Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka njoftuar se bazuar në rezultatet e testimeve janë konfirmuar edhe katër raste të reja me koronavirus në Kosovë, duke e çuar numrin në total në 13.
Bëhet fjalë për familjarë të ngushtë të pacientit nga Stublla e Vitisë që ishte diagnostikuar me këtë virus më 13 mars.
“E gjithë familja kanë qenë në vetizolim dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka bërë testimin edhe të familjarëve të tjerë”, ka shkruar Vitia në një postim në Facebook.
Ai ka kërkuar vetëdije e ndihmë të qytetarëve pas këtyre rasteve.
“Reduktoni daljet veç në raste emergjente. Ndiqni rekomandimet nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik”, ka shtuar ai.
Dje, Qeveria e Kosovës shpalli emergjencën shëndetësore.
Kurse, me të shënuar ora 00:00 e datës 16 mars ka hyrë në fuqi vendimi i Qeverisë së Kosovës i cili u mor të premten në mbrëmje për pezullimin e fluturimeve nga Aeroporti i Prishtinës.
Përjashtim bëjnë linjat e udhëtimit në ardhje me ekuipazh, por pa udhëtarë që shërbejnë vetëm për largim të udhëtarëve nga Kosova.
Kjo u bë si masë shtesë pas konfirmimit të rasteve pozitive me virusin CODIV-19.
“Nga data 16 mars 2020 ora 24:00, bëhet pezullimi i përkohshëm i të gjitha linjave të udhëtimit ajror në Aeroportin e Prishtinës, përveç fluturimeve ushtarake, dhe emergjencave medicinale (MEDIVAC). Përjashtim bëjnë linjat e udhëtimit në ardhje me ekuipazh, por pa udhëtarë që shërbejnë vetëm për largim të udhëtarëve nga Kosova”, thuhet në vendimin e Qeverisë së Kosovës.
Kjo ishte një nga masat që janë ndërmarrë gjatë këtyre ditëve për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.
Kujtojmë se është marrë vendim edhe për mbylljen e kufijve tokësorë për udhëtarët që hyjnë në Kosovë, por kjo nuk vlen për qytetarët kosovarë, dhe se të gjithë shtetasit e Kosovës të cilët hyjnë përmes këtyre kufijve do t’iu nënshtrohen kontrolleve të shtuara mjekësore me urdhrin që ata të vetizolohen për 14 ditë./Fatos Shala për Monitor.al/.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.