Shlyhen 75 mln euro nga kredia e TEC-it defektoz të Vlorës, mbeten edhe 15 mln euro

11/08/2019 11:00 PM 0 komente

Deri në fund të 6-mujorit të parë të vitit 2019, qeveria e Shqipërisë nëpërmjet Thesarit të Shtetit, ka shlyer 65 milionë euro të kredisë 80 milionë euro që mori në vitin 2004 për të ndërtuar një termocentral të ri në Vlorë, i cili edhe pse ka përfunduar, nuk ka punuar asnjë ditë për shkak të një defekti.

Të dhënat nga Ministria e Financave tregojnë se qeveria e përfundoi shlyerjen e këstit të fundit të kredisë prej 40 milionë eurosh ndaj Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në muajin prill të këtij viti.

Ndërsa deri në fund të qershorit 2019 janë shlyer edhe 25 milionë euro ndaj Bankës Europiane të Investimeve, teksa mbeten për tu shlyer edhe rreth 15 milionë euro deri në fund të 2024.

Huatë u morën në vitin 2004 kur Banka Botërore inicioi një proces për diversifikimin e burimeve të energjisë, për shkak të varësisë nga burimet ujore, të cilat varen nga reshjet.

Projekti me titullin premtues “Ristrukturimi dhe Gjenerimi i Prodhimit të Energjisë” nisi përgatitjet në vitin 2003, bazuar në studimet e kryera nga një projekt i mëparshëm i Bankës Botërore, i cili ishte mbyllur pa sukses.

Fillimisht, projekti parashikonte ndërtimin e një termocentrali me fuqi të instaluar prej rreth 100 MW, i cili do të shërbente për të mbuluar një pjesë të deficitit të energjisë elektrike të vendit, do të stabilizonte rrjetin dhe do të rriste eficencën e furnizimit me energji në zonën turistike të bregdetit të jugut.

Termocentrali u vlerësua fillimisht të kushtonte 113 milionë dollarë dhe parashikohej të përfundonte në vitin 2008. Në fakt, kushtoi në total 130 milionë dhe u mbyll në vitin 2012.

Me gjithë kohën dhe paratë që mori, termocentrali rezultoi defektoz, me kosto tepër të lartë dhe praktikisht i papërdorshëm.

Në fund, Banka Botërore e shpalli projektin në një vlerësim të vetin me rezultat “relativisht të pakënaqshëm”, ndërsa shqiptarët aktualisht vazhdojnë paguajnë 130 milionë dollarët e marrë hua për ndërtimin e tij.

Ironike është që termocentrali i Vlorës u mendua si një zgjidhje emergjente për shkak se ndërtimi mund të kryhej brenda një viti, ndërsa ndërtimi i linjave të interkonjeksionit me vendet fqinje kërkonte shumë më tepër kohë.

Në fakt, termocentrali kërkoi tetë vjet që të ndërtohej, përfshirë gjashtë vite procedura prokurimi të tejzgjatura, ndërsa linja e interkonjeksionit me Malin e Zi, e cila arriti ta çlirojë Shqipërinë nga kufizimet në import, u realizua pothuajse në të njëjtën kohë. Pas përfundimit, një defekt në tubat e ftohjes e lanë TEC sot e kësaj dite pa punë teksa të gjitha zgjidhjet për ta bërë atë rentabël, janë me kosto të larta.

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of