisje vendore demokratike. Ajo do të sigurojë përfshirjen dhe shprehjen e interesave të të gjithë segmenteve të komunitetit tonë. Çdo individ, grup etj., duke kontribuar direkt me pjesëmarrjen e tij në zhvillimin e komunitetit do të jenë më të përgjegjshëm në zbatimin e rregullave dhe në ruajtjen dhe zhvillimin e pronës publike. Nga ana tjetër, çdo nëpunës do të bëhet më i përgjegjshëm në punën e tij, pasi do të përballet me një publik të mirinformuar për politikat dhe prioritetet e zhvillimit të komunitetit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.