Kreditë e këqija pritet të ulen më tej nga një masë e re rregullatorë që Banka e Shqipërisë do të aplikojë këtë vit.
Masa e re do të detyrojë bankat të fshijnë nga bilancet kreditë e humbura për një periudhe dy vjeçare nga tre vite që janë aktualisht, njoftuan burimet zyrtare të BSH-së.
Procesi i fshirjes së kredive të humbura nga bilancet ka qenë mjeti kryesor për uljen e kredive të këqija përgjatë katër viteve të fundit. Ky mjet nuk është se amniston mbledhjen e kredive ndaj huamarrësve të këqij.
Në fund të vitit 2018 raporti i kredive me probleme (RKP) shënonte 11.1% nga 13.2% një vit më parë, ndërkohë që teprica e kredive me probleme u zvogëlua me 20%.
Përmirësimi më i madh në cilësinë e kredisë është regjistruar në kredinë në lekë, kredinë për bizneset, kredinë afatgjatë dhe kredinë për sektorin e tregtisë. Pavarësisht rënies Shqipëria ka përqindjen më të madhe të kredive me probleme më Rajon.
Rregullorja e Bankës së Shqipërisë që kërkon fshirjen e detyrueshme të kredive të kategorizuara si “e humbur” për më shumë se tre vjet hyri në fuqi në fillim të 2015-s.
Sipas kësaj rregulloreje, në çdo rast banka fshin kreditë, jo më vonë se tre vjet pas klasifikimit të tyre në klasën “të humbura”. Para vitit 2015 nuk kishte afate.
Gjatë kësaj periudhe, banka merr masat e nevojshme për plotësimin e kushteve të përcaktuara në legjislacionin tatimor për fshirjen e kredive. Përjashtim nga ky kusht bëjnë kreditë, për të cilat bankat argumentojnë se, mbështetur në analizën gjendjes financiare të kredimarrësit dhe cilësinë e kolateralit, vërtetohet mundësia efektive e shlyerjes/ripagimit të saj. Gjithashtu janë të përjashtuara kreditë në proces ristrukturimi.
Bankat sipas rregullores në fuqi bëjnë riklasifikimin e kredive një herë në muaj.
Rregullorja thotë se kredia duhet të quhet e humbur në rast se gjendja financiare e kredimarrësit vlerësohet qartë se nuk siguron përmbushjen e plotë të kushteve të shlyerjes së principalit dhe të interesit; ose vlerësohet se mungon i gjithë dokumentacioni i nevojshëm për përcaktimin e gjendjes financiare; ose kredimarrësi është në paaftësi paguese/ka falimentuar, është përfshirë në proces likuidimi; ose kredimarrësi ka vdekur dhe askush nuk mund të paguajë kredinë; ose banka ka depozituar te përmbaruesi gjyqësor kërkesën për fillimin e procesit të ekzekutimit të detyrueshëm të kolateralit, në rast se kredia është e siguruar me kolateral, etj.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.