Qyteti i Shkodrës tashmë ka një strategji të re për vitin 2006, përsa i përket zhvillimit ekonomiko-shoqëror të saj. Sipas drejtuesve kryesor të Bashkisë, ky është dokumenti më i rëndësishëm i realizuar nga administrata e bashkisë në bashkëpunim me të gjithë aktorët qendror dhe ata vendor. Për vitin që sapo kemi hyrë, Bashkia më e madhe e Veriut të vendit, doli me një sërë objektivash konkretë, për përmirësimin e gjendjes ekonomike të banorëve të saj. Realizimi i kësaj strategjije për zhvillim do të përqendrohet në tre drejtime kryesore si në zbutjen e papunësisë, në fuqizimin e sektorit elektrik dhe në përmirësimin e infrastrukturës. Sipas zëvendëskryetarit të Bashkisë së Shkodrës Rudolf Rasha, një përparësi të veçantë do të ketë sjellja në parametrat ndërkombëtarë të rrugëve qendrore dhe atyre që lidhen me rajonin. Rasha thekson se kjo është e vetmja portë, e cila lidh Shqipërinë me Europën, duke krijuar mundësi të reja zhvillimi. Gjithçka është realizuar në kuadër të projektit Drejtimi i ekonomisë së vendit përmes teknikave planifikuese. Kjo do ta ndihmojë së tepërmi qytetin dhe do të bëjë që të gjitha projektet e financuara të kenë lidhje mes njëri-tjetrit, sqaron Rasha.Hartuesit e kësaj strategjie kanë pasur parasysh faktin se Shkodra është një qytet me një ekonomi vendore tërheqëse për biznesmenët dhe tregtarët vendas dhe të huaj. Ka një traditë historike, kulturore dhe artistike, që mund të shërbejë për nxitjen e këtyre vlerave në funksion të zhvillimit të turizmit. Po kështu, Shkodra është një qendër arsimore e nivelit të lartë për të gjithë Veriun, me Universitetin si faktor kryesor, tashmë të binjakëzuar me disa homologe të saj gjermane etj. Për bashkëpunimin që ka rajoni verior i Shqipërisë përsa i përket zhvillimit ndërrajonal, Bashkia e Shkodrës hartoi edhe një strategji të re zhvillimi, duke i kushtuar një vëmendje të veçantë marrëdhënieve bilaterale me fqinjët kufitar Malin e Zi dhe Kosovën, me synim të njëjtë në drejtim të ripërtëritjes dhe forcimit të institucioneve, zhvillimit dhe marrëdhënieve ekonomike, fuqizimit të sektorit të turizmit, biznesit, artizanatit etj. Në këtë drejtim Bashkia po bën përpjekje të vazhdueshme për të realizuar marrëdhënie të reja dhe binjakëzime me qytete europiane të forta ekonomikisht, në mënyrë që ato të investojnë në këtë rajon. Në këtë program janë marrë parasysh edhe pozicioni gjeo-strategjik i qytetit të Shkodrës, pasi ndodhet rreth 60 km larg nga Podgorica, l50 km larg nga Kosova si dhe posedon një vijë bregdetare prej l4 km, e cila shërben për turizmin rajonal e përtej. Të gjitha këto veçori specifike e bëjnë Shkodrën si qytetin me të gjitha kushtet për të pasur një strategji të tillë zhvillimi.Ndërkohë Bashkia më e madhe e Veriut të Shqipërisë, brenda 2 muajve të parë të vitit 2006, do të hapë një zyrë të re për komunikimin dhe marrëdhëniet me publikun, e cila do të shërbejë për rritjen e transparencës dhe lehtësimin e procedurave administrative për qytetarët dhe bizneset.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.